Teknologji

Njerëz “të pushtuar” nga kompjuteri

Sofia Ben-Ankor ngjason me një studente tipike nga Londra. Ajo është e shkurtër, ka flokë ngjyrë kafe, sy të shndritshëm dhe një buzëqeshje të bukur. Me të mund të flasësh për kohën, muzikën si dhe eksperiencat e saj për mësim-dhënien e gjuhës angleze për studentët e huaj. Kurrë nuk do ta kuptoje që truri i saj kontrollohet nga një tufë procesorësh që ndodhen mijëra kilometra larg saj. Të jesh “e pushtuar” nga një kompjuter nuk është kaq e pabesueshme, thotë ajo më pas, megjithatë ndonjëherë mendon: “E tmerrshme! Unë jam thjesht një trup, asgjë më shumë”.

Termi teknik që identifikon Sofian është “echoborg”, një qënie e gjallë, një individ që merr frymë, por që përkohësisht ka vendosur të kontrollohet nga një robot. Çdo gjë që ajo thotë buron nga mesazhet e dërguara në internet, që më pas i përçohen nëpërmjet një kufjeje tepër të vogël në vesh. Asnjë person që bisedoi me Sofian nuk e kuptoi se ishte duke folur me një robot.

Mund të tingëllojë si diçka absurde apo si një film fantastiko-shkencor, por fakti është që kjo shpikje e çuditshme e ka një qëllim. Studiuesit në “London School of Economics” duan të kuptojnë mënyrën se si trupi dhe pamja e inteligjencës artificiale mund të formojë perceptimin tonë. Ky eksperiment është tepër i rëndësishëm për botëkuptimin tonë të inteligjencës artificiale, pasi në të ardhmen mund të gjendemi të rrethuar nga makineritë, që nuk do të arrijmë t’i dallojmë nga qeniet njerëzore. Pra, qëllimi i studimit është të kuptohet se si do të reagojnë njerëzit përballë një fenomeni të tillë.

“Në shumicën e rasteve që ndodhemi përballë inteligjencës artificiale ndodh nëpërmjet një pamjeje tepër mekanike”, thotë Kevin Korti, një nga studiuesit. Ideja e tij gjeniale ishte të përdorej trupi i një qenieje njerëzore, por me trurin e një roboti. “Në këtë mënyrë, ne bëmë të mundur që njerëzit të mendonin se ishin duke biseduar me një tjetër person normal”.

Kur kontrollin e trurit e merr në dorë një program kompjuteri që përçon mesazhe, mund të ndodhin gjëra nga më të çuditshmet. Korti dhe kolegu i tij Aleks Xhillspi, janë frymëzuar nga puna me “Siranoidët”, një eksperiment i zhvilluar nga psikologu i shumëpërfolur, Stenli Milgram. Ky psikolog është tepër i famshëm për eksperimentin e tij lidhur me bindjen, në të cilin i shtynte njerëzit që t’i jepnin goditje elektrike të voltazhit të lartë dikujt tjetër. Edhe kur dukej se goditjet po bëheshin tepër të dhimbshme dhe të rrezikishme, shumica e tyre nuk ndaleshin, duke treguar kështu se njerëzit e kanë më të lehtë t’i shkaktojnë dhimbje dikujt tjetër se sa të mos t’i binden autoritetit që i kontrollon.

Nga fundi i jetës së tij, Milgrami duket se iu rikthye temave më të buta, atë të perceptimit që truri ka për pamjen e njeriut. Kur jemi duke folur me dikë, a i dëgjojmë vërtet fjalët që na thotë, apo opinionet e tona formohen në bazë të pamjes së jashtme të personit që kemi përballë?

