Ish-trajneri i Anglisë i telefonion Dukës: Më merr në Shqipëri, nuk më intereson rroga



Kombëtarja Shqiptare është kthyer padyshim në një objektiv të rëndësishëm për shumë trajnerë të njohur në të gjithë Europën.

Përveç interesimit të lartë të italianëve, të cilët kërkojnë të zëvendësojnë bashkëkombasin e tyre në stolin kuq e zi, ka qenë edhe një suedez që ka telefonuar kreun e FSHF-së, Armand Duka. Bëhet fjalë për trajnerin e njohur Sven-Göran Eriksson, i cili ka nisur këtë profesion që në vitin 1977.

“Nuk më intereson shumë rroga në këtë moment”, mësohet t’i ketë thënë suedezi Dukës, i cili për shumë vite ka qenë trajneri më i paguar në botë, në drejtimin e Anglisë, Mançester Sitit apo edhe klubeve kineze ku ka qëndruar së fundmi, raporton Panorama Sport.

69 vjeçari ka patur disa eksperienca me ekipet kombëtare dhe përveç Anglisë, ka drejtuar edhe Kombëtaren e Meksikës, si dhe të Bregut të Fildishtë. Ai ka qenë gjithashtu në drejtimin e Benfikës, Romës, Fiorentinës, Sampdorias, Lacios dhe Leiçesterit.

Megjithatë, pavarësisht vetëofrimit të Eriksson, Duka dhe stafi i FSHF-së nuk e konsiderojnë si zëvendësuesin e duhur të Gianni De Biasit, pasi preferojnë një trajner më të ri në moshë.