Burokracia pozitive



Erl KODRA

Burokracia është një koncept në sociologji dhe shkencat politike, që i referohet mënyrës së ekzekutimit administrativ dhe zbatimit të rregullave ligjore, që shënon edhe mënyrën e organizimit të shoqërisë. Ky organizim karakterizohet nga procedurat e standardizuara, ndarja formale e përgjegjësisë , hierarkia dhe marrëdhëniet sociale jopersonale. Shembuj të burokracive të përditshme përfshijnë qeveritë, forcat e armatosura, korporatat, spitalet , gjykatat dhe shkollat. Mendimi i përgjithshëm kritik për burokracitë, tenton të përqëndrohet në pengesat dhe ndikimin negativ të saj mbi efikasitetin e administratës dhe dëmin që shkakton burokracia për të drejtat individuale. Megjithatë, të gjithë ata që punojnë në një organizatë shtetërore, parimisht ata e bëjnë atë punë për hir të të tjerëve dhe jo për nevojat e tyre personale. Ndarja e punës dhe rregullimi i qartë i përgjegjësive burokratike mbështetë funksionimin efikas të çdo institucioni shtetëror dhe social.

Ky është përkufizimi standart për burokracinë, që në kuptimin e parë të saj do të thotë "fuqia e zyrës" ose "fuqia e rregullit", ose e thënë në mënyrë më prozaike "fuqia e rregullave ligjore".
Sipas Max Weber, këto janë shtatë parimet e një organizate qeveritare:
1. Puna zyrtare zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme.
2. Puna zyrtare bëhet në pajtim të plotë me rregullat e mëposhtme:
detyrimi i secilit zyrtar për të bërë lloje të caktuara pune, kufizohet në kuptimin e kritereve jopersonale
zyrtarit i jepet autoriteti i nevojshëm për të kryer funksionet e tij të caktuara
mjetet e shtrënguese në dispozicion të tij janë të përcaktuara në mënyrë strikte dhe kushtet e përdorimit të tyre janë të përcaktuara në mënyrë qartë
3. Përgjegjësia dhe autoriteti e çdo zyrtari janë pjesë e një hierarkie vertikale autoriteti, me të drejtën e mbikëqyrjes dhe apelimit
4. Zyrtarët kanë burimet e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tyre të caktuara, por janë përgjegjës për përdorimin e këtyre burimeve
5. Puna zyrtare dhe të ardhurat nga kjo punë janë të ndara në mënyrë strikte nga puna private dhe të ardhurat nga biznesi privat
6. Zyrat nuk mund të mbahen nga zotëruesit e tyre (të jenë të trashëgueshme, të shiten, etj)
7. Puna zyrtare bëhet në bazë të dokumenteve të shkruara.

Ky lloj teksti në vetvete ngjanë "disi burokratik", por jo në rastin kur tenton të shenjosh funksionimin e Shtetit si një Organizatë Shtetërore, që shoqëria shqiptare ka ngritur në mënyrë demokratike për të qeverisur këtë vend. Për të arritur qeverisjen optimale dhe për të siguruar rendin dhe sigurinë publike, shtetasit shqiptarë kanë rënë dakort duke votuar drejtë për së drejti, ose kanë deleguar pushtetin e tyre, dhe si rezultat është miratuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si dhe një Korpus Ligjor i jashtëzakonshëm ligjesh dhe rregullash zyrtare, të detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjithë. Pikë së pari këto ligje dhe rregulla janë të detyrueshme për t'u zbatuar nga zyrtarët qeveritarë, të zgjedhur prej shtetasve shqiptarë, por edhe nga administrata publike, Agjensitë e Zbatimit të Ligjit, Gjykatat, Prokuroria dhe Policia.

Puna e organizatave qeveritare ka të bëjë e gjitha me Ligjet dhe Rregullat, punë këto, që sipas përcaktimit të Max Weber "bëhet në bazë të dokumenteve të shkruara", pra në bazë të "fuqisë zyrtare", ose ndryshe të një burokracie, që unë do ta quaja "burokracia pozitive". Për këto arsye kjo burokraci vepron vetëm me dokumenta të shkruara, me numër protokolli dokumentues, me firmë titullari dhe nëpunësi, me datë, vulë dhe sigël të institucionit. Gjithçka është e parashikuar në ligj të shënohet, të protokollohet dhe të arkivohet, të përcillet dhe përsëri të shënohet, të protokollohet dhe të arkivohet. Shteti nuk është gjë tjetër, përveçse një bashkësi ligjesh dhe rregullash të cilat duhen respektuar rreptësisht, pikë së pari nga organizata qeveritare, ose ndryshe nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, që është mandatuar si Administratori i Parë Publik i këtij vendi.

