Breshëri plumbash në Tiranë, plagoset 28-vjeçari



Një i ri ka mbetur i plagosur sot në kryeqytet nga breshëritë e plumbave.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 në rrugën e Dibrës në Tiranë. Policia pohon se rreth orës 09:30, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë, në rrugën e Dibrës. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ku kanë konstatuar se është plagosur me armë zjarri shtetasi V.K., 28 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake 28–vjeçari është qëlluar nga një person i paidentifikuar i veshur me të bardha, rreth 1 e 60 i gjatë, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Shtetasi i plagosur është transportuar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale gëzhoja të qitura nga armë e llojit pistoletë.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje dalje të zonës ku ka ndodh ngjarja dhe po vazhdon krehja e territorit. Grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.