A mund të qëndrojë Spanja e bashkuar?



Federiga Bindi
A mund të qëndrojë Spanja e Bashkuar? Fatkeqësisht jo. Kriza e Katalonias do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballet Europa që pas luftërave të Ballkanit dhe mund të shkaktojë fundin e Spanjës si shteti që njohim sot. Katalonia është e përçarë. Spanja është e përçarë. Fjalimi i mbretit Felipe VI ishte i papërshtatshëm. Ai duhet të kishte folur me të dyja gjuhët, pasi në fund të fundit di ta flasë rrjeshëm gjuhën katalane dhe është Princi i Barcelonës. Ai duhet të kishte bërë thirrje për dialog dhe negociata mes palëve, por vendosi të qendronte në anën e Pallatit Moncloa.
Edhe pse presidenti katalanas Carles Puigdemont është kryesisht përgjegjës për krizën, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy e ka shndërruar atë që në fillim ishte një referendum i padobishëm, i paligjshëm dhe antikushtetues, në fitore madhore të separatistëve. Pasi kanë parë fotografitë e të moshuarve katalanas të gjakosur, qytetarët që dikur e kundërshtonin idenë e përçarjes, tani e mbështesin atë.
Bashkimi Europian dhe vendet anëtare duhet t’i shtyjnë të dy palët drejt zgjidhjes së negociuar – ndoshta duke rënë dakord për një Katalonia më të decetralizuar që qëndron brenda shtetit spanjoll. Separatistët duhet të kuptojnë se Katalonia e pavarur nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Europian dhe do të humbasë pasurinë e saj. Qeveria e Madridit duhet të përballet me faktin se Spanja pa Katalonian do të humbasë peshën formale dhe informale në Bruksel. Puigdemont dhe Rajoy duhet të japin të dy dorëheqjen dhe t’ia lënë vendin një Task Force negociuese. Nëse të dy liderët qëndrojnë në pushtet, rreziku i përballjeve të dhunshme mund të përshkallëzohet. Një vdekje e vetme aksidentale mund të shkaktojë luftë.

Francisco de Borja Lasheras, kreu i zyrës së Madridit në Këshillin e Europës për Marrëdhëniet e Jashtme
Çështja nuk është vetëm tek vetqeverisja, që si bask, e mbështes. Së pari, është çështje e mazhorancës parlamentare mbi demokracitë pluraliste. Ligjet e ndarjes së rajonit nga shteti u muratuan nga blloku pro-pavarësisë në Parlamentin Katalan në një mënyrë aspak demokratike. Ky referendum, pa një fushatë pro përgjigjes “JO” ishte një plebeshit kryesisht për separatistët.
Së dyti, populizmi i ngjashëm me atë që pamë në fushatën e Brexit është përpjekur ta bëjë arsyen të heshtë dhe i ka shtypur të moderuarit, ka pasur kontroll mbi pushtetin katalanas dhe ka gjeneruar një diskurs politik urrejtjeje të ngjashëm me atë të partisë italiane të Ligës së Veriut. Së treti, është një ultimatum që do të mohonte automatikisht të drejtat e katalanasve të tjerë, për të mos përmendur ato të spanjollëve, që asnjë demokraci serioze nuk mund ta pranojë.
Autoritetet në Madrid duhet të ofrojnë një vizion real për Katalonian. Reformat kushtetuese janë mundësia më e mirë dhe rritja e autonomisë së rajonit mund të arrihet lehtë. Megjithatë, në mes të kësaj lufte informacioni, vetëm njëra palë po përpiqet të zbatojë ligjin e përbashkët. Nëse qeveria aktuale katalanase nuk tërhiqet, do të dëmtojnë shumë qëllimin e vet-qeverisjes dhe do të shkatërrojnë stabilitetin politik, veçanërisht pas dhunës së përjetuar.

Jonas Parello-Plesner, Hudson Institute
“El sueño de la razon produce monstruos,” (Kur arsyeja fle, prodhohen monstra), ka shkruar artisti i famshëm spanjoll, Goya. Sot, Spanja ka një arsyetim të fjetur dhe ecën sonambul në makthin që ka krijuar vetë. 1 tetori ishte një ditë e trishtë që e përçau shoqërinë. Megjithatë, Spanja mund të qëndrojë e bashkuar. Është një demokraci moderne, e ndriçuar dhe europiane.
Gjyshërit e mi katalanas kanë vuajtur shtypjen e diktaturës gjatë viteve 1940 përpara se të largoheshin bga Barcelona. Megjithatë Spanja e Frankons ka mbetur në të shkuarën. Katalonia ka respekt të plotë për gjuhën e saj dhe arrin t’i menaxhojë vetë të gjitha çështjet financiare që i përkasin. Megjithatë, nëse Katalonia do të shkëputej nga Spanja, do të largohej edhe nga Bashkimi Europian për të nisur një proces rianëtarësimi shumë të vështirë dhe të gjatë.
Gjërat që duhen mbajtur mend janë që referendumi katalan nuk ishte kushtetues për shkak se nuk është miratuar nga Madridi. Grupet pro-pavarësisë e miratuan referendumin përmes Parlamentit katalan, duke e injoruar opozitën. Nëse Katalonia është duke ecur vërtetë drejt pavarësisë, ky do të ishte një fillim i papërshtatshëm për një vend me traditë aq të thellë demokratike.
Për më tepër, vetëm katalanasit janë të përçarë. Rezultati i referendumit ishte kryesisht në favor të pavarësisë, por kryesisht separatistët e organizuar kanë marrë pjesë në votime. Më shumë se gjysma e katalanasve nuk morën pjesë në votime – përfshirë edhe pjesën e mbetur të familjes time. Ata janë pjesë e një mazhorance të heshtur që nuk duan detyrimisht të largohen nga Spanja, por mund të duan të largohen nga Katalonia për shkak të mungesës së opsioneve të ofruara nga politikanët lokalë.
Përdorimi i forcës kundër votuesve të pabindur ishte tërësisht i gabuar dhe i panevojshëm. Madridi duhet të kishte ruajtur moralin dhe ligjin pa shfaqur forcën. Po kështu, shpallja e pavarësisë në këtë moment do të ishte e nxituar. Si spanjollët, ashtu edhe katalanët duhet të gjejnë një rrugë të përbashkët që të vazhdojnë të ecin përpara së bashku. Le të shpresojmë që arsyeja të rizgjohet në Spanjë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI