PACOM para sprovës së Koresë së Veriut



Derek S. Reveron
Është qysh nga vitet ‘50 që Koreja e Veriut është në majën e listës së problemeve amerikane në Azi. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike nga vitet ‘90 e këtej për ta denuklearizuar gadishullin e ndarë dhe për t’u dhënë fund 70 viteve armiqësi midis Veriut, Jugut dhe Japonisë, mundësia e arritjes së paqes duket gjithnjë e më e pakët. Pheniani ka shkelur marrëveshje të ndryshme, duke kryer testime bërthamore, duke avancuar programin raketor balistik dhe duke kërcënuar vazhdimisht se do t’i shpallë luftë Seulit apo se do të lëshojë një sulm atomik ndaj Shteteve të Bashkuara. Në kundërpërgjigje, Uashingtoni ka forcuar aleancën me Korenë e Jugut dhe Japoninë, ka përmirësuar e rreshtuar mbrojtje antiraketore dhe ka punuar me Kinën për ta sanksionuar Phenianin. Ndërsa administrata Trump duhet akoma të marrë plotësisht masat me ushtrimin e forcës amerikane, në diskutimet strategjike lidhur me këtë dosje në vijën e parë është U.S. Pacifc Command (PACOM, komanda ushtarake interforcë amerikane përgjegjëse për pjesën më të madhe të oqeaneve). Me fjalët e Harry Harris, admiralit në drejtimin e saj, Pacom-i është i gatshëm të «luftojë qysh sonte» në rast se diplomacia dhe frikësimi do të dështonin në Gadishullin Korean.

Komandat luftarake dhe politika e jashtme
Presidentët ndryshojnë, interesat themelore amerikane jo. Këto të fundit përfshijnë: mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara kontinentale nga sulme katastrofike, mbështetje të një sistemi global të karakterizuar nga hapje të linjave të komunikimit për të lehtësuar tregtinë, promovuar sigurinë ndërkombëtare dhe penguar që fuqi armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara të dominojnë zona të rëndësishme të planetit. Sot, strategjia ushtarake kombëtare identifikon midis kërcënimeve kryesore ndaj interesave amerikane Kinën, Rusinë, Iranin, Korenë e Veriut dhe terrorizmin ndërkombëtar. Ky i fundit ka bërë një kërcim drejt majës së axhendës qysh nga 11 shtatori 2001, por katër vendet hyjnë dhe dalin nga lista prej dekadash, duke ilustruar konsistencën strategjike të Shteteve të Bashkuara. Debati mbi një luftë kundër Phenianit shërbeu qysh gjatë administratës Clinton si skenar i rëndësishëm mbi të cilin të diskutohej gjerësia e forcave të armatosura amerikane.
Një prej çelësave të kësaj vijueshmërie qëndron në rolin e drejtuesve ushtarakë brenda establishmentit të sigurisë kombëtare. Në kundërshtim nga perceptimet popullore, pushteti ushtarak amerikan nuk është i kuartieruzar në Pentagon. Përkundrazi, Sekretari i Mbrojtjes i dislokon forcat nëpërmjet 6 komandave gjeografike luftarake (PACOM, AFRICOM, EUCOM, NORTHCOM, SOUTHCOM, CENTCOM) dhe tri komandave funksionale (Special Operations, Transportation, Strategic). Komanda të tilla kanë marrë role të rëndësishme në politikën e jashtme e Shteteve të Bashkuara nëpërmje reformave të shumta legjislative, ndryshimeve në politikat dhe evolucione në përceptimet e ambientit të sigurisë. Influenca e tyre rritet gjatë tranzicioneve presidenciale. Në ndryshim nga homologët civilë në Departamentin e Shtetit, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, midis ambasadorëve nëpër botë, personeli në uniformë që drejton komandat luftarake nuk e lë postin pas ardhjes së Presidentit të ri. Këta gjeneralë dhe admiralë e ruajnë në fakt komandën dhe shërbejnë si ura të rëndësishme midis një administrate dhe tjetrës.
