Çfarë rrezikon Gjermania?



- Teutonët përbëjnë etninë e parë të Shteteve të Bashkuara. Pse Uashingtoni nuk ka qenë kurrë progjerman? Siç u ka ndodhur edhe emigrantëve të tjerë që në shekuj kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara, gjermanët kanë ardhur në botën e re me objektivin e ndërprerjes së çdo lidhjeje me atdheun e tyre, për ta mbyllur përfundimisht me të kaluarën. Në shumë raste arratiseshin nga vendi i origjinës. Ndarja e kërkuar apo e detyruar i ka penguar që të veproni në favor të Gjermanisë dhe të shteteve të tjera gjermanike të prejardhjes (Austri, Zvicër, Prusi, Bavari). Veç të tjerash, në vend që të ndërtonin një monolit, gjermano–amerikanët qenë shumë të ndryshëm midis tyre për nga gjuha, besimi fetar, prejardhja sociale. Në fakt ishte e pamundur që bavarezë, saksonë, turingasm prusianë, katolikë, luteranë, konservatorë, socialistë të mund të mblidheshin në një trup unik, në gjendje që të influenconte politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, ishte e pashmangshme që të asimiloheshin, që të bëheshin pjesë përbërëse e popullit amerikan. Saktësisht ajo që ka ndodhur.

- E megjithatë për shumë kohë ka ekzistuar frika se mos gjermanët mbeteshin të huaj nga shoqëria amerikane. Kur ka ndodhur përfundimisht asimilimi?
Pikat e kthesës kanë qenë dy luftërat botërore. Të dërguar në front për të luftuar më parë perandoritë e Boshtit dhe më pas Rajhun e Tretë, gjermano–amerikanët kuptuan papritmas se nuk qenë më gjermanë. Atëherë zgjodhën Amerikën, duke e mohuar atdheun e origjinës së tyre. Aq sa si në Luftën e Parë, ashtu edhe në të Dytën, në krye të trupave amerikane u vendosën komandantë me origjinë gjermane, të tillë si John Pershing, Chester Nimitz, Carl Spaatz dhe Presidenti i ardhshëm Dwight Eisenhower. Një zgjedhje që përfshiu dhe bëri të përgjegjshëm Deutschamerikaner-ët. Pse jo edhe demonstrimi i prekshëm sesi vetë historia po përshpejtonte një proces tashmë në veprim.

- Përtej gjeografisë, cili ka qenë kontributi kryesor gjerman për kulturën amerikane?
Vetëdija se ishte e nevojshme për t’u pajisur me një klasë drejtuese të nivelit të lartë, e përbërë nga shërbëtorë të shtetit. Burokracia në kuptimin më të lartë të termit, kategori atëherë e panjohur në Shtetet e Bashkuara. Një koncept i përpunuar fillimisht nga Georg Wilhelm Friedrich Hegel, i përhapur në botën e re nga emigrantët gjermanë dhe i përqafuar nga amerikanët si funksional me makinën federale. Akoma në kuadrin filozofik, në vitet gjashtëdhjetë të nëntëqindës qe e ashtuquajtura Shkollë e Frankfurtit që rriti të majtën amerikane të markës progresiste, e ngjitur në qendër të skenës gjatë manifestimeve kundër luftës në Vietnam. Një e majtë dukshëm më radikale sesa ajo autoktone. Për një qëllim të tillë rezultoi thelbësore vepra e Herbert Marcuse, filozof berlinas i emigruar në Shtetet e Bashkuara në vitet tridhjetë dhe i bërë shumë i njohur gjatë periudhës së tij të mësimdhënies në Harvard.

- Henry Kissinger është padyshim ndër gjermanët më influentë të Amerikës. Çfarë opinion keni për të?
Kissinger ka qenë një takticien i jashtëzakonshëm. Sigurisht që do të hyjë në histori hapja e realizuar ndaj Republikës Popullore të Kinës dhe manovra me të cilën arriti që t’i zhvasë Egjiptin frontit sovjetik. Por nuk ka qenë strateg i madh, pasi nënvlerësonte instrumentin ushtarak. Për Kissinger vlente pothuajse ekskluzivisht diplomacia, negociata. Një qasje që në atë kohë rezultoi efikase, pasi pas humbjes së pësuar në Vietnam Amerika perceptohej si në mbrojtje. Por një fuqi e madhe duhet të dijë të hidhet në sulm dhe ta bëjë luftën nëse është e nevojshme. Nuk mjafton të kuptohen dinamikat e marrëdhënieve ndërkombëtare nëse nuk je i gatshëm që t’i trondisësh ato. Kissinger ishte impenjuar në ruajtjen e forcës në vend që ta rriste atë. Për këtë arsye ka siguruar vetëm suksese taktike dhe nuk ka çuar në rënien e Bashkimit Sovjetik.

- Gjatë gjithë historisë, Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar shumë shpesh ushtarakisht ambiciet gjeopolitike të Gjermanisë. Çfarë e bën Berlinin kaq të rrezikshëm?
Fakti i vetëm që Gjermania posedon dimension të konsiderueshëm në vendin e gabuar. Problem nuk është Berlini, sesa nevoja e pashmangshme për Uashingtonin që të pengojë çdo forcë të dominojë kontinentin euraziatik, pasi një gjë e tillë do t’i kërcënonte kontrollin e rrugëve detare, nënshtresë e dominimit global. Gjatë dekadave, gjeografia, demografia dhe teknologjia i kanë mundësuar Berlinit që të marrë rolin e hegjemonit potencial europian, duke shkaktuar kështu reagimin e përpiktë të Uashingtonit. Por rezultati ka qenë i njëjti kur në vend të Gjermanisë është gjetur Bashkimi Sovjetik. Amerika nuk ka as interes special, as ndonjë gjë ndaj Gjermanisë, kufizohet që të zbatojë me vendosmëri premistat strategjike të saj dhe do të bëjë të njëjtën gjë në të ardhmen.

- Bëhet fjalë për një objektiv të ndjekur në mënyrë shkencore sa nga klasa politike, aq edhe nga agjencitë federale?
Urgjencat me natyrë strategjike u imponohen spontanisht politikanëve dhe apareteve, thjesht për inerci. Të vendosur në një kontekst të caktuar, qeniet njerëzore veprojnë sa më mirë që munden për të mbrojtur vetveten. E njëjta gjë vlen edhe për shtetet kombëtare. Kjo shpjegon se pse politikanët janë saktësisht të detyruar që të hedhin poshtë premtimet e bëra në fushatë elektorale apo pse burokratët konsiderohen llogaritës të pamëshirshëm. Siç e dimë mirë, “Kukuvajka e Minervës” e nis fluturimin e saj në perëndim të diellit. Ajo që ndodh është shpesh e lexueshme vetëm ex post.

- Pse në përfundim të Luftës së Ftohtë Shtetet e Bashkuara e favorizuan ribashkimin gjerman?
Për dy arsye të thjeshta. Administrata Bush ishte e vetëdijshme se ribashkimi ishte i pashmangshëm dhe se çfarëdo tentative amerikane për ta shmangur do të rezultonte e kotë, në mos kundërprodhuese. Me pak fjalë: nuk do të kishte qenë e urtë t’i kundërviheshe rrjedhës së historisë. Veç kësaj, aparatet federale menduan se një Gjermani e bashkuar do të kishte qenë më e dobishme për interesat e superfuqisë, pasi do të pengonte synimet ekspansioniste të Rusisë, të Francës apo të Mbretërisë së Bashkuar (që jo rastësisht qenë kundër shkrirjes së Bonit me Berlinin). Edhe atëherë, në vend që të arsyetohej në raport me vendet e veçanta, Shtetet e Bashkuara zbatuan në kontekstin europian strategjinë që adoptojnë në çdo skakierë të rëndësishme: kërkimin e një ekuilibri asetual të forcës. Qasja klasike e Mbretërisë së Bashkuar, e ripërshtatur me nevojat amerikane dhe e përdorur edhe kundër vetë Londrës.

