Macron dhe Strategjia e Madhe për Fuqinë Europë



Në një diskutim të gjatë të mbajtur në Sorbonë, Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpalosur listën e tij të gjatë të dëshirave për Europën që do të vijë.
Bëhet fjalë për thënie të përgjithshme, pothuajse të privuara nga indikacione operative dhe nuk ka sesi të mos ishte ndryshe. Problem qendror është se, “Europa e Re” e Macron mund të jetë praktikisht një strukturë me shumë shpejtësi apo rrathë koncentrikë, me jo pak kritika. Por objektiv final duket se është krijimi i një megablloku gjeostrategjik, më pak policentrik se ky aktuali.
“Kam ardhur të flas për Europën. Akoma? Do të thonë disa. Do të duhet të mësohen, sepse do të vazhdoj, sepse është kjo që na jep një të ardhme”, ka debutuar Macron. Ka vazhduar pa hyrë në detaje. Nuk ka as shifra, as funksione për buxhetin e përbashkët europian, as detyra të sakta për ministrin Europian të Financave, as demarkim të kontrollit të thelluar demokratik që Parlamenti Europian duhet të zhvillojë në këtë rrethanë. Më mirë të mos trazohen gjermanët dhe opinioni publik i tyre, sidomos në funksion të menaxhimit jo të lehtë të qeverisë së katërt Merkel, me një liberal në vendin e Wolfgang Schauble.
Gjithsesi, Macron ka një pikë shumë të qartë: Bashkimi Europian duhet të “mbrohet” nga kërcënimet e jashtme të përfaqësuara nga fuqitë e mëdha ekonomike. Shkalla e konkurrencës globale detyron krijimin e kampionëve kontinentalë, duke e bërë në fakt patetik dimensionin kombëtar. Agregimi Siemens–Alstom në fushën e hekurudhave shkon pikërisht në këtë drejtim: të kundërshtojë fuqinë planetare e kinezëve të CRRC-së dhe shton, për koiçidencë, në ditën ku Shtetet e Bashkuara i japin një shuplakë një megatakse mbi avionët e Bombardier në emër dhe për llogari të Boeing, duke i sinjalizuar Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar se e ardhmja u përket hiperfuqive tregtaro – industrialo – ushtarake dhe jo vendeve të veçanta, sado smart që të jenë.
Edhe kundërshtimi i praktikave të pakapshme të “Over The Top” amerikane, që është pjesë e programit elektoral të Macron (në të cilën synohet pikërisht në taksimin e faturimit) është i realizueshëm brenda kornizës të një blloku ekonomik që ka forcë goditëse, sigurisht jo i ndjekshëm nga një vend i veçantë. Pa harruar fuqinë planetare të Antitrust-it komunitar, që e njohim nga koha e çështjes epike, Mario Monti kundër Microsoft dhe që sot Margretehe Vestager po e ringjall kundër Apple dhe Google.
Do të na duhet t’i themi lamtumirë liberalizimit të konkurrencave pakashumë të përsosura, që ekziston vetëm në librat e shkollës neoklasike, e zëvendësuar nga lufta midis megablloqeve gjeopolitike, në të cilën një sistem shtet–biznes lë të pashqetësuar oligarkët në drejtim dhe herëpashere merret dhe preokupon edhe krahun e punës, me rishpërndarje të vogla, për të shmangur revolta të rrezikshme sociale. Kështu që në Europë është fatale të tejkalohet dimensioni kombëtar, përballë këtij evolucioni të kuadrit kompetitiv global. Ka të ngjarë që edhe gjermanët e kanë të qartë konceptin, sidomos në momentin në të cilin Trump rezulton të jetë pararojë e këtij lloji dinamikash, bazuar mbi raportet e forcës dhe do ut des shpesh ekstraekonomikë.
Macron duket se synon në një lloj shfuqizimi të Komisionit Europian, duke ia reduktuar efektivat në vetëm 15 anëtare kundrejt 28 aktualë. Instancë lidhur me të cilën mund të konvergojë Gjermania, megjithëse për motive krejtësisht të ndryshme. Presidenti francez, siç është e njohur dhe e qartë qysh nga koha e fushatës elektorale, do që Franca ta rikapë Gjermaninë si performancë ekonomike, për të mundur rezistencën gjermane në rilindjen e një direktorati Paris–Berlin që të jetë i bazuar mbi themele ekonomike dhe nuk duket vetëm si tutelë anakronike politike franceze ndaj Gjermanisë. Edhe këtu, do të duhet të kuptohet nëse gjermanët do të duan të bëhen më konfidentë në skenën globale apo nëse do të tentojnë të ndjekin vetëm vizionin e tyre tregtar dhe merkantilist. Duke parë evolucionin e kuadrit gjeopolitik, vështirë se kjo rrugë e dytë do të mbesë e përshkrueshme për një kohë të gjatë.
