Taksa e pronës, më 2020 kryeqytetasit do paguajnë 50 herë më shumë



Në kryeqytet, në vitin 2015, familjarët paguan për taksën e pronës vetëm 125 mijë euro, ndërsa deri në vitin 2020 pritet që familjarët e kryeqytetit të paguajnë 6.4 milionë euro në vit, ose 50 herë më shumë…

Fatura, që qytetarët dhe bizneset do të paguajnë për taksën e pronës, do të vijë në rritje vit pas viti, si rrjedhojë e ndryshimit të formulës së llogaritjes së saj. Nga 1 prilli i vitit të ardhshëm, taksa e pronës do të llogaritet mbi bazën e vlerës, ku për familjarët do të jetë 0.05% e vlerës.

Në projektbuxhetin e vitit 2018, Ministria e Financave parashikon që të ardhurat totale nga taksa e pronës të jenë 8.1 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 54% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Ndërsa në 2019-n, kur kjo taksë do të vilet e plotë përgjatë gjithë vitit dhe kadastra do të jetë më e plotë, pritet që qytetarët dhe bizneset të paguajnë 8.7 miliardë lekë, për t’u rritur në 9.4 miliardë lekë në 2020-n, pra gati dyfishi i asaj që paguajnë sot.

Teksa dy dekadat e fundit ka pasur një zhvendosjemasive të popullsisë drejt Tiranës, barra më e lartë e taksës së pronës  do të jetë për banorët e kryeqytetit. Buxheti i Bashkisë Tiranë për vitin 2018 parashikon që të ardhurat nga taksa e pronës do të arrijnë 2.5 miliardë lekë, ose sa 31% e totalit të taksës së pronës që pritet të mblidhet në gjithë vendin.

Familjet në kryeqytet do të paguajnë nw 2018-n rreth 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. “Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 Prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Për këtë qëllim, në bashkepunim me institucionet qendrore por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-n, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017.

Edhe bizneset në Tiranë do të paguajnë 2 miliardë lekë si taksa prone, me një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar. Fatura do rëndohet sërish në 2019 dhe 2020, përkatësisht në 2.2 dhe 2.3 miliardë lekë.

Formula e re e tatimit të taksës së pronës mbi bazën e vlerë u miratua pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtare, teksa rezultoi së kjo taksë, nga e cila faturohej 0.2-0.3% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) ishte e nënmbledhur në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit. Me përllogaritjen e re pritet që të ardhurat nga kjo taksë të shkojnë në 0.5% të PBB-së, afër mesatares rajonale.

Kjo nënkupton një rritje të ndjeshme të faturës që çdo familje do të paguajë për pronën që zotëron. Në kryeqytet psh, në vitin 2015, familjarët paguan për taksën e pronës vetëm 17 milionë lekë (125 mijë euro), ndërsa deri në vitin 2020 pritet që familjarët e kryeqytetit të paguajnë 870 milionë lekë (6.4 milionë euro), ose 50 herë më shumë.