Emigracioni zhyt në krizë politike Gjermaninë, shkon drejt zgjedhjeve të parakoshme

Deklarata

Kancelarja Angela Merkel tha se do të preferonte zgjedhje të reja sesa të qeveriste në pakicë. Komentet e saj vijnë pas dështimit të bisedimeve për formimin e një qeverie koalicioni.

Pas takimit me Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, 63 vjeçarja Merkel tha se ishte skeptike rreth vendimit për të qeverisur në pakicë. Ajo i tha televizionit ARD: "Pikëpamja ime është se zgjedhjet e reja do të ishin rruga më e mirë".

Sipas zonjës Merkel, pengesa kryesore për një marrëveshje mes tre partnerëve ishte emigracioni.

Kriza erdhi për shkak të largimit të kreut të partisë pro-biznesit, FDP, nga bisedimet për formimin e qeverisë. Christian Lindner tha se nuk ekzistonte baza e besimit për të të krijuar një qeveri me aleancën konservatore CDU-CSU dhe me Partinë e Gjelbër.

Presidenti Steinmeier bëri thirrje për kompromis mes partive:

"Ndërtimi i një qeverie ka qenë gjithmonë një proces i vështirë kompromisesh, por mandati për të formuar një qeveri është ndoshta mandati më i lartë që votuesit i japin një partie në një demokraci", tha ai.

Ai tha se Ky është momenti kur të gjithë pjesëmarrësit duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre.”

Presidenti i Gjermanisë ka kompetencën për të thirrur zgjedhje të parakohshme, por zoti Steinmeier e bëri të qartë se kjo nuk ishte alternativa e tij e preferuar.

"Unë pres që të gjitha palët të jenë në dispozicion për bisedime për të ndërtuar një qeveri në të ardhmen e parashikueshme", tha ai.

Mbetet e paqartë nëse Kancelarja Angela Merkel do të rekomandojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në fillim të vitit të ardhshëm.

"Kjo është të paktën një ditë reflektimi të thellë se si do ecim përpara, por unë do të bëj gjithshka mundem si Kancelare kalimtare që ky vend të udhëhiqet si duhet në këto javë të vështira", tha zonja Merkel.

Prej javësh zonja Merkel po përpiqej të krijonte një koalicion të ndërlikuar midis partisë së saj Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), partisë simotër bavareze Bashkimi Kristian Social (CSU), Partisë së Lirë Demokrate (FDP) dhe Partisë së Gjelbër pas zgjedhjeve të përgjithshme në fund të shtatorit.'

"Rezulton se katër partnerët e koalicionit nuk kanë qëndrime të përbashkëta për modernizimin e vendit dhe, mbi të gjitha, ishte e pamundur të krijohej një bazë e besimit të ndërsjellë", tha kreu i FDP, Lindner.

Zonja Merkel, udhëheqësja më jetëgjatë në Evropë, po përballet me kritika nga brenda rreth qëndrimeve të mbajtura prej saj në procesin e bisedimeve.

Çështja e migracionit nuk arriti të gjente zgjidhje në këto bisedime. Për shkak se kjo është një çështje mjaft polemizuese si dhe duke patur përballë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, partitë CDU, CSU dhe FDP kanë dalë me propozime kush e kush më të forta për kontrollin e imigracionit.