Bashkitë shpenzime vetëm për paga, Tirana rekord për rritjen e taksave



Qeveria pranon në një dokument të saj të fundit se bashkitë në vend kanë rritur shpenzimet e tyre për paga.
Referuar këtij dokumenti thuhet se ajo që mund të ketë ndodhur është ose rritja e nivelit të pagave për punonjësit aktualë ose rritja e numrit të të punësuarve në bashki. Gjithsesi kjo rritje e shpenzimeve nuk është në linjë me atë që synonte reforma territoriale. “Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime”, thuhet në dokumentin e qeverisë. Shpenzimet për personelin në tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë 4.3 miliardë lekë nga 3.5 miliardë lekë që ishin në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje me të paktën 25% në fondin që shkon për personelin justifikohet pjesërisht edhe me financimin e funksioneve të reja, por jo totalisht. Mbledhja e të ardhurave ka qenë dhe mbetet një sfidë për pushtetin vendor, i cili në shumë raste has ngërçin e mungesës së kapaciteteve. Gjithsesi duket se tremujori i parë 2017 reflekton një ecuri të mirë në zërin e të ardhurave për bashkitë, kjo në veçanti për Bashkinë e Tiranës, e cila mban edhe peshën kryesore. Në tremujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës”, thuhet në raport. Nëse nga totali i të ardhurave zhvishet efekti i Bashkisë së Tiranës të ardhurat vendore nga taksat dhe tarifat janë rritur me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë taksa e ndikimit në infrastrukturë vetëm në Bashkinë e Tiranës është 1.3 miliardë lekë ndërkohë që për të gjitha bashkitë e tjera është 400 milionë lekë në total. Tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël ka pësuar edhe rënien më drastike nga gjithë zërat e tjerë tek të ardhurat. Në tremujorin e parë 2017 kemi një rënie me 93% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Një tjetër problematikë duket se po shfaqet edhe për taksën mbi truallin. “Vlen të evidentohet se të ardhurat nga taksa mbi truallin urban e prezantuar së fundmi, janë në nivelin zero për tremujorin e parë. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet”.