Për të gjetur një përgjigje, ai u frymëzua nga drama e shekullit 19, Sirano de Berzherakut. De Berzheraku ishte një ushtar i suksesshëm, një poet i zgjuar dhe një muzikant i talentuar, por e konsideronte veten tepër të shëmtuar për t’i rënë në sy Roksanës. Kështu, ai vendos të ndihmojë rivalin e tij simpatik, por aspak të zgjuar, Kristianin, që të fitonte zemrën e saj, duke i thënë asaj çdo fjalë që i sugjeronte Siranoja. Në skenën më të famshme të dramës, Siranoja fshihet në shkurre, duke i sugjeruar Kristianit fjalë të ëmbla, i cili duhet tja përsëriste Roksanës që qëndronte në ballkon.

Kështu, të ashtuquajturit “Siranoidë” janë njerëz që lejojnë dikë tjetër t’i diktojë fjalët që thonë dhe gjërat që bëjnë. Një mekanizëm i tillë, sipas Milgramit, do të ishte mënyra perfekte për të testuar se sa ndikon pamja e jashtme e njeriut në perceptimin që krijon truri për të. Ai bëri eksperimente ku “Siranoidit” i sugjeroheshin fjalë nga dikush tjetër nëpërmjet një transmetuesi të vogël të fshehur në vesh. Njëlloj si Roksana, personi tjetër që ndodhej përballë tij nuk ishte në dijeni të eksperimentit.

Milgrami u mahnit kur vuri re se, pjesëmarrësit në eksperiment mund të bisedonin për më shumë se 20 minuta me një siranoid dhe nuk e kuptonin se diçka nuk shkonte. “Fakti që gjithçka që thotë një person buron nga një tjetër mendje duket se nuk kuptohej dhe nuk kishte rëndësi në asnjë moment”, shkroi ai. Më pas, ai vendosi ta çonte edhe më tej eksperimentin, duke parë për shembull se çfarë ndodhte kur një profesor i vjetër kontrollonte trurin e një fëmije.

Milgrami vdiq në vitin 1984 përpara se ta përfundonte eksperimentin dhe siranoidët e tij u harruan për dy dekata me radhë, derisa Xhillspi vendosi ta rinovonte idenë e tij. Në përpjekjen e tij të parë, ai kopjo një nga eksperimentet e Milgramit me një siranoid fëmijë. Në këtë rast, Xhillspi i tregonte fjalët një djali 11-vjeçar i cili po intervistohej nga një panel të rriturish. Tendenca e tyre për ta justifikuar situatën me të cilën përballeshin, ishte e mahnitshme. “Djalin e vogël e pyetën për molekula dhe atome, për Henri Xhejmsin, për vdekjen e Margaret Thecerit dhe për krizën globale financiare. Pas çdo përgjigje, ata shokoheshin dhe thonin se, djali ishte vërtet i zgjuar, por asgjë më shumë”, kujton Xhillspi.

Kukullat e gjalla

Nga këndvështrimi filozofik, njerëzit e kanë tepër të vështirë të gjykojnë, nëse një person është duke folur dhe vepruar me vullnetin e tij të lirë apo ndodh përpara një “kukulle” që vepron sipas komandave të dikujt tjetër. “Sado e madhe të jetë mospërputhja ndërmjet trupit dhe mendjes, njerëzit nuk arrijnë ta dallojnë”, thotë Korti. Për ta thënë me fjalë të tjera, duket se qëniet njerëzore përdorin më shumë pamjen e jashtme për të gjykuar substancën e mendimeve të dikujt tjetër.

Është e lehtë të jesh skeptik. Kështu i ndodhi një eksperti që vizitoi laboratorin e studimit dhe Xhillspi e prezantoi me Kortin. Duke qenë se kishte folur me Kevinin më parë nëpërmjet internetit, kur u gjend përballë një vajze të re u shokua tërësht. “Për një moment mendova se Kevini ishte një transeksual, ishte i vetmi shpjegim që më erdhi ndërmend”, tha ai. Në fakt, Kevini ndodhej në një dhomë tjetër dhe ai ishte duke biseduar me Sofian, e cila në jetën e përditshme është një studente e dalluar dhe ka vendosur të kontribuojë për eksperimentin. Situata tregoi se sa e thjeshtë është të manipulosh mendimin e një personi nëpërmjet pamjes së jashtme.