Por le të futemi në një terren konkret të qëllimit të këtij teksti, lidhur me përgjegjësinë ligjore të qeverisë shqiptare dhe personalisht të Kryeministrit Edi Rama në raport me zbatimin e ligjit në zyrat e shtetit dhe me përgjegjësitë e tij si Kryeministër i Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama gjatë ushtrimit të detyrës së lartë shtetërore nuk ka reshtur së propoganduari slloganin e famshëm "Unë po bëj shtet". Personalizimi i fortë i këtij sllogani nga Edi Rama duket se ka qenë që në krye të herës një përpjekje e tij për ta paraqitur veten e tij si një lloj qenie sipërore me cilësi të rralla që ka qëllimin e mirë, që më në fund çdo shtetas shqiptar të zbatoj ligjet e këtij vendi dhe ai, si një Zot, tashmë po vendos drejtësinë për të gjithë.

Në të vertetë, kjo qasje e tij ka qenë vetëm një farsë, një demagogji e pastër për të fshehur shkeljen e rëndë të ligjeve të Republikës nga vet ai, shkelje të cilat e ngarkojnë atë me përgjegjësi penale.

Sepse nga njëra anë kemi burgosjen masive të borxhlinjëve të energjisë elektrike, burgosje kjo në shkelje të rëndë të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, e cila parasheh se "askush nuk mund të burgoset për mospërmbushjen e një detyrimi kontraktor". (Shih Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Protokollet Shtesë). Nga ana tjetër kemi një mal me shkelje ligjore, proceduriale, administrative, dokumentare nga po kjo Qeveri dhe po ky Kryeministër, kemi me miliona euro dëme të shkaktuara nga zyrtarët e këtij shteti, Ministra, Drejtorë Drejtorie, institucione shtetërore, të dokumentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për të provuar këto fakte, mjafton të lexohen Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe kallzimet penale të njëpasnjëshme, të bëra në Prokurorinë e Përgjithshme për institucionet qeverisëse të Kryeministrit Edi Rama.

Por më kryesorja, ajo çfarë e inkriminon rëndë Kryeministrin Edi Rama është kanabizimi i krejt territorit të vendit. Është e pamundur të mendohet se kjo gjëmë kriminale me përmasa kombëtare ka ndodhur pa dijeninë, lejen dhe bashkëpunimin e zyrtarëve të këtij vendi, pa dijeninë e Drejtorëve të Policisë së Shtetit, pa dijeninë e gjithë hierarkisë zyrtare shtetërore që tek polici më i thjeshtë e deri tek Kryeministri i vendit. Përmasat masive të këtij krimi kombëtar janë konsumuar masivisht, nga mijëra e mijëra njerëz në nevojë që kanë punuar në plantacionet e drogës. Në të vërtetë, edhe në këtë rast në burgjet shqiptare gjenden të akuzuar vetëm kjo kategori, por jo organizuesit dhe protektorët real të këtij krimi shtetëror.
Shteti funksionon nëpërmjet burokracisë, asaj që unë e quajta "burokraci pozitive". Zyrtari i Shtetit e ka për detyrë të dokumentojë aktivitetin e tij ligjor, të shkruaj dokumente rutinë, të mbaj protokolle, të bëj raporte zyrtare tek eprorët në linjë vertikale deri tek Kryeministr. Nëse organizatat qeveritare dhe Agjensitë e Zbatimit të Ligjit nuk e kanë bërë këtë punë, domethënë nuk i kanë mbajtë shënimet e duhura, nuk i kanë protokolluar ato, atëherë këtu është kryer një krim mafioz.

Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka bërë Raporte periodike Zyrtare për Kryeministrin dhe Presidentin e vendit. Po ashtu, çdo punonjës i këtij Shërbimi ka mbajt shënime zyrtare që i ka raportuar rregullisht tek eprorët e tij. Këto shënime kanë lënë gjurmë në sistem, dhe kjo me sa duket më shumë ka ndodhur falë sistemit të ngritur në këtë Agjensi nga partnerët ndërkombëtar të Shqipërisë. Këto Raporte zyrtare janë prova kryesore e akuzës që duhet të ngrihet ndaj Kryeministrit Edi Rama; se ai jo vetëm që ka qenë në dijeni të plotë të faktit, por e ka lejuar që krimi masiv të ndodhë, në të gjithë territorin e vendit, për arsye të cilat vetëm ai i di, por me siguri këto arsye nuk kanë qenë në të mirë të Shqipërisë.