Pse Trump ka të drejtë për Jeruzalemin



Alan Dershowitz
Vendimi i Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit është një përgjigje e përsosur ndaj vendimit të verbër të marrë nga Presidenti Barack Obama për të ndryshuar politikën amerikane, kur arkitektoi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që dekretonte si “territore të pushtuara” vendet më të shenjta të hebraizmit në Jeruzalem, duke i barazuar me një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Ka qenë Presidenti Obama, ai që ka ndryshuar statuskuonë dhe e ka bërë paqen më të vështirë, duke u dhuruar palestinezëve një avantazh të madh negociues dhe duke u hequr atyre stimulin për të pranuar një kompromis paqeje.
Prej shumë kohësh, politika e jashtme amerikane i vendoste veton çdo rezolute unilaterale të Këshillit të Sigurimit që quante “të pushtuara paligjshmërisht” vendet më të shenjta të hebraizmit. Vendimi i Obamës për ta ndryshuar këtë politikë nuk u përgjigjej interesave amerikane apo të paqes. U mor vetëm për të konsumuar një hakmarrje personale kundër Kryeministrit izraelian Benjamin Netanyahu dhe prej një farë irritimi nga ana e Presidentit amerikan në largim. Në mënyrë jo të mirë, kishte edhe qëllimin që t’i lidhte duart Presidentit të sapozgjedhur Trump. Tani Trump bën gjënë e duhur kur u thotë Kombeve të Bashkuara se, Shtetet e Bashkuara e refuzojnë atë rezolutë të anshme të Këshillit të Sigurimit.
Kështu, nëse ka pasur një ndryshim të statuskuosë, përgjegjësia e këtij ndryshimi i duhet atribuar atij që i takon: Presidentit Obama, prej vendimit të tij të turpshëm për të pritur ditët e fundit e presidencës së tij për larë hesapet me Netanyahun. Presidenti Trump meriton duartrokitje pse ka rivendosur ekuilibrin në negociatat me Izraelin dhe palestinezët. Ka qenë Presidenti Obama, ai që e ka bërë paqen më të vështirë. Ka qenë Presidenti Trump, ai që e ka bërë sërish të mundshme.
Rezoluta e turpshme e Këshillit të Sigurimit deklaronte se, “çdo modifikim ndaj linjave të 4 qershorit 1967, edhe për sa i përket Jeruzalemit” nuk ka “asnjë vlefshmëri ligjore dhe përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Veç të tjerash, kjo nënkupton se vendimi i Izraelit për të ndërtuar një shesh lutjesh përpara Murit Perëndimor, vendit më të shenjtë të hebraizmit, përbën një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Rezoluta nuk kufizohej vetëm tek vendbanimet në Cisjordani, siç do të kërkonte të theksonte administrata Obama në mënyrë të gënjeshtërt. Rezoluta zbatohej m’u në zemrën e Izraelit.
Përpara 4 qershorit 1967 hebrenjve u ishte ndaluar që të luteshin në Murin Perëndimor. U pengohej edhe që të frekuentonin kampusin e Universitetit të Jeruzalmit në Malin Scopus, i themeluar në 1925 dhe i mbështetur nga Albert Ajnshtajni. Hebrenjtë nuk mund të kuroheshin në Spitalin Hadassah, gjithmonë në Malin Scopus, që kishte kuruar si hebrenj, ashtu edhe arabë, qysh nga viti 1918. Hebrenjtë nuk mund të jetonin në lagjen hebraike të Jeruzalemit, ku paraardhësit e tyre kishin ndërtuar shtëpi e sinagoga prej mijëra vjetësh. Këto ndalime në stilin judenrein u dekretuan nga Jordania, e cila i kishte kapur nëpërmjet forcës ushtarake ato zona hebraike gjatë luftës për pavarësi të Izraelit në 1948, dhe kishte pushtuar ilegalisht të gjithë Cisjordaninë që Kombet e Bashkuara ia kishin destinuar një shteti arab. Kur qeveria jordaneze pushtoi vendet historike hebraike, u shkatërruan të gjithë shenjat e hebraizmit si sinagoga, shkolla dhe varreza, me pllakat shekullore hebraike të përdorura për të veshur urinoret.
Midis 1948 e 1967, Kombet e Bashkuara nuk miratuan një rezulotë të vetme që të dënonte pushtimin jordanez dhe shkatërrimin kulturor. Kur Izraeli i mori këto zona, gjatë një lufte mbrojtëse që Jordania e kishte nisur duke bombarduar shtëpitë civile të Jeruzalemit Perëndimor dhe kur Izraeli i hapi ato zona si vende, në të cilat hebrenjtë mund të luteshin studionin, të kuroheshin dhe të banonin, Shtetet e Bashkuara morën pozicionin zyrtar se nuk i njihnin rivendikimet legjitime të Izraelit mbi Jeruzalemin hebraik. Pohuan se statusi i Jeruzalemit, përfshi zonat e sapoçliruara, do t’u bashkangjiteshin negociatave finale dhe se ndërkohë të rrinte në fuqi statuskuoja. Ky është motivi zyrtar për të cilin Shtetet e Bashkuara refuzonin të njihnin çdo pjesë të Jeruzalemit, përfshi Jeruzalemin Perëndimor, si pjesë të Izraelit. Ky është motivi për të cilin Shtetet e Bashkuara refuzonin që një qytetar amerikan i lindur në çdo pjesë të Jeruzalemit të tregonte në pashaportën e tij “Jeruzalem, Izrael” si vendlindje.