Falë sukseseve të deritanishme, Korti dhe Xhillspi filluan të mendonin ekstreme akoma më të mëdha për të testuar. Ky ishte momenti, kur lindi edhe ideja e tyre më gjeniale. “Menduam që nëse duam ta çojmë eksperimentin tonë në një nivel më të lartë, atëherë duhet të eliminonim personin që sugjeronte fjalët”, thonë ata. Rezultati ishte lindja e “echoborgut”, një racë e re siranoidësh, ku një person flet dhe vepron sipas komandave të një programi kompjuterik, jo ato të një personi tjetër.

Në këtë mënyrë, Korti shpresonte të bënte një hap para drejt të ardhmes, kur robotët të bëhen më realë. “Jemi ende shumë vite e shekuj larg krijimit të një pamjeje njerëzore për kompjuterët, por këtë hap mund ta kapërcejmë, duke e futur kompjuterin brenda trupit te njerëzit për të parë çfarë ndodh”, thotë ai.

Në eksperimentin e parë, pjesëmarrësit ishin tërësisht të painformuar dhe askush nuk i kishte thënë atyre se do të bisedonin me një robot. Siç do të kishte parashikuar edhe Milgrami, pjesëmarrësit nuk patën asnjë dyshim për personin që kishin përballë edhe pas bisedave të gjata që bënë me të. “Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve nuk e kuptuan asnjëherë se ishin duke folur me një program kompjuteri. Ata thjesht menduan se, personi me të cilin flisnin kishte ndonjë problem apo ndonjë lloj frenimi kur ndodhej në një rreth social të caktuar. Në asnjë moment, ata nuk dyshuan se ishin duke folur me një hibrid”, thotë Korti.

 

Filmat fantastiko-shkencorë dhe serialet e ndryshme televizive, kanë pyetur prej kohësh nëse robotët do të mund të integrohen një ditë në shoqërinë tonë deri në pikën që ne të mos arrijmë më të bëjmë dallimin ndërmjet një qenieje të gjallë dhe një pajisjeje elektronike. Eksperimenti i Kortit sugjeron, se edhe me inteligjencën artificiale të kufizuar që posedojnë sot, arrijmë lehtësisht të bindim të tjerët, se janë duke biseduar me një qenieje njerëzore në vend të një roboti.

Apple do të nxjerrë në treg iPad-in gjigand

 

Tani mund të themi me siguri që Apple po punon për krijimin e një iPad-i shumë të madh.