Shumë më kontradiktor është propozimi macronian për të harmonizuar bazat e taksueshme dhe kontribuese në nivel europian. Shtetet që e bëjnë kompetivitetin fiskal (shpesh jo shumë i rreptë) levën e tyre strategjike, nuk do ta pranojnë kurrë dhe është e vështirë se mund ta pranojë edhe një qeveri gjermane si ajo që mund të shikojë dritën e diellit pas disa javësh. Veç në mos entente Macron–Merkel për të krijuar supershtetin e kampionëve kontinentalë të çojë në mposhtjen e këtyre rezistencave, me të mirat e më të këqiat. Por këtu jemi në aspektin e të parashikueshmes.
Vetë ideja e Macron për të arritur më së fundi që t’i japë jetë ushtrisë europiane, për të mos qenë të ekspozuar ndaj kapriçove të “fuqive të huaja” si Shtetet e Bashkuara nëpërmjet NATO-s shkon në drejtimin e raportit të ri midis blloqeve, përveçse prodhon një injektim të fuqishëm kërkese të agreguar në sistemin ekonomik. Këtu rezistencat do të vijnë nga vendet e Lindjes, që e shikojnë me dyshim në rritje atë që vendoset e diskutohet në pjesën perëndimore të Bashkimit Europian dhe për të cilët ombrella NATO ndaj Rusisë mbetet e padiskutueshme.
Diskutim i ngjashëm për reformën e Politikës së Përbashkët Bujqësore i përcjellë nga Macron pa kurrfarë detaji dhe që sheh, për shembull Poloninë rurale ndër përfituesit më të mëdhenj të transferimeve intrakomunitare. Krijimi i një lloj “tarife” komunitare mbi importet e energjisë ekstra Bashkim Europian, përfaqëson një formë të butë proteksionizmi dhe është edhe burim të ardhurash të shpenzueshme për projekte “sociale”, ndoshta të destinueshme për bashkëpunim ndërkombëtar, ku Europa pothuajse po e humbet Afrikën prej kinezëve. Por edhe në këtë rast, vendet e Lindjes europiane do të kundërvihen me forcë, pasi ndikimi i kostove energjetike ndaj ekonomive të tyre është shumë i madh sesa ai i ndikimit në vendet e zhvilluara të perëndimit të Bashkimit Europian.
Përmbledhtazi: Macron promovon një vizion realist të konfrontimit midis blloqeve të mëdhenj gjeoekonomikë dhe strategjikë, i destinuar që të ashpërsohet në vitet në vazhdim. Krijimi i një “Fuqie Europë” shërben për të shmangur gjendjen të shtypur midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, përveçse për të luajtur një rol aktiv, duke u futur në konfrontimin midis këtyre dy makrozonave. Nëse Macron do t’ia arrijë në ndërmarrjen e tij, do ta ketë ndryshuar thellësisht fatin e Bashkimit Europian, duke e aktualizuar me kushtet e ndryshuar të kontekstit global. Ama që ta arrijë këtë objektiv natyrisht që duhet të ketë me vete Gjermaninë, sidomos në rastin po të ishte e nevojshme (pothuajse e pashmangshme, për hir të së vërtetës) të mposhteshin rezistencat e vendeve të “vogla” në Europë. Kështu, ajo e Macron është një Grand Strategy (Strategji e Madhe) në kuptimin gjeopolitik të fjalës. Një sfidë e guximshme dhe me rrezik shumë të lartë dështimi, duke parë numrin e lojtarëve të pranishëm në Europë.
Gjithsesi, ajo që del qartë nga ky vizion (që sigurisht do të ngjallë tmerr tek ata që e lexojnë) është se vendet e veçanta do të kenë hapësira gjithnjë e më të vogla manovre dhe autonomie. Ndoshta do të mund të mbesin formalisht “autonomë”, respektivisht një kuadri aleancash ekonomike dhe politike, por realiteti do të jetë gjë krejtësisht tjetër, dje shoqërizimi i tyre me makrozonën e përkatësisë, me të mirat apo me të këqijat, do të jetë në rendin natyral të gjërave. Nuk është një lajm i mirë për Mbretërinë e Bashkuar dhe funksionet e saj prej mundësi të lirë pasBrexit. Por as lajme të mira, të themi për Zvicrën, “pavarësia” e të cilës është më shumë formale sesa substanciale, duke parë marrëveshjet bilaterale me Bashkimin Europian, fuqia e të cilave është e destinuar të rritet me kalimin e kohës.
Mirëserdhët në botën e megablloqeve.

Përgatiti
ARMIN TIRANA