BSH: 70% e projekteve më 2017 nga qeveria Berisha



Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë e varur nga projektet e qeverisë së Sali Berishës, edhe pse ky i fundit ka katër vjet që është larguar nga pushteti.
Përfundimi del nga të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas BSH, në harkun kohor të një viti, nga tremujori i dytë 2016 deri në fund të tremujorit të parë 2017, Shqipëria ka tërhequr në total 994.3 milionë euro investime të huaja. Por 70 për qind e kësaj shifre, ose 691.3 milionë i përkasin gazsjellësit Transadriatik dhe Kaskadës së Devollit, dy projekte të kontraktuara nga qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike. Qeveria aktuale e ka trumbetuar si një nga sukseset e saj më të mëdha rritjen e Investimeve të Huaja Direkte. Por në fakt ky është sukses i qeverisë paraardhëse, ndërsa investimet e kontraktuara nga qeveria aktuale janë thuajse inekzistente. Sipas shifrave, nëse nuk do të ishte TAP dhe Kaskada e Devollit, investimet e huaja direkte në ekonominë shqiptare do të ishin vetëm 300 milionë euro në vit, një nivel i barabartë me atë të 15 viteve më parë. Dështimi i qeverisë aktuale për të thithur investime të huaja tashmë konfirmohet zyrtarisht edhe nga Banka e Shqipërisë.  Pak ditë më parë, Instituti i Statistikave deklaroi se gazsjellësi Transadriatik është burimi kryesor i rritjes ekonomike të vendit. "Aktiviteti i ndërtimit pati rritje me 14.06%, i ndikuar nga investimet publike dhe investimet private të lidhura kryesisht me projektin TAP", deklaroi drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimi. Kjo do të thotë se jo vetëm investimet e huaja, por edhe rritja ekonomike është rezultat i projekteve të qeverisë së kaluar, ndërkohë që qeveria aktuale vetëm bën propagandën.