22 miliardë lekë transferohen jashtë vendit



Aktivet e sistemit bankar kanë shënuar rënie në tre muajt e parë të këtij viti, duke sinjalizuar për një ngadalësim të sistemit, ndërsa bankat janë treguar të kujdesshme, duke i vendosur paratë jashtë vendit, në mungesë të kreditimit të ekonomisë dhe rënies së kërkesës së qeverisë për blerjen e letrave me vlerë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.4 trilionë lekë në fund të tremujorit të parë të 2017, duke shënuar një rënie prej 2.8%, në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Kjo rënie vjen pas disa tremujorëve radhazi me rritje të shpejtë.
Paratë që mbledhin nga depozituesit, bankat i investojnë në dhënien e kredisë për biznesin dhe individët, blejnë letra me vlerë të qeverisë apo i vendosin në institucionet e huaja financiare, ose pranë Bankës së Shqipërisë.
Rënia e aktiveve në tremujorin e parë të vitit ka ardhur për dy arsyje: së pari, si rrjedhojë e uljes së veprimeve me Bankën e Shqipërisë (-13 miliardë lekë) dhe së dyti, bankat kanë ulur investimet në blerjet e letrave me vlerë të qeverisë (edhe ky zë është ulur me 13 miliardë lekë). Në muajt e parë të këtij viti, buxheti i shtetit ka rezultuar me suficit, çka ka bërë që kërkesa për borxh nga financat të jetë më e ulët. Kjo është reflektuar dhe në uljen e yield-it, (interesave) të bonove, të cilat u rritën me shpejtësi në fund të vitit të kaluar dhe në janar, në gati 3% për bonot 12-mujore, për të zbritur në rreth 2% aktualisht.
Teksa kanë ulur vendosjet në Bankën Qendrore dhe në blerjen e letrave me vlerë, bankat i janë rikthyer investimeve në institucionet financiare jashtë vendit, ndonëse interesat në bankat e huaja janë tepër të ulëta, ose dhe negative. Ky zë është rritur sërish me 22 miliardë lekë në tremujorin e parë 2016, pas një rënieje të fortë që kishte shënuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Ndërsa veprimet me klientët (huaja për bizneset dhe individët) kanë shënuar një rritje fare të lehtë, me vetëm 616 milionë lekë, duke sinjalizuar se kredia për ekonominë vijon të mbetet në ngërç. Ky zë tregon ecurinë neto të kredisë, duke përjashtuar efektin e fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave.