Masakra e radhës në kanionin e rrallë të Dibrës, protestojnë banorët



Shqipëria po shndërrohet në një pllakë të vërtetë betoni.
Çdo pasuri natyrore, kombëtare e madje edhe nga ato të mbrojtura nga UNESKO po shkatërrohen me firmën dhe vulën e qeverisë me qëllim favorizimin e klientëve pranë tyre.
Lejet për ndërtimin e HEC-eve në kanionin e Setës në Dibër, kanë zemëruar banorët. Ata thonë se nuk janë kundër investimit, por nuk duhet të lejohen projekte të dyshimta, që do të çojnë në shkatërrimin e kanionit më të madh dhe më të bukur në vend. Dy mijë metra mbi nivelin e detit ndodhet Seta, është kanion në Dibër dhe ndoshta nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në vend. Fillon nga lumi Drin dhe përfundon tek liqenet e Lurës. Denoncimet e banorëve janë të shumta. Ata shprehet se ndërtimi i HEC-eve në këtë zonë do të rrezikojë shkatërrimin e këtyre kanionëve, të cilët aktualisht janë një thesar natyror jo vetëm i Dibrës, por i gjithë Shqipërisë.
Faqet shkëmbore arrijnë deri në pesë qind metra lartësi. Këtu janë me qindra burime ujore dhe ujëvara. Prej tre vitesh është dhënë leja për ndërtimin e disa HEC-eve të vogla në zonë, por  banorët po kundërshtojnë fuqishëm  projektin Seta 4, i cili sipas tyre shkatërron dhe zhduk kanionin. Bëhet fjalë për një HEC, i cili do të fusë në tubacion për rreth 1,2 km gjithë sasinë e ujërave të kanionit dhe për rreth 800 metra me tunel.
Në të vërtetë banorët nuk janë kundër investimeve, por janë kundër këtij projekti i cili nuk është konsultuar me banorët e zonës ku firmat janë mbledhur nëpër kafene. Me vendim të qeverisë në vitin 2002 në këtë kanion u shpallën 2 monumente natyre të mbrojtura; shpella dhe burimi i Sopanikës dhe gryka e ngushtë e Setës.
Vitet e fundit po eksplorojnë grupe studentësh vendas dhe plot turistë të huaj , kryesisht çekë, polakë, gjermanë dhe nga Skandinavia. "ABCNews" rastisi në dy turistë gjermanë të cilët kur kuptuan se në kanion do të ndërtohej një tjetër HEC u shokuan.