13°C

Tiranë

"I vrenjtur"

Lageshtia: 75%

Era: 9.66 km/h

Mandatet në Tiranë, kundërpërgjigjja e Metës

Kreu i LSI-së, Ilir Meta i përgjigjet sondazhit dhe SMS-së të kryetarit të PS, Edi Rama.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se rezultati zgjedhor i kësaj partie do të jetë dyshifror. I ftuar në studion e televizionit “ABC News”, Meta i dha përgjigje në këtë mënyrë rezultatit të sondazhit që PS ka bërë për Tiranën dhe që nuk e përmend fare LSI-në. “Rezultati i LSI-së do të jetë gjithmonë dyshifror. Unë besoj se do të jetë një diferencë tepër e dukshme, rreth 200 mijë vota, ose të paktën 80 mandate për koalicionin e opozitës”, tha Meta.

Kreu i LSI-së tha dje se kryetarja e Gruas së kësaj force do të jetë deputete në Parlamentin e ardhshëm. “Klajda vërtet është sot nënkryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, vërtet është një kandidate shumë e rëndësishme për deputete dhe natyrisht që është edhe e sigurt për deputete, por ka pasur një histori jo dhe kaq të thjeshtë dhe jo dhe kaq të lehtë, sepse e kanë hequr edhe nga puna, pavarësisht nga diploma, pavarësisht nga shkolla, për arsye që nuk vareshin nga aftësia dhe nga edukimi i saj”, tha Meta gjatë një takimi me studentë shqiptarë që studiojnë jashtë vendit.

SONDAZHI

Përmes një SMS-je të shpërndarë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, militantëve të kësaj partie, pasi në të citohet se lajmi është konfidencial, thuhet se PS fiton në Tiranë 18 deputetë. “Përshëndetje! Si mbështetës i Rilindjes do të kemi një komunikim special me ty, pasi mund të bësh më shumë për fitoren falë këtij kontakti. Lajmi i fundit: Sondazhi ynë i brendshëm tregon PS-në dukshëm në avantazh ndaj PD-së. Në rang vendi kemi 78 deputetë. Në Tiranë marrim 18, PD 13 dhe FRD 1. Por, vetëm për pak vota PD na merr 1 mandat. Ndaj të luftojmë për çdo votë! Ky lajm është konfidencial. Ndaje vetëm me ata që ashtu si ti janë me zemër PS. Fitore!”, thuhet në SMS-në elektorale të shpërndarë nga Edi Rama përmes celularit.

KRYEMINISTRI

I pyetur rreth një marrëveshjeje mes tij dhe kreut socialist për postin e Kryeministrit të ardhshëm nëse e majta fiton zgjedhjet dhe ambicies së tij për Kryeministër, Meta tha se nuk ka një marrëveshje të fshehtë. “Ambicia jonë është që Shqipëria të vihet në punë sepse është në stanjacion. Ne kemi arritur një marrëveshje, e cila është marrëveshja e Shkodrës, që është e njohur për të gjithë dhe mendoj se është një marrëveshje tepër parimore dhe tregon një vizion të përbashkët për një përmirësim substancial të qeverisjes, si koncept në radhë të parë”, tha Meta.

Kreu i LSI-së nuk ka dashur të tregojë se sa dhe çfarë ministrish do të marrë LSI-ja pas zgjedhjeve, duke pasur parasysh se numri i deputetëve të saj në Kuvend do të jetë dyshifror. “Për ne është e rëndësishme që vendi të fillojë një perspektivë tjetër, një perspektivë të re. Në radhë të parë të një maxhorance të re, e cila di të krijojë një ambient bashkëpunues jo vetëm me opozitën e ardhshme, por edhe me të gjithë aktorët e tjerë. Për një qeveri më gjithëpërfshirëse, vendimet e së cilës të kenë impakte pozitive, afatgjata për të gjithë vendin. Pra, nuk është thjesht shqetësimi i raporteve për të nesërmen midis PS dhe LSI”, tha Meta.