Mediat italiane: Gjykata shqiptare liroi “Zotin e drogës”nga burgu



Lajmi për lirimin nga Gjykata e Durrësit e 44-vjeçarit Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge nga drejtësia italiane është pasqyruar edhe nga mediat italiane.

“Alket Hatija, i aftë për të transportuar kuintale heroinë e kokainë drejt Milanos, u arrestua pak ditë më parë në Durrës. Sipas gjykatësit, ai e kishte shlyer dënimin më parë. Me gjasë tashmë është arratisur”, shkruajnë mediat italiane.

Gjykata rrëzoi të martën kërkesën e Prokurorisë për të lënë në 40 ditë burg Hatinë, në pritje të procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë. Sipas gjykatësit, shkruajnë mediat italiane, Hatija e ka shlyer një dënim, për të njëjtin krim, në Shqipëri. “Në fakt në 2010-ën, Gjykata për Krimet e Rënda e ka dënuar me 10 vite burg, nga ku doli pas një periudhe të shkurtër, për sjellje të mirë”, theksojnë mediat fqinje më tej.

Ndonëse Prokuroria e Durrësit ka bërë rekurs në Gjykatën e Apelit, për të kundërshtuar lirimin nga burgu të Hatiajt, mediat shkruajnë se me gjasë ai tashmë është arratisur. I aftë për të dërguar kuintalë heroinë e kokainë në Milano, me ngarkesa që vinin nga Shqipëria, Hatiajt jetonte në një vilë bunker në Berat, i rrethuar nga truproje të armatosur.

Nga janari i 2003 deri në mars të 2004-ës ai transportoi plot 540 kilogramë drogë drejt Italisë.

Dënimi me 20 vite burg u dha nga Gjykata italiane prillin e vitit të shkuar. Ai u arrestua të shtunën në Durrës, ndërkohë që po vizitonte një mikun e tij.

Mediat e vendit fqinj e kanë cilësuar Alket Hatiajn si “Zotin e drogës”, apo trafikanti i “pastër”, pasi nuk e prekte lëndën narkotike që lëvizte. Mënyra sesi operonte ishte tepër e rafinuar. Fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër. Droga, e cila vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Kështu ‘malli’ nuk qëndronte për kohë të gjatë në ‘duart’ e narkotrafikantit, e pikërisht për këtë arsye nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike.

Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit kërkon arrestimin e Alket Hatiajt, i cili të martën u lirua nga Gjykata e Shkallës së Parë e këtij qyteti. Në shkresën e firmosur nga prokurori Agron Gjana, thuhet se lirimi i 44-vjeçarit nuk është i drejtë, pasi është shkelur ligji i ekstradimeve. Për këtë arsye, ai kërkon arrestimin e përkohshëm të Hatiajt deri në mbërritje të dokumentacionit nga pala italiane.