Kryengritja e personave gri



Në zgjedhjet presidenciale një gjë doli qartë: politika e socialistëve të Hollande ishte shumë gjëra, por jo politikë e majtë. Katastrofa që i pret socialistët të dielën është një shans për përtëritje.

Kandidati konservator për president, François Fillon pati fat në mes të fatkeqësisë. Kur u bë e ditur se ai u kishte paguar honorare të majme gruas dhe fëmijëve të tij me fonde publike, rënia e mbështetjes për të në votime qe krahasimisht e vogël. Me një mbështetje prej 20% sipas sondazheve, ai ka vetëm gjashtë deri shtatë pika përqindjeje më pak se ç'kishte në kohën kur u bë i ditur skandali. Zgjedhësit me sa duket e vlerësuan sjelljen e tij vetëm si shkelje juridike - jo si pabesi ideologjike, për të cilën mund ta akuzosh atë si katolik të shpallur. Doktrina kristjane dhe veprimtaria shumëvjeçare në rastin e tij nuk u panë në kontradiktë.

Përkundrazi, atë që mund të përjetosh kur të akuzojnë për shkelje ideologjike e përjetoi kandidati për President i socialistëve, Benoit Hamon. Vërtet që akuza nuk kishte të bënte me të personalisht, por me të gjithë partinë e tij, e cila e qeverisi Francën nën Presidentin Hollande për pesë vite rresht. Por pavarësisht nga kjo, Hamoni që personalisht është i ndershëm merr aktualisht tetë përqind të votave sipas sondazheve.

Shoqëria multikulturore dhe përçmimi kulturor

Me këtë ai paguan faturën për një politikë që i shkaktoi vitet e kaluara një emër jo të mirë partisë së tij, pikërisht atë të mungesës së parimeve politike. Kjo parti vazhdon të jetë edhe në emër socialiste - por ka kohë që nuk është më e majtë. Të paktën jo në kuptimin që të ndjekë një program përkatës.

Nën socialistët ndërkohë fitoi rëndësi një temë tjetër: ajo e shoqërisë multikulturore. Imigrimi dhe integrimi, përkushtimi ndaj "së huajës" në njërën anë, dhe në anën tjetër ndjesia e të mos qenit zot në vendin tënd: debati për përparësitë dhe disfavoret e shoqërisë pluraliste i shqetësoi francezët si asnjë temë tjetër.

Përleshje në Lion, 2013

Francës kjo nuk i bëri mirë. Sepse frontet ideologjike ecën paralelisht me ato sociale. Apologjetët e multikulturalizmit bëjnë pjesë thuajse krejtësisht në shtresat më të larta të shoqërisë, në një kohë që shumë të tjerë, për të cilët është e huaj kjo eufori kanë halle krejt të tjera - në radhë të parë ato që kanë të bëjnë me ekzistencën e tyre. Veç kësaj atyre iu desh të pajtohen me faktin që në ambjentin elegant të të vetëshpallurës avantgardë ata konsiderohen si të së djeshmes. Ata përfaqësojnë ata njerëz, tek të cilët është e pamundur të përcillet bukuria e të qenit i larmishëm. Pasoja: varfëria ekonomike u shoqërua me përçmim kulturor.

Të larmishmit dhe qytetarët me ngjyrë gri

Gjeografi i shkencave sociale, Christophe Guilly ka shkruar për këtë çarje në disa libra të tij që kanë tërhequr vëmendjen. Ai kritikon me vendosmëri ngurtësimin e debatin në ideologjik, shndërrimin e politikës në ideologji dhe stil jetese. "Në njërën anë janë modernët, ata që e kanë kuptuar kuptimin e historisë, që e respektojnë tjetrin, dhe në anën tjetër janë shtresat e thjeshta, personat me pak kualifikime, mendjet e vogla, njerëzit pa diploma."

Ka vite që Guilly paralajmëron për rrezikun e radikalizimit të të përjashtuarve. Dhe tani një e pesta e francezëve sipas anketimeve është aktualisht e gatshme që t'ia japë votën Front National dhe që të rrafshojnë gjithçka të arritur në Francë dhe në Evropë.

Sipas të gjitha gjasave, Marine Le Pen nuk do të triumfojë në fund: socialliberali Emmanuel Macron ndodhet aktualisht pak para saj, i majti Jean-Luc Mélenchon pak pas saj. Por pavarësisht se për kë do të votojnë francezët në fund: rezultati i zgjedhjeve është që tani një mësim. Ai të kujton se një republikë vërtet që mund të jetë "laramane", por udhëheqja politike e saj duhet të kujdeset pikërisht për ata, ekzistenca ekonomike e të cilëve është gri e errët.