Ndryshe nga homologët e Pentagonit që organizojnë, stërvisin dhe pajisin ushtarakët, komandat janë përgjegjëse për planifikimin dhe ekzekutimin e të gjitha operacioneve, nga një luftë e hapur tek bashkëpunimi në siguri. Megjithëse përgatitja për një konflikt të madh është parësore, ato luajnë role të rëndësishme edhe në kohë paqeje. Duke pasur parasysh natyrën globale të politikës amerikane dhe theksin mbi reduktimin e deficitit të sigurisë, komandat ushtarake kryesore janë sa sipërmarrëse politike aq edhe luftarake që vënë në dispozicion përvojën e tyre në brendësi të burokracisë së sigurisë kombëtare. Gjeneralët dhe admiralët takohen në mënyrë konstante me ministra e krerë shtetesh të huaja dhe janë shpesh fytyra publike e Shteteve të Bashkuara gjatë krizave ndërkombëtare dhe aktiviteteve të asistencës humanitare. Oficerë të tillë dëshmojnë shpesh në Kongres dhe punojnë me ambasadorët amerikanë për të zhvilluar programe që përballojnë situata paqëndrueshmërie subkombëtare, aktorë transkombëtarë apo fuqi rajonale. Veç kësaj janë edhe përgjegjës për ushtrimin e kapaciteteve ushtarake të shteteve që kanë nënshkruar një traktat aleance me Amerikën.
Sekretari i Mbrojtjes James Mattis – vetë ai komandant luftarak në përfundim të karrierës së tij ushtarake – ka nënvizuar rëndësinë e aleatëve gjatë udhëtimit të tij të parë ndërkombëtar në Azi, duke nënvizuar sesi aleancat «i hapin rrugën paqes, duke forcuar kushtet që mundësojnë rritjen ekonomike me vende që ndajnë të njëjtin vizion dhe në ndërkohë ridimensionojnë planet ndaj kujt do të donte të sulmonte vende të tjera apo imponojë vullnetin e tij mbi aktorë më pak të fuqishëm». Një qasje e tillë nuk është përjashtuar nga kosto dhe sigurisht që ka ushqyer sloganin “America First” të lëshuar nga Trump në fushatë elektorale. Për shkak të kërkesave të aleatëve për Uashingtonin dhe të prioriteteve të politikës së jashtme amerikane për të promovuar sigurinë, komandat luftarake theksojnë nevojën e një pranie të avancuar në botë dhe të kenë ndërveprime të rregullta me aleatë dhe partnerë. Qëndrore në këtë qasje është nevoja e forcimit të kapaciteteve ushtarake të partnerëve për t’u mundësuar atyre që të përballojnë sfida lokale përpara se këto të krijojnë paqëndrueshmëri në nivel kombëtar dhe rajonal. Për Admiralin James Stavridis, që ka komanduar forcat amerikane në Hemisferën Perëndimore dhe ka qenë Komandant Suprem Aleat i NATO-s, «siguria e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e partnerëve tanë varet shumë nga kapacitetet tona për t’u mbështetur mbi një bashkëpunim të përbashkët, ndërkombëtar, interforcë dhe publik–privat, e gjitha e përforcuar nga komunikimi strategjik dhe nga mesazhet e shënjestruara».
Nëpërmjet pakteve të aleancës, shitjes së armatimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, Shtetet e Bashkuara aspirojnë që të krijojnë partnerë të vërtetë në gjendje që të marrin përsipër përballimin e kërcënimeve ndaj stabilitetit të brendshëm, për shembull terrorizmin, apo të mbrohen nga sfidantë rajonalë, si në rastin e programit raketor të Koresë së Veriut. Ja pse mbështetja ndaj shteteve më të dobët, ashtu si ndaj atyre më të zhvilluar, nëpërmjet bashkëpunimit në siguri mbetet një prioritet i sigurisë kombëtare. Qasja nuk është aspak e re, por vazhdon një traditë e konsoliduar e politikës së jashtme amerikane që synon të fuqizojë partnerët e vetëm në vend që t’ua zgjidhë problemet vetëm me përdorimin e forcës.