- Çfarë momenti jeton sot Gjermania?
Një moment shumë kritik. Gjatë viteve të fundit, Berlini ka krijuar marrëdhënie ekonomike të jashtëzakonshme dhe rezistenca po aq të jashtëzakonshme politike. Elitat e vendeve të huaja përfitojnë nga shkëmbimet që kryejnë me Gjermaninë, ndërsa klasat e mesme–të ulëta janë dëmtuar. Nga këtu lindja e lëvizjeve proteksioniste dhe antigjermane, të kalëruara në nivel kombëtar nga njerëz të rinj apo të instrumentalizuar nga eksponentë të vegjël të klasës drejtuese. Por Berlini nuk duket në gjendje ta tejkalojë një impakt të tillë, ta ndryshojë forcën ekonomike të tij në rentë gjeopolitike. Përkundrazi, u tërhiqet me dyshim këtyre fenomeneve. E konsideron të mjaftueshëm ruajtjen e shkëmbimeve tregtare: tregohet i paditur për masën e vet. Një mospërputhje e tillë rrezikon që t’i përcaktojë fatin.

- Pse Gjermania nuk di të shndërrohet në perandorinë që rishpërndan pasuri, që krijon varësi midis vetvetes dhe anëtarëve të sistemit?
Për të njëjtën arsye sipas së cilës asnjë vend europian nuk është në gjendje të asimilojë emigrantët. Në Gjermani, ashtu si në pjesën tjetër të kontinentit, kombi është pazgjidhshmërisht i lidhur me historinë, me kulturën, me gjuhën e një populli të caktuar. Nuk është një ide që mund ta përqafojë edhe një i huaj, shtetësia praktike nuk mund t’i akordohet cilitdo. Asnjë vend europian nuk gjendet i prekur nga një funksion universal, me detyrën që të rregullojë sistemin. Pastaj, Gjermania është një vend tmerrësisht i brishtë, pasi eksporton pothuajse 50% të PBB-së së saj pa kontrolluar rrugët detare dhe nuk posedon barriera orografike, përveçse në frontin jugor. Një dobësi e tillë i ka bindur gjermanët për nevojën e përqendrimit vetëm mbi mbijetesën në kuptimin më të ngushtë, pa menduar për pjesën tjetër. Duke vënë kështu në lëvizje një mekanizëm pervers që shpesh e shtyn Berlinin që ta komplikojë më tej jetën.

- Përshtypja është se midis të qenit perandori dhe kthimit në një vend konvencional, Gjermania ka zgjedhur që ta formalizojë sferën e saj të influencës në zemër të kontinentit. Është kjo që po ndodh?
I varur nga eksporti dhe që synon që të shmangë lindjen e poleve industriale në vendet limitrofe, objektivi i Berlinit është të ruajë në tërësinë e saj zonën europiane të shkëmbimit, mundësisht duke e pajisur me monedhën e tij. Integrimi politik – një ide amerikane – ka vlerë dytësore, në mos anësore. Për këtë arsye, Republika Federale nuk synon realisht ta përzërë nga euroja Greqinë apo Italinë; për të njëjtën arsye është e preokupuar nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i përbashkët. Në të ardhmen e afërt Gjermania do ta pranonte një reduktim të hapësirës tregtare të përbashkët vetëm nëse do të detyrohet apo prej braktisjes së shteteve të tjera anëtare. Në një rast të tillë do të mblidhet në sferën e saj të influencës. Një mundësi konkrete – megjithëse prej vullnetit të të tjerëve – pasi Bashkimi Europian është në limitet e kolapsit. E pamundur ta imagjinosh për një kohë të gjatë në këtë formë atë zonë të shkëmbimit të lirë të ndërthurur me interesat gjermane.

- Do ta konsideronin të rrezikshme Shtetet e Bashkuara një hapësirë gjermane të përqendruar mbi Mitteleuropën, përfshi pjesë të Skandinavisë?
Shumë do të varej nga aftësia gjermane për të shkuar përtej limiteve të veta, për të ndërtuar përreth fuqisë ekonomike një entitet korrespondues gjeopolitik. Nëse një gjë e tillë do të verifikohej, përballë mundësisë të një gjysmëhegjemoni të vendosur në kontinentin europian, si gjithmonë Shtetet e Bashkuara do të reagonin për ta përmbysur situatën. Por për momentin nuk i nuhaten shenja. Për të mbijetuar, Berlinit nuk i mjafton Bashkimi Europian në depresion, le më pastaj një rajon me sipërfaqe dhe popullsi më të vogla. As nuk perceptohet një vendosmëri gjermane për të ndërtuar një komb të plotësuar, në gjendje që të ndjekë interesat e veta në çdo përmasë të forcës.

