Pse Brexit do ta rilindë Mbretërinë e Bashkuar



“Kujtoj fjalët e David Cameron në fushatën referendare: Nëse fiton Brexit, thoshte pak a shumë ai, do të ketë një rënie vertikale të çmimeve të shtëpive, një rritje të përqindjeve të interesit dhe një zhvlerësim të stërlinës.
Për të ishte problem. Për mua ishte gjithçka që kisha kërkuar t'ia arrija në 3 vitet e mëpasme pa ia arritur. Votuesit britanikë e kanë bërë në një ditë”. Mervyn King është 69 vjeç dhe me një jetë aventureske mbi shpatulla. Biri i një hamalli që ishte shndërruar në mësues gjeografie pas lufte, Lordi King ka qenë Guvernator i Bank of England midis viteve 2002 e 2013. Në mes të mandatit të tij, i është dashur të shkruajë hartat e para e të së ardhmes së financës britanike, pasi kriza e kredive subprime dhe falimentimi i Lehman Brothers kishin fshirë ato të vjetrat. Ndërsa Cool Britannia e Tony Blair niste