Azia dhe Paqësori
Shtetet e Bashkuara shihen si një fuqi e Paqësorit. 5 shtetet amerikane ndodhen në oqeanin më të madh; raportet tregtare me vendet e Azisë janë konsoliduar (Kina është partneri më i madh tregtar) dhe të thella lidhjet kulturore e sociale; ngjitja e Uashingtonit në statusin e superfuqisë është historikisht e rrënjosur në këtë anë të botës. Shtetet e Bashkuara qenë vendi i parë perëndimor që krijuan lidhje tregtare me Japoninë në 1858 dhe fitorja ndaj Spanjës në 1898 siguroi bazat në Paqësorin perëndimor si Filipinet dhe Guamin, operacion i kompletuar me aneksimin e Ishujve Hawaii dy vite më pas. Sulmi japonez kundër flotës amerikane në Pearl Harbor në 1941, lufta mizore në Paqësor që pasoi, ngërçi i konfliktit korean në 1953 dhe humbja në Vietnam në 1975 nuk e kanë shkurajuar Amerikën nga ruajtja e vëmendjes së saj ndaj Azisë. Në fakt, Uashingtoni ka ditur të krijojë një sistem aleancash hub and spoke me Australinë, Tajlandën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Filipinet.
Fillimisht të konceptuara si bastion kundër kërcënimeve të përbashkëta të komunizmit gjatë Luftës së Ftohtë, marrëdhënie të tilla kanë evoluar. Duke i sjellë trupat australiane dhe amerikane të luftojnë bashkë në Afganistan, anijet japoneze të bashkëpunojnë me U.S. Navy kundër piratëve në Oqeanin Indian dhe avionë koreanojugorë t’u bashkangjiten atyre të Aeronautikës amerikane në patrullimin e qiejve me qëllim frikësi kundër Koresë së Veriut. Rreth gjysma e ushtarakëve amerikane të dislokuar përtej oqeanit gjendet në Azi. Personeli i Mbrojtjes në Japoni me 54000 persona (rreth 15000 më shumë se në Gjermani) dhe në 25000 në Korenë e Jugut, mbi dyfishi i pranisë në Itali apo në Afganistan. Paralelisht me impenjimet e tjera në kuadër të NATO-s me Kanadanë dhe Europën, Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar 5 traktate mbrojtjeje reciproke në Azi dhe e shikojnë një sulm eventual ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut si të drejtuar kundër tyre. Duke pasur parasysh dobësitë respektivisht modernizimit ushtarak të Kinës, rivendikimeve të saj ekstraterritoriale dhe tiparin luftarak të Phenianit. Tokio dhe Seuli përfitojnë çdo vit miliarda dollarë nga forcat e armatosura amerikane. Veç kësaj, të dy qeveritë blejnë armatime made in USA, gjë që e thellon më tej marrëdhënien në fushën e mbrojtjes. Ndërthurjet janë të thella, duke arritur në nivelin taktik dhe operatitv. Për shembull, një oficer amerikan komandon njëkohësisht forcat amerikane në Kore (USFK), ato koreane në kohë lufte dhe ato të Kombeve të Bashkuara në gadishull.
PACOM-i mbikëqyr dimensionet ushtarake të aleancave. Me qendër në Ishujt Hawaii, komanda monitoron modernizimin ushtarak kinez, detyrat e Uashingtonit që burojnë nga Taiwan Relations Act dhe të paparashikuarën Kore të Veriut të armatosur me bomba bërthamore. Si Pekini, ashtu edhe Moska, janë aktive ushtarakisht në rajon dhe tërheqin vëmendjen strategjike të komanës. Gjatë dekadës së fundit, Kina ka zhvilluar armatime të projektuara specifikisht për të dekurajuar operacionet ushtarake amerikane në një zonë që Republika Popullore e percepton si të veten. Rivendikimet ekspansioniste kineze mbivendosen me ato të vendeve të tjera dhe PACOM-i e sfidon me operacione të lirisë së lundrimit për të siguruar fluksin e lirë të tregtisë. Por njëkohësisht komanda kërkon edhe mundësi për ta reduktuar sfidën reciproke me Ushtrinë Popullore Çlirimtare Kineze, duke kryer shkëmbime në nivel ushtarak dhe duke e përfshirë Marinën kineze në manovrat e saj detare çdo dy vjet “Rim of the Pacifc”. PACOM-i ka një interes të përbashkët në luftimin ndaj piraterisë dhe në dhënien e asistencës ushtarake. Komandantët luftarakë më efikasë janë ata që punojnë në kontakt të ngushtë me ambasadorët në Azi dhe me funksionarët civilë në Uashington. Duke parë sesa kohë ha përzgjedhja dhe konfirmimi i këtyre posteve, ato janë për më tepër vakant në vitin e parë të një administrate. Për pasojë, oficerët drejtues luajnë një rol të rëndësishëm në diskutimet strategjike dhe në takimet ndërkombëtare.
