Bushati e pranon: SHBA kërkon zgjedhje me opozitën dhe të jenë të lira, zbatim rekomandimeve të OSBE

 

Intervista

 

Zëri i Amerikës: Meqënëse përmendët koalicionin me LSI-në... dje skadoi afati i dorëzimit të koalicioneve në Komisionin Qëndror Zgjedhor. Pra, ju dhe LSI-ja nuk u regjistruat si një koalicion për zgjedhjet e 18 qershorit. Atëherë, si do të veprohet? Do të kandidoni të vetëm në këto zgjedhje?

Ditmir Bushati: Kjo është një çështje që jam i bindur se do të trajtohet në përputhje me parashikimet ligjore dhe besoj se akti i djeshëm nga ana e koalicionit ka qenë një akt me vullnet të mirë, për t’i dhënë një mundësi tjetër Partisë Demokratike për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, për t’i dhënë gjithashtu një mundësi dialogut me PD-në, aq më tepër që dihet qëndrimi ynë, edhe thirrja që u është bërë partive popullore europiane për të lehtësuar zgjidhjen e situatës, por nga ana tjetër, duke qenë se jam në Uashington, dëshiroj të ritheksoj dhe të komunikoj me opinionin publik, atë çka m’u bë me dije sot (20 prill) në takimin me Nënsekretatirn amerikan të Shtetit, Tom Shanon, në lidhje me dy vija, apo dy linja të qarta të politikës amerikane në lidhje me Shqipërinë. Së pari, për të mos e bllokuar dhe për ta çuar më tej zbatimin e reformës në drejtësi, procesin e domosdoshëm të vetingut të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe institucionalizimin e arkitekturës së re në fushën e drejtësisë, pra ngritjen e institucioneve të reja në fushën e drejtësisë; dhe së dyti, nevojën për të marrë pjesë zgjedhjet e 18 qershorit të të gjithë aktorëve politikë dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht jo thjesht me njëri-tjetrin, por me OSBE-ODIHR-in, për të zbatuar rekomandimet që do ta bënin këtë proces më të ndershëm, më të drejtë për të gjithë.