- Megjithatë, prej vitesh raportet bilaterale janë mjaft të tendosura.
Marrëdhëniet janë të komplikuara nga vullneti i Uashingtonit për ta reduktuar deficitin tregtar të tij dhe detyruar Berlinin që të investojë më shumë në sigurinë e tij. Në të ardhmen, përplasja mund të ashpërsohet, por për momentin nuk bëhet fjalë për çështje përcaktuese. Përtej disa deklarimeve të improvizuara nga ana e disa politikanëve gjermanë, Gjermania është akoma kundër pajisjes me instrumentin ushtarak, deri më tani ngurruese që t’i rrisë relativisht shpenzimet për mbrojtjen.

- A do të duhet të presim një rritje apo një reduktim të pranisë ushtarake amerikane në kontinent?
Shtetet e Bashkuara do të donin ta reduktonin impenjimin e drejtpërdrejtë, si në terma të instalimeve, ashtu dhe të efektivave, për t’ua “tenderuar” frenimin e Rusisë vendeve të Europës Lindore, Polonisë e Rumanisë mbi të gjitha. Duke rezervuar të drejtën e ndërhyrjes vetëm në rast lufte të hapur. Përveçse të shpresohet një përfshirje më e madhe e shteteve anëtare të NATO-s në luftërat në Lindje të Mesme, duke filluar nga ajo kundër Shtetit Islamik. Fazën aktuale mund ta përshkruajmë me një paradoks: amerikanët do të donin që më së fundi europianët të merrnin pjesë në Aleancën Atlantike. Por janë pikërisht shtetet anëtare që e kërkojnë me zë të lartë të ruhet prania jonë në kontinent, në mos deri edhe ta rrisim. Jo vetëm qeveritë e ardhura së fundmi, por deri edhe Berlini, pavarësisht çdo nuance sovraniste.

- A është e mundshme në këtë fazë një konvergjencë interesash midis Gjermanisë dhe Rusisë, domethënë anathema klasike e strategjisë amerikane?
Sigurisht që është një skenar i mundshëm, por jo probabël. Sot Moska dhe Berlini nuk duken realisht të përputhshëm. Gjermania ka nevojë për një subjekt në gjendje që ta mbrojë, por Rusia është një vend në vështirësi të madhe ekonomike dhe gjeopolitike, e impenjuar që të tregohet më e fuqishme nga sa është. Tri vite më parë ka humbur Ukrainën dhe nuk arritur as ta sigurojë në ndonjë mënyrë, as që të nxisë një rebelim real në rajonin lindor të vendit. Bile Kievi ka vazhduar të afrohet me Perëndimin, moskokëçarës për kërcënimet e Kremlinit. Anasjelltas, Moska ka nevojë të madhe për likuiditet, por financa dhe industria gjermane nuk i besojnë investimit në vend, prej paqëndrueshmërisë endemike të brendshme dhe prej mungesës së një shteti efektiv të së drejtës në garanci të kapitalit të tyre. Në ndryshim nga disa dekada më parë, nuk arrij të imagjinoj një skenar në të cilin Gjermania dhe Rusia të veprojnë në unison. Sidomos në kurriz të Shteteve të Bashkuara.

- Si do të evoluojë përplasja midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara?
Shumë do të varet nga qëndrimi i Berlinit. Në vitet e ardhshme ekonomia gjermane do të kalojë momente shumë të vështira. Duke filluar nga viti 2008, Gjermania ka arritur që t’i shmanget rënies ekonomike të Bashkimit Europian falë rritjes së eksporteve në drejtim të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, por Republika Popullore e Kinës është tronditur nga një krizë akute strukturore dhe brenda disa vjetësh Amerika do të përjetojë një recesion konjuktural. Zvogëlimi bashkëkohor i aftësisë blerëse të dy vendeve do ta godasë rëndë ekonominë gjermane. Me efekte të paparashikueshme dhe potencialisht dramatike për kontinentin europian. Më shumë sesa të mendojë për një sferë të tij të influencës, Berlini do të jetë i detyruar që të përqendrohet në mbijetesën e modelit të vet të zhvillimit. Atëherë Shtetet e Bashkuara mund ta braktisin ofensivën. Prej rrëzimit të kundërshtarit.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA