A rrezikohet Botërori nga ISIS?



Michael Dworman
Që në fillim të kërcënimit nga Shteti Islamik (ISIS) është krijuar shqetësimi nga rreziku që përbënin luftëtarët e huaj kur të ktheheshin në vendlindjet e tyre në perëndim. Pas sulmeve të Parisit dhe Brukselit, bota ka parë se sa shumë dëme mund të shkaktojnë pikërisht këta luftëtarë që mund të qarkullojnë lirshëm në Bashkimin Europian.
Kohët e fundit grupet mediatike të lidhura me Shtetin Islamik kërcënuan se do të sulmonin eventin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili do të zhvillohet në vitin 2018 në Rusi. Përveç kësaj, Rusia është kthyer tashmë në vendin kryesor nga ku po dalin luftëtarët e rinj që shkojnë të bashkohen me luftën e Shtetit Islamik. Në këtë pikë, atë duhet të presi bota sulme terroriste gjatë kampionatit botëror të vitit të ardhshëm?
Fondacioni Mediatik Wafa që promovon Shtetin Islamik ka publikuar një sërë kërcënimesh online për sulme të mundshme terroriste gjatë kampionatit botëtor të vitit 2018. Përmes imazheve grafike, grupi terrorist kishte përdorur figura me famë botërore të futbollit si Lionel Messi, Christiano Ronaldo dhe Neymar të vendosur në pozë ekzekutimi apo të mbuluar me gjak. Teksti që shoqëronte imazhet përmbante kërcënime eksplicite për eventin e kampionatit botëror të futbollit.
Duke pasur parasysh rëndësinë botërore të eventit, turmat me kombësi të ndryshme që do të marrin pjesë dhe rëndësinë e vendit organizator në çështjet ndërkombëtare politike, nuk do të ishte aspak çudi që Shteti Islamik apo ndonjë organizatë tjetër terroriste ta shihnin kampionatin e vitit 2018 si një shënjestër joshëse. Në të njëjtën kohë me kërcënimet e Shtetit Islamik, Soufan Center, një firmë private sigurie, publikoi një raport lidhur me luftëtarët e huaj që luftojnë për Shtetin Islamik në Irak dhe Siri. Raporti tregonte qartë se, shteti kryesor nga ku buronin luftëtarët e huaj nuk ishte më Arabia Saudite apo Tunizia, por Rusia. Për më tepër, raporti thekson se mbi 400 luftëtarë rusë që kanë luftuar përkrah Shtetit Islamik, janë rikthyer në Rusi, ndërsa 800 të tjerë janë kthyer me forcë, pasi janë kapur në Turqi.
Shënjestra e profilit të lartë dhe fakti që në Rusi ka shumë luftëtarë të Shtetit Islamik të rikthyer, bëjnë që Kampionati Botëror i Futbollit të jetë vërtetë nën kërcënimin e sulmeve të mundshme terroriste. Gjasat se do të shohim një sulm terrorist në fakt janë shumë të ulta. Numri i aktorëve potencialë është më shumë mundësi më i ulët nga sa tregojnë titujt nëpër media. Edhe pse mund të jenë rikthyer në atdhe rreth 1 mijë luftëtarë potencialë apo aktivë të Shtetit Islamik, ata që janë të gatshëm të humbasin jetën për organizatën terroriste janë të paktë. Raporti i Soufan Center pranon se ka disa kategori të luftëtarëve xhihadistë të kthyer dhe këtu përfshihen ata që janë lodhur me dhunën që kanë parë atje apo janë zhgënjyer me kauzën e Shtetit Islamik.
Ata që janë kthyer në vend me urdhër të Shtetit Islamik për të zhvilluar sulme terroriste potenciale janë të paktë në numër. Në total, listat që janë zbuluar në Irak gjatë vitit 2017 sugjerojnë se mund të ketë 173 anëtarë të Shtetit Islamik të përgatitur për të kryer bombardime kamikaze, gjashtë prej të cilëve ishin europianë. Megjithatë, fati apo vendndodhja e tyre në ditët e sotme është e panjohur.
Edhe pse e kemi parë dëmin e jashtëzakonshëm që mund të shkaktojë një numër i vogël luftëtarësh besnikë, numri i kërcënimeve që duhet të gjurmojnë shërbimet e sigurisë ruse nuk janë që të shumtë nga sa imagjinohet. Natyrisht nuk duhet të nënvlerësohet kërcënimi që përbëjnë terroristët potencialë, të cilët janë radikalizuar nga Shteti Islamik. Këto aktorë janë prej kohësh prezentë në Rusi dhe mund të përpiqen të vënë nën shenjestër një event të madh ndërkombëtar si kampionati i futbollit.
Shërbimet e sigurisë ruse kanë një histori të mirë të gjurmimit të suksesshëm dhe eliminimit të kërcënimeve terroriste. Që në fillim të viteve 1990 me shpërthimin e luftës në Çeçeni, shërbimet e sigurisë kanë zhvilluar ekspertizë të jashtëzakonshme në gjurmimin e rrjeteve të rebelëve dhe aktorëve terroristë. Forcat e kundërterrorizmit raportojnë rregullisht arrestime dhe shkatërrime të planeve të Shtetit Islamik në vend. Më tej, shërbimet e sigurisë në Rusi kanë eksperiencë të mirë në mbrojtjen e eventeve të profilit të lartë. Rusia ka organizuar Lojërat Olimpike të vitit 2014 në Sochi dhe pavarësisht kërcënimeve të shumta nga organizatat terroriste përfshirë këtu edhe Shtetin Islamik, eventi u mbyll pa asnjë incident të regjistruar. Kampionati botëror i futbollit do të sjellë vështirësi më të mëdha logjistike për shkak të ndeshjeve në disa qytete të ndryshme, duke rritur kështu rrezikun. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që forcat ruse nuk janë të afta të ofrojnë një mbrojtje të mirë.
Shteti Islamik, al-Kaeda dhe organizata të tjera terroriste kërcënojnë rregullisht eventet e mëdha shumëkombëshe, megjithatë deri më sot nuk kemi parë asnjë sulm terrorist në një event të tillë. Koordinimi, kompetenca dhe motivimi i jashtëzakonshëm që nevojitet për të sulmuar një event kaq madhor e kufizon ndjeshëm numrin e kërcënimeve potenciale. Më tej, rëndësia e këtyre eventeve bën që të gjitha forcat e sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës të fokusohen aty. Edhe pse eventet sportive dhe mbledhjet publike zakonisht konsiderohen si “shënjestra të buta” (vendndodhje relativisht të dobëta dhe të pambrojtura) që ftojnë sulmet terroriste, fokusi i plotë i forcave të sigurisë në to e forcon shumë mbrojtjen. Kampionati botëror i futbollit në Rusi do të ndjekë të njëjtin trend dhe të gjithë shpresojmë se do të mbyllet pa asnjë incident.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI