Pas presionit të Ramës, Frroku shpallet i pafajshëm për vrasje



Ish-deputeti Mark Frroku u shpall sot i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit, 18 vite më parë në Belgjikë.

Por gjykata vendosi që Frroku të dënohet për 3 akuza të tjera me 7 vite burg. Pas një procesi dy vjeçar, Frroku nuk u gjet fajtor për akuzën më të rëndë që ngrihej ndaj tij “vrasje me paramendim”.

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka vendosur ta dënojë Frrokun për 3 akuza më të lehta dhe ta shpallë të pafajshëm për vrasjen. Avokatët u shprehën të kënaqur me vendimin pasi Frroku sipas tyre nuk ka kryer vrasje, por nga ana tjetër deklaruan se çështja do të shkojë në Apel. Ata kundërshojnë edhe akuzën për fshehje pasurie dhe pretendojnë pafajësinë totale të Frrokut.

Në vendimin e sotëm gjykata kërkoi që Mark Frroku të dënohet me 7 vite burg përkatësisht për; ndërtim pa leje, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Frroku i ka bërë tashmë dy vite burg, pasi u gjykua në masën e arrestit me burg.