Shkencëtarët: WI-FI i rrezikshëm për shëndetin

Njerëzit përballen me shumë sëmundje, nga tumoret e trurit dhe leuçemisë deri në dëmtime të kujtesës dhe të përqëndrimit për shkak të rritjes së të ashtuquajturës "elektronditje", siç është në rritje përhapja e rrjetit Wi-Fi në nivel global, paralajmërojnë shkencëtarët skandinavë.
"Rrezatimi elektromagnetik i telefonave celularë, rrjeti wireless LAN, thirrëset për foshnjat si dhe pajisjet e tjera pa tel, të bazuara në mikrovalë mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut, në trupin e njeriut, sistemin e frymëmarrjes, në balancimin e temperaturës trupore dhe ujit në organizëm si dhe funksioneve tjera të metabolizmit", shprehen shkencëtarët.
Shkencëtari danez, Olle Johansson thotë se rreziku i sëmundjeve është rritur në mënyrë të konsiderueshme me nismën për të rritur gamën e rrjetit Wi-Fi në gjithë botën. "Komuniteti Wireless paraqet eksperimentin më të lartë në mesin e eksperimenteve të kryera ndonjëherë që njerëzit kanë kryer dhe urgjentisht duhet të karakterizohet si i tillë", tha Johansson, profesor i asocuar në Departamentin e Neuroshkencës në institutin "Karolina" në Stokholm.
"Ne jemi të mbështjellë nga elektronditja që kontribuon në rritjen e mundësisë së sëmundjeve", thekson ai. "Popullsia nuk është e mbrojtur sa duhet nga rritja e transmetimit të të dhënave dhe komunikimit teknologjik të cilat janë të shpërndara nëpër botë dhe ndikojnë në miliarda njerëz", shton Johansson.
Në bashkëpunim me kolegun e tij, profesor i asocuar në Departamentin Telematik në universitetin norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë në Trondheim, Einar Flydalom, kohët e fundit botoi një artikull që i referohet fenomenit të quajtur "Wireless rrezik shëndetësor? Debati ka përfunduar!".
"Spektri i problemeve të mundshme shëndetësore është shumë i gjerë, nga tumori në tru dhe leuçemia deri te lodhjet, dobësimi i kujtesës dhe përqendrimit, si dhe ndjenja e thjeshtë e jorehatisë", shpjegon Johansson.
"Kufijtë e rrezatimit në botë janë të pamata. Flasim për vlera që arrijnë 1 000 000 000 000 000 000 herë më të larta sesa rrezatimi natyror që trupi i njeriut është përshtatur për më shumë se 100 000 vjet, ndërsa vetëm dekadave të fundit, ne të gjithë jemi të rrethuar nga nivelet e larta të radiovalëve artificiale, duke e ditur fare mirë se ata kanë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e njeriut dhe të kafshëve", thekson shkencëtari.
Ai bën thirrje për miratim urgjent të parimeve parandaluese duke thënë se nuk pajtohet me konkluzionin e vendimit të Komisionit Evropian që lidhen me ekspozimin ndaj fushave elektromagnetike. Mjeku danez Helge Volkmann, i cili për një kohë të gjatë kundërshtoi përhapjen e përshpejtuar të Wi-Fi, pajtohet me Johanssonin.
"Industritë dhe qeveritë mbështeten në studimet e financuara nga industria e komunikimit celular, në të njëjtën kohë nuk e vënë në dukje rrezikun. Megjithatë, ka dëshmi se sinjalet e telefonave celularë mund të shkaktojë kancer", tha Volkmann. Pas shfaqjeve të shqetësimeve për shëndetin, gjithnjë e më shumë qytete në Perëndim, po përpiqen ta kufizojnë ekspozimin ndaj rrezatimit.
Sipas shkencëtarëve skandinavë, kufijtë më të ulët të rrezatimit tashmë janë diskutuar dhe propozuar në Vjenë dhe Bruksel. Franca në mars të vitit të kaluar miratoi legjislacion mbi heqjen e Wi-Fi në shkolla derisa të konstatohet se nuk është "e dëmshme për njerëzit". Që nga viti 2008, në Bibliotekën Kombëtare Franceze dhe në bibliotekat e tjera në Paris, si dhe në universitete të shumta, është ndërprerë qasja në Wi-Fi.
Në Izrael, Ministria e Arsimit ka pezulluar instalimin e wireless në mësimoret paraklasore dhe gjithashtu ka kufizuar përdorimin e njëjtë nga klasa e parë në të tretë. Mësuesit në Izrael duhet të fikin telefonët dhe ruterat Wi-Fi kur nuk përdoren. Gjermania që nga 2007 propozon përdorimin e internetit kabllor në vend të Wi-Fi. Duke bërë thirrje që Wi-Fi të hiqet në të gjithë botën, Johansson paralajmëron se "kjo do të ndikojë tek brezat e ardhshëm dhe tani është koha për të vepruar".

NASA, printim 3D të objekteve në hapësirë

 

Astronautët e NASA-s kanë prodhuar me sukses pjesën e parë të printerit 3D në hapësirë.

Bateria e gjeneratës së re, karikohet 7 herë më shpejt

 

Një grup shkencëtarësh koreanë ka arritur të përmirësojnë teknologjinë e baterive me litium që përdoren gjerësisht në aparatet celularë, por edhe në sektorë të tillë si prodhimi i avionëve apo automjeteve elektrikë.