Si i nxori armën Zaganit nënkomisari i arrestuar për drogën



Kush është Festim Lelaj

Festim Lelaj, nënkomisari i arrestuar për lidhjet me trafikantët e drogës, është njeri nga oficerët e policisë Vlorë, bashkë me oficerin S.K, të cilët nxorën armët kundër ish-shefit të antidrogës Dritan Zagani dhe oficerit të antidrogës Bledar Naçi, të Drejtorisë së Policisë Fier, sepse nuk donin të lejonin sekuestrimin e skafit që kishin bllokuar Zagani dhe Naçi. Skafi u sekuestrua forcërisht dhe më pas zyrtarët e lartë e liruan.

Festim Lelaj është arrestuar mbrëmjen për trafikimin e 2.5 ton hashash nga Shqipëria drejt Italisë. Sasia e madhe drogës është kapur në janar 2017 brenda një kamioni në Ankona. Policia asokohe mundi të kapë vetëm shoferin e kamionit.

Policia italiane kërkoi zgjerimin e hetimeve në Shqipëri, pasi kamioni kishte hyrë nga Porti i Durrësit. Prokuroria e Krimeve të Rënda të Shqipërisë përgjatë një viti hetime, ka konkretizuar me prova implikimin e nënkomisarit të policisë, Festim Lelaj.

Sipas Prokurorisë, Lelaj ka qenë pjesë e një zinxhiri policor që janë implikuar me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte njohje të afërt me shtetasin Renaldo Avduli (polic i Vlorës i shpallur në kërkim). Ka dyshime të forta thotë Prokuroria se nënkomisari Lelaj ka lidhje me grupet kriminale që kultivonin lëndën narkotike në zonën e Treblovës dhe Vezhdanishtit.

Në një vendim të Gjykatës së Lartë vërtetohet shoqëria mes dy policëve Renaldo Avduli dhe Festim Lelaj. Në këtë vendim, të datës 15 shtator 2014 thuhet se Renaldo Avduli është tentuar të vritet për hasmëri nga shtetasi Satilno Basho, por ka qenë ndërhyrja e Festim Lelaj që ka ndihmuar Avdulin.