LSI: Protesta më 27 janar kundër krimit shtetëror dhe varfërisë



LSI e mbështetet fuqimisht protestën e forcave opozitare më 27 janar dhe ka premtuar se do të jetë tërësisht e angazhuar për të sjellë më shumë sesa revoltën qytetare.
Ishte nënkryetari i LSI, Luan Rama, që bëri të njohur vendimet e mbledhjes së parë të Grupit parlamentar të LSI për vitin 2018, ku natyrisht në fokus ishte edhe protesta e parë e këtij viti:

“Në fokusin e diskutimit dhe të debatit në mbledhjen e Grupit parlamentar, - tha Rama, -  ishte i gjithë aksioni politik, axhenda jonë politike për vitin 2018 në të gjithë elementët e saj përbërës duke shprehur mbështetjen e plotë të Grupit për qëndrimin politik të LSI dhe mbështetjen po ashtu të plotë të Grupit për axhendën politike të LSI për vitin 2018.

Grupi vendosi të marrë pjesë në seancën e datës 15 janar të çeljes së sesionit të ri parlamentar të Kuvendit për të ushtruar me vendosmëri të gjitha përgjegjësitë e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri dhe përmbushur rolin tonë si forcë opozitare konstruktive e vendosur për të qënë mbrojtëse dhe zëdhënëse e interesit publik, qytetar dhe për të ridimensionuar të gjithë angazhimin, veprimin tonë politik në luftën parlamentare, në debatin, diskutimin parlamentar dhe e aletrnuar kjo me të gjitha veprimtaritë masive.

Grupi mbështeti qëndrimin e mbajtur nga Kryesia e LSI për organizimin e protestës së madhe të 27 janarit dhe është tërësisht i angazhuar për të sjellë në këtë protestë jo vetëm revoltën qytetare, por edhe shqetësimin qytetar, edhe problematikën e madhe me të cilën ballafaqohen qytetarët tanë në të gjithë vendin me qëllim që viti 2018 të jetë viti i luftës së vendosur kundër varfërisë, kundër korrupsionit, krimit shtetërore dhe papërgjegjëshmërisë shtetërore."