Teknologjia ju vjen në ndihmë të lini duhanin



Të gjithë ata që pinë cigare (dhe ata të cilët e kanë lënë) e dinë se sa e vështirë është të heqësh dorë nga ky ves.
Për fat të mirë, teknologjia ju vjen në ndihmë me disa aplikacione që të lini duhanin.

Quanto Fumi

Aplikacioni i parë, Quanto Fumi, është një program i zhvilluar nga Ministria e Shëndetit të Italisë në bashkëpunim me Institutin e Lartë të Shëndetit.
Përdorimi i aplikacionit është shumë i thjeshtë. Mjafton që ta shkarkoni dhe më pas të bëni testin e Fagerström për të kuptuar varësinë nga duhani. Në këtë pikë, shërbimi do t’ju këshillojë një program për t’ia dalë mbanë dhe për të reduktuar në mënyrë progresive numrin e cigareve gjatë ditës.

Quit Now!

Është një aplikacion i lehtë në përdorim që ju tregon, nëpërmjet grafikëve gjithnjë të azhurnuar, kohën nga cigarja e fundit që keni pirë, numrin e cigareve që nuk keni pirë dhe sa para keni kursyer. Përveç parave të kursyera, aplikacioni ju kujton edhe përfitimet në shëndet falë treguesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Aplikacioni është i disponueshëm në Google Play Store dhe App Store.

Kwit

Kwit është një aplikacion që vepron në një tjetër mënyrë. Falë lojërave dhe sfidave përpiqet të bindë përdoruesin të mos pijë cigare për të arritur nivele të reja dhe objektiva të rinj. Ndër të tjera, aplikacioni do t’ju tregojë edhe numrin e cigareve që nuk keni pirë që nga koha kur keni lënë duhanin dhe paratë e kursyera. Ju mund t’i ndani rezultatet edhe në rrjetet sociale. Ky aplikacion mund të shkarkohet vetëm nga përdoruesit iOS.

Smokefree

Ky është një nga aplikacionet më të famshme në botë për të lënë duhanin. Gjatë rrugëtimit tuaj pa cigare, shërbimi do t’ju dërgojë grafikë me përfitimet në shëndetin tuaj dhe thënie inkurajuese. Për fat të keq ky aplikacion është zhvilluar për Mbretërinë e Bashkuar dhe llogaritja e parave të kursyera është në sterlina. Mund të shkarkohet nga përdoruesit Android dhe iOS.

My Last Cigarette

Ky është një aplikacion shumë profesional që informon përdoruesit me grafikë dhe artikuj se si ju të lini duhanin dhe përfitimet në shëndetin tuaj.
Duke futur të dhënat personale, do t’ju shfaqet se si përmirësohet shëndeti juaj. Aplikacioni është i disponueshëm në Google Play Store dhe App Store.

Tobano

Edhe Tobano ngjan me Kwit. Edhe në këtë rast, nëse nuk pimë cigare, marrim shpërblime dhe ecim përpara në lojë. Ai do t’ju shfaqë edhe statistika për paratë e kursyera dhe sa kohë ka kaluar që nga cigarja e fundit. Progresin ju mund ta ndani me miqtë tuaj në rrjetet sociale, në mënyrë që të inkurajoheni nga të afërm dhe miq. Aplikacioni është i disponueshëm vetëm në Android.