Fundjavë nëntori në qytetin e mjelmave, koranit, liqenit



Korani, mjelmat dhe lulet….e pastaj vargjet lasgushiane!
Mjafton të përmendësh këto fjalë kyçe dhe kuptohet se fjala është për një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë, liqeni i Ohrit, syri, shpirti dhe jeta e Pogradecit.
I shtrirë në Juglindje të Shqipërisë, ai mbetet ndër më të veçantit. Kolori që të befason në varësi të stinës së vitit, peizazhi magjik dhe mbi të gjitha  ajri i pastër bëhen prangimi i gjith’hershëm për çdokënd që vjen në këtë qytetet sa të vjetër aq dhe modern. Loja e dritës dhe ngjyrave përgjatë liqenit të befason. Madje po të jesh i kujdesshëm edhe mund ta vësh re. Në çdo orë të ditës, liqeni i Ohrit ndërron përshfaqjen, ashtu siç thotë edhe Lasgushi “nuk ka piktor që ta futë në kornizë momentin e tij”.
I shpallur në vitin 1980, nga UNESKO, si vend i trashëgimisë të kulturës natyrore me rëndësi botërore, Liqeni i Ohrit është ndër perlat ujore më të spikatura në të katër stinët e vitit.
“Kur Pogradeci zbardhet në dimër, ai është një sy i kaltër, i gjallë që bie në kontrast bukur me bardhësinë e dëborës. Nëse kalon fundjavë apo ditë vere në Pogradec padyshim që liqeni është vendi protagonist i pushimeve të kujtdo që stacionohet në këtë qytet qoftë edhe për një fundjavë të vetme. Liqeni i Ohrit u krijua 5 milionë vjet më parë nga një shembje e tokës në pjesën perëndimore të Alpeve Dinarike. Origjina e tij njihet si tektonike fundosëse dhe vazhdon të jetë akoma aktiv. Në të gjithë botën ka vetëm pak liqene me këtë origjinë midis të cilëve më të njohurit janë liqeni Bajkal dhe Tanganika”, shkruan Radio Ejani.
Është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe sipas matjeve thellësia e tij rezulton 288 metra, por besohet të jetë akoma edhe më i thellë.
Ky liqen është një nga liqenet më të bukur në botë dhe më i bukuri i të gjithë liqeneve të gadishullit të Ballkanit.