Në këtë 2017, Admirali Harry Harris dhe Gjenerali Vincent Brooks në krye të USFK-së janë duke mbushur një boshllëk deri kur Asistenti për Azinë i Sekretarit të Shtetit dhe ambasadori amerikan në Seul të marrin postet. Nuk krijojnë strategji të reja, por mbështesin interesin strategjik afatgjatë për të promovuar paqen në Azi. Duke parë kërcënimin e paraqitur nga Koreja e Veriut për rajonin dhe për Shtetet e Bashkuara, Pheniani kryeson në listën e çështjeve më urgjente për sigurinë kombëtare. Duke qenë ai koreanoverior një kërcënim ushtarak, vendimmarrësit në Uashington besojnë tek PACOM-i dhe USFK-ja për të dhënë spunto të rëndësishme në procesin politik. Duke u koordinuar me Sekretarin e Mbrojtjes, komandantët përpunojnë opsione për Presidentin. Vendimet lidhur me ndërhyrjet ushtarake merren shpesh gjatë një dialogu midis drejtuesve civilë që duan të dinë se çfarë është e mundur të bëhet dhe atyre ushtarake që kanë nevojë të njohin objektivat politikë dhe disponueshmërinë e resurseve përpara se të sugjerojnë alternativat.
Komandantët luftarakë sjellin veç të tjerash dije politike të dorës së parë nga fusha. Nga momenti që komandanti i PACOM-it ndërvepron me drejtuesit ushtarakë dhe krerët e shteteve në Azi, mund të t’i komunikojë preokupimet në Uashington dhe të riafirmojë politikën e jashtme amerikane. Për shembull, kur Admirali Harris ishte në Tokio në korrik, ka thënë se «po ushtrojmë energjikisht presion ekonomik dhe diplomatik për ta bindur Phenianin që ta braktisë programin e tij bërthamor. Në PACOM po bëjmë maksimumin për t’u dhënë opsioneve të preferuara diplomatike një fuqi të besueshme luftarake». Në të njëjtën mënyrë, duke punuar në rrezen e artilerisë koreanoveriore dhe duke punuar në kontakt të ngushtë me forcat e Koresë së Jugut, komandanti i USFK-ve transmeton atmosferën politike lokale që nga ana e saj ndikon mbi qëndrimin e Seulit dhe Phenianit. Për shembull, duke folur për frikësimin gjatë një konference në korrik, Gjenerali Brooks u është referuar preokupimeve lidhur me faktin që aleatët e Shteteve të Bashkuara nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje, duke thënë: «Qeveria e Koresë së Jugut investon në mënyrë të konsiderueshme në kapacitetet e saj ushtarake, duke e rritur bilancin për mbrojtjen në 2017 dhe Presidenti Moon Jae-in ka evidentuar qëllimin e tij për të shpenzuar akoma më shumë, deri në 3% të PBB-së». Një mesazh dukshëm i nënkuptuar që të sigurojë Uashingtonin se Seuli është një partner i aftë dhe jo llafe.

Opsione për Korenë e Veriut
Tensioni ekzistues prej 70 vitesh e këtej midis Koresë së Veriut e Koresë së Jugut, Japonisë e Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë asnjëherë kaq e lartë. Pheniani i bezdis vazhdimisht vende të tilla, siç e dëshmon sulmi kibernetik ndaj Sony North Amerika të vitit 2014 në tentativën për të parandaluar daljen e një parodie lidhur me Kim Jong-Un. Mbi të gjitha, preokupojnë përparimet në kampin bërthamor dhe raketor: qysh kur Kim është ngjitur në pushtet, numri total i testeve atomike është dyfishuar; ai i raketave ka kaluar kuotën 80 dhe vendi është pajisur me vektorë me rreze kontinentale. Zhvillime të tilla, të kombinuara me një forcë të konsiderueshme tokësore dhe konvencionale i kufizojnë opsionet në dispozicion të Presidentit Trump karshi atyre të paraardhësve të tij. Sfida për administratat aktuale amerikane, japoneze dhe koreanojugore është të gjejë një zgjidhje afatshkurtër që pengon luftën dhe denuklearizon gadishullin. Për shkak të kostos shkatërrimtare të një konflikti eventual, qasja parësore e Uashingtonit është që t’i besojë frikësimit dhe diplomacisë në uljen e tensioneve.
Admirali Harris ka dëshmuar para Kongresit në pranverën e 2017 se Shtetet e Bashkuara synojnë që ta «vetëdijësojnë, jo ta gjunjëzojnë» Korenë e Veriut. Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka thënë se, Uashingtoni nuk kërkon ndryshim regjimi. Vetë Tillerson dhe Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis kanë shkruar në gusht se Amerika po spostohet nga një pozicion durimi strategjik ndaj një qasjeje më aktive, që përfshin sanksione ekonomike dhe presione diplomatike. Duke qenë se Kina ndaj një kufi me Korenë e Veriut dhe i është partneri kryesor tregtar Uashingtoni ka vendosur theks të madh mbi presionet e Pekinit ndaj Kim për t’i reduktuar luftënxitjen. Në pritje që kjo të materializohet, PACOM-i ka marrë masa të ndryshme, duke e mbështetur politikën e jashtme amerikane nëpërmjet një mbështetjeje të fuqishme ushtarake.
E para, lufta antiraketore po njeh një pranverë të re. Koreanojugorët po pranojnë tani instalimin e Terminal High-Altitude Area Defense (THAAD) për të përmirësuar mbulimin prej raketave të ardhura nga Veriu. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara rreshtojnë anijet më të avancuara të luftës antiraketore në Azinë Juglindore. Japonia po ndërmerr masa të ngjashme dhe po punon në kontakt të ngushtë me amerikanët për t’i fuqizuar kapacitetet e saj të mbrojtjes antiraketore. Bashkëpunimi në këtë sektor mund të bëhet një vektor për të përmirësuar marrëdhëniet trilaterale, edhe pse duke parë rëndshmërinë e kërcënimit është e lehtë që Tokio dhe Seuli të zhvillojnë sisteme të pavarura.
E dyta, ushtarakët amerikane dhe koreanojugorë janë të gatshëm të «luftojnë qysh sonte». Provokimet e Koresë së Veriut gjatë viteve të fundit e kanë shtuar rëndësinë e manovrave të rregullta dhe të avancimit të vazhdueshëm të integrimit midis forcave të armatosura respektive. Megjithëse pjesa më e madhe e vëmendjes përqendrohet mbi raketat, Koreja e Veriut vazhdon të posedojë një prej ushtrive më të mëdha të botës, e pajisur me artileri dhe predha në gjendje që të godasin qytetin e Seulit. Aftësi të tilla konvencionale, më shumë sesa armët atomike, janë një frikësues i rëndësishëm dhe përbëjnë një mburojë për Korenë e Veriut, që mund të vazhdojë të realizojë operacione trazimi, duke u ndalur pikërisht përpara shpërthimit të një lufte në kuptimin e vërtetë të fjalës. Teste të reja raketore dhe deklarime të forta do ta rrisin tensionin, por dimri i afërt do të sigurojë në kuptimin e vërtetë të fjalës një periudhë për ftohjen e aksioneve ushtarake. Askush nuk e do luftën. Koreja e Veriut nuk synon që të rrezikojë mbiejetesën e regjimit dhe as Koreja e Jugut, as Shtetet e Bashkuara nuk synojnë që të vënë në rrezik jetët e miliona njerëzve. Në perspektivë, Pheniani mund të kërkojë një marrëveshje lidhur me tërheqjen amerikane apo mbi pushimin e manovrare, por në shkëmbim duhet të japë garanci të konsiderueshme, jo vetëm lidhur me çarmatimin. Duke parë miliardat e dollarëve që Uashingtoni dhe Seuli kanë alokuar për një shtab qendror ushtarak të madh në kryeqytetin koreanojugor, asnjëri nga të dy aktorët duket se po konsideron që të lëvizë qoftë edhe një fije në aleancën reciproke. Pavarësisht se statuskuoja nuk kënaq askënd, askush nuk do as që ta përmbysë.



“Derek S. Reveron është Profesor i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare dhe EMC Informationist Chair në US Naval War College. Është bashkëautor i “U.S. Foreign Policy and Defense Strategy” dhe Kryeredaktor i “Cyberspace and National Security”

Përgatiti
ARMIN TIRANA