Rudin Sata, tenori që këndon himnin kombëtar tek “Çadra e Lirisë”



Intervista

Rudin Sata është një nga tenorët e njohur të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Prej më shumë se tre javësh, Sata i është bashkuar Çadrës së Lirisë dhe për çdo mëngjes këndon himnin e flamurit tonë kombëtar, duke u bërë një nga zërat më të dashur për të gjithë. Në një intervistë për gazetën “Rilindja Demokratike”, Sata thotë se, 81 ditët tek Çadra e Lirisë janë ditët më të bukura të jetës.

Rudin Sata është diplomuar për kanto në Akademinë e Arteve nga viti ‘92-‘96. Më vonë u bë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit si solist i Operas. Në karrierën artistike ka mbi 10 role të para dhe koncerte recitale. Në vitin 2005 u diplomua nga Bashkimi Europian në “Gaude Polonia” në Varshavë. Pedagog kantoje ka patur Primo Tenorin e Polonisë, Krystov Bednarek. Pas diplomimit në Poloni është kthyer përsëri në Teatrin e Operas dhe krahas karrierës artistike bënte edhe rolin e këshilltarit Artistik të Teatrit të Operas.

-A mund të na thoni, pse iu bashkove Çadrës së Lirisë?

Ju bashkova Çadrës së Lirisë, sepse pashë që ishte e vetmja mënyrë që shqiptarëve t’u kthehej shpresa për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Unë jam njëri nga ata që jam përballur direkt me agresivitetin dhe brutalitetin e Edi Ramës ndaj artistëve.

Ajo çfarë u bëri Rama artistëve për çështjen e kontratave ishte një "miniaturë" e atij plani ogurzi që kishte ai për artin dhe kulturën, por edhe për shoqërinë tonë...!!! Ai ishte në fillesat e instalimit të diktaturës. Dhe tani aktualisht jemi në 100% të një diktature moderne, sepse po të analizojmë me kujdes dhe përgjegjshmëri të lartë do të kuptojmë se forma dhe mënyra, apo stili dhe metoda se si ai implementoi Reformat...një ndër to dhe Vettingun është tipike diktatoriale. Dhe këtu dua të përmend një thënie të Thomas Jefferson, i cili shkruante: “Kur një popull i "trembet" qeverisë së tij, aty ka tirani, dhe kur një qeveri i "trembet" popullit të vet, aty ka demokraci”. Për fat të keq është kjo e dyta...! Unë iu bashkova Çadrës së Lirisë, pasi ajo u shndërrua në një "urragan" dhe u bë një "makth" për Edvin Ramën, sepse kësaj qeverie i mungon morali dhe arsyeja. “Dhe kur këto të dyja mungojnë, atëherë populli duhet të kalojë në mosbindje civile”, thoshte Frojdi...!

Unë u bëra pjesë e Çadrës së Lirisë, sepse aty "lindi" dhe u hodhën themelet e Republikës së Re dhe po rrëzohet Republika e vjetër! Fjalimet dhe mesazhet e zotit Basha ishin energji dhe adrenalinë për mbarë shoqërinë tonë dhe kuptuam se jeta jonë nuk është me "të shtyrë", por me "projekt" vizion dhe largpamësi. Komplet e kundërta është me Edi Ramën, i cili ka gjetur si mënyrë vetëm demagogji, mashtrim, retorikë boshe, populizëm etj. Rama e bëri shtetin tonë me horra e kriminelë, ku krimi i organizuar ka kapur majat më të larta të shtetit! Ai i ka bërë kombit dhe shoqërisë tonë aq shumë të këqia sa që as vetë djalli nuk do mund t’i bënte dot.

farë sulmesh ndërmori Rama ndaj artistëve?

Në vitin 2013, me ardhjen “Rilindjes” në pushtet unë dhe të gjithë artistët u përballëm me një sulm, me një agresivitet të paparë ndonjëherë ndaj njerëzve të artit dhe kulturës. Jo vetëm unë, por të gjithë artistët e Teatrit të Operas i detyruan të firmosnin kontratata individuale, e cila ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore, Kodin e Punës, etj. Aty unë kuptova që primare nuk është më profesioni, por identiteti i artistit dhe demokracia funksionale, të cilat u shkallmuan vërtetë nga autokratët që u caktuan për të drejtuar Operan, por arkitekti i kësaj pseudoreforme ishte Edi Rama, i cili realizoi më në fund ëndrrën e tij të parealizuar kur ishte ministër i Kulturës.

Për rreth 6 muaj, artistët u përballën me këtë qeveri për të mos i firmosur këto kontrata, por Edi Rama, duke parë që iu dogjën të gjitha kartat ligjore arriti deri aty sa i kërcënoi artistët: O firmosni kontratat ose rrogat nuk iu kalojnë. Dhe kjo ishte një nga momentet më të zeza si për artistin ashtu edhe për institucionin e Kulturës.

-Çfarë qëllimi kishte Rama me kontratën kolektive ndaj artistëve?

Qëllimi kryesor i kësaj pseudoreforme që krahas shkeljeve ligjore ishte që të dhunonin, të depersonalizonin dhe të denatyronin artistin, sepse kryeministri aktual e di fort mirë që artisti lind dhe vdes me fjalën e lirë. Sot, artistët si kurrë ndonjëherë në jetën e tyre nuk ndjehen më artista, por ndjehen as më shumë e sa më pak të futur si në kampet e përqendrimit, si në Aushvicin famëkeq ku mjafton vetëm t’iu them vetëm një fakt që në mes të seancës dhe provave artistike ndalohet prova dhe futet juristja, e cila në shkelje të etikës profesionale, institucionale u bën apel artistëve.

Një tjetër fakt, i cili vërteton katërcipërisht akuzën time ndaj ministres Kumbaro se e ka shndërruar institucionin e Artit dhe të Kulturës në një shtojcë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është neni 22 në rregulloren e brendshme të hartuar dhe miratuar nga Ministria e Kulturës, e cila nuk u lejon artistëve kontaktin me mediat, pra a kemi të bëjmë këtu me një diktaturë? A e shndërron ky nen këtë institucion të Shërbimit Informativ Kombëtar?

Më lejoni t’iu kujtoj edhe një histori tjetër paçka se është personale, ajo tregon qartë stilin dhe metodën tipike neodiktatoriale që ka kjo qeveri. Unë thirrem në zyrën juridike në 2014 dhe në prezencë të drejtoreshës artistike, e cila më komunikoi masën disiplinore pushim nga puna me argumentin, pse unë kisha shkruar në profilin tim në Facebook se, “Ministrja e Kulturës është ministrja më e paaftë dhe se stafi drejtues i Teatrit të Operas është shndërruar në skllavopronarë të artistëve”. Ato nuk ia arritën qëllimit për të më pushuar nga puna, pasi unë kërkova prezencën e avokatit tim.

Për fat të keq, sot jemi në vitin 2017 dhe gjendemi në Çadrën e Lirisë. Pra, çështja kaloi nga një çështje e një komuniteti në një çështje mbarë kombëtare, ku sot shikojmë që gjithë populli është vendosur në një front kundër klikës diktatoriale të Edi Ramës, i cili për moto të tij ka: Gënjej, gënjej, gënjej, burg, burg, burg. Dhe ku kauza jonë ka të bëjë me lirinë e votës dhe zgjedhje të lira e demokratike.

-Si ju kanë pritur në Çadrën e Lirisë?

Unë jam shumë i privilegjuar që në Çadrën e Lirisë, unë këndoj mëngjes për mëngjes himnin e flamurit tonë kombëtar, një procedurë kjo e cila tregon se protesta nuk është një çështje partiake, por një çështje mbarëkombëtare.

Di të them, që këto plot 81 ditë janë ditët më të bukura të jetës sime, sepse shikoj dhe qëndroj logjikës që vetëm popujt me kulturtë dinë të protestojnë dhe këtë, Çadra e Lirisë e ka treguar më së miri se ne jemi me të vërtetë një popull me kulturë dhe integritet kombëtar.

Gjej rastin të falenderoj dhe i jam mirënjohës Kryetarit të PD, zotit Basha, i cili me stafin e tij ideoi dhe e vendosi procedurën e ngritjes së Flamurit Kombëtar! Sinqerisht kënaqem kur të njohur e të panjohur tashmë, kur unë hyj në Çadrën e Lirisë më thërrasin “Tenori i Lirisë”, dhe kjo mua më nderon dhe më emocionon pa masë!!!

Në mbyllje, uroj që kjo kauzë t’ia arrij qëllimit të saj për votën e lirë, të ndershme dhe të barabartë. I bëj apel të gjithë popullit shqiptar që të protestojmë fuqishëm me kulturë e paqe më 13 maj në Bulevardin e “Dëshmorëve të Kombit”.

Bisedoi:

Rexhep POLISI