Por deri edhe kjo statuskuo ka ndryshuar me vendimin e pajustifikuar të Presidentit Obama për të mos i vënë veton rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhjetorin e kaluar. Me një të rënë të lapsit, Kombet e Bashkuara kanë vendosur se zonat hebraike të Jeruzalemit të çliruara nga pushtimi jordanez në 1967 nuk janë pjesë e Izraelit. Bile do të ishin territore të pashtuara në mënyrë të paligjshme nga Izraeli dhe çdo ndërtim në këto zona – përfshi vendet e lutjeve në Murin Perëndimor, rrugët hyrëse në Malin Scopus dhe sinagogat e rindërtuara në lagjen historike hebraike – “përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Nëse kjo është vërtet një statuskuo, atëhere pse vallë duhet ta ulin prapanicën për të negociuar? Por edhe sikur ta bënin, mund t’i përdorin këto zona hebraike për të zhvatur lëshime të paarsyeshme nga Izraeli, për të cilin këto janë “paligjshmërisht të pushtuara”, janë të shenjta dhe jo të negociueshme.
Refuzimi i Presidentit Obama për t’i vënë veton kësaj rezolute qe një stratagjemë e qëllimshme për t’u lidhur duart pasardhësve të tij dhe pasoja që ta bënte më të vështirë shtytjen e palestinezëve që ta pranonin ofertën e Izraelit për të negociuar pa parakushte. Asnjë president i ardhshëm nuk mund ta anullojë vendimin e marrë, nga momenti që një veto jo e përdorur nuk mund të vendoset në mënyrë retroaktive. Dhe një rezolutë, pasi miratohet, nuk mund të anullohet përveçse me një mazhorancë kundër dhe pa veton e asnjërit prej anëtarëve të përhershëm, midis të cilëve janë Rusia e Kina që sigurisht do t’i vendosnin veton çdo tentative për ta anulluar atë rezolutë.
Vendimi i Presidentit Trump për ta njohur zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit shërben për të rivendosur ekuilibrin e duhur. Ai demonstron se, Shtetet e Bashkuara nuk i pranojnë efektet prej judenrein të rezolutës së anshme mbi zonat historike hebraike të Jeruzalemit, që u qenë ndaluar hebrenjve. Refuzimi i mëparshëm i Shteteve të Bashkuara për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit bazohej në mënyrë eksplicite mbi idenë se nuk duhej të bëhej asgjë për ta modifikuar statuskuonë e qytetit, i shenjtë për tri besimet fetare. Por rezoluta e Këshillit të Sigurimit ka bërë pikërisht këtë: ka ndryshuar statuskuonë, duke deklaruar praninë faktike të Izraelit mbi vendet e shenjta hebraike si një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, që “Kombet e Bashkuara nuk do ta njohin”. Nga momenti që praktikisht të gjithë, në komunitetin ndërkombëtar pranojnë se çdo paqe e arsyeshme do të duhet të pranojë rivendikimet legjitime të Izraelit mbi këto zona dhe zona të tjera të Jeruzalemit, është krejtësisht e paarsyeshme që t’i lejohet rezolutës së Kombeve të Bashkuara të transformojë në “kriminel” çdo hebre apo izraelian që shkel në këto zona historikisht hebraike, të marra hebrenjve me forcë në 1948 dhe të çliruara në 1967. (Për kulm të ironisë, vetë Presidenti Obama është lutur në sheshin e Murit Perëndimor, që më pas e ka quajtur “paligjshmërisht të pushtuar”).
Pasi Kombet e Bashkuara, me nxitjen e Obamës, kanë transformuar në një krim ndërkombëtar të vazhdueshëm çdo prani izraelite në zonat e kontestuara të Jeruzalemit, përfshi zonat origjina hebraike të cilave është jashtë diskutimit, Presidenti Trump kishte të gjitha arsyet për të zgjidhur duart, duke zhbërë dëmin e shkaktuar nga paraardhësi i tij.
Disa kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të duhej ta njihnin Jeruzalemin, pasi kjo do të nxiste dhunën e terroristëve arabë. Por asnjë vendim nuk duhet të influencohet nga kërcënimi i dhunës. Terroristët nuk duhet të kenë pushtetin e vetos ndaj politikës amerikane. Sikur Shtetet e Bashkuara t’i cedonin shantazhit të dhunës, do të nxisnin të tjerë që të kërcënonin me dhumë në kundërpërgjigje të çdo plani paqeje.
Kështu, Donald Trump ka bërë gjënë e duhur, duke anulluar gjënë e gabuar që Presidenti Obama kishte bërë në fundin e presidencës së tij.

“Autori është një avokat, jurist, akademik dhe komentator politik i shquar amerikan. Këtë artikull e ka shkruar për Jerusalem Post”

Përgatiti
ARMIN TIRANA