12°C

Tiranë

"I vrenjtur"

Lageshtia: 83%

Era: 11.27 km/h

Provimi i kualifikimit, rreth 4 mijë mësues në testim

 

Rreth 4 mijë mësues në gjithë vendin i nënshtrohen testimit më 27 prill. Testi i provimit të kualifikimit të mësuesve përmban pyetje nga kurrikula e punës, sipas Ministrisë së Arsmit.

Provimi do të jetë në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet mbi dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si dhe të tjera, që përcaktohen në udhëzimin vjetor përkatës.

Pjesa e dytë, përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit përkatës. Provimet do të zhvillohen me shkrim gjatë muajit prill në të njëjtën ditë, teksa arsimtarët e rretheve duhet të vijnë në Tiranë për të dhënë këtë provim në bazë, të cilit përfitojnë edhe shtesat mbi pagë.

Mbikëqyrja dhe zhvillimi i provimeve do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie sikundër ndodh edhe me provimet e Maturës Shtetërore.

Mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, do t'i nënshtrohen provimit të kualifikimit për rritje page në mbyllje të muajit prill.

Ministria e Arsimit ka miratuar tashmë rregulloren me procedurat e reja që do të ndiqen nga të gjithë mësuesit që duan të konkurrojnë për të fituar shtesën mbi pagë për 2013-ën.

"Provimet me shkrim për shkallët e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2012-2013 do të zhvillohen, më datën 27 prill,  ora 10-12.30, në  kryeqytet, në mjedise të planifikuara nga Komisioni i Kualifikimit të Mësuesve", citohet në udhëzimin e miratuar nga MASH në mbyllje të javës së shkuar.

Ndërsa, janë shpallur programet e kualifikimit për të gjitha profilet lëndore, në të cilat detajohen temat dhe përgatitjet që mësuesit duhet të kryejnë për provimin përfundimtar të muajit prill. Këto programe gjenden të detajuara në faqen zyrtare të Institutit të Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar.

Për të marrë pjesë në këto provime, mësuesit duhet të përmbushin një sërë kushtesh, ku thelbësore është plotësimi i formularëve të aplikimit në afatet e përcaktuara.

Në bazë të kategorizimit sipas shkallëve të kualifikimit, shtesa në pagë për mësuesin që fiton shkallën e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Rregullorja e provimeve të këtij viti parashikon një sërë ndryshimesh sa i takon vlerësimeve që do të marrin mësuesit para hyrjes në provim, teksa janë shtuar edhe kategoritë që do të lejohen të aplikojnë për shkallët e kualifikimit. Në rast se, mësuesit gjatë 2012-ës, kanë ndjekur aktivitete ku janë pajisur me kredi, këto të fundit do të vlerësohen me pikë dhe do t’i ndihmojnë ata që të sigurojnë rezultat më të lartë në vlerësimin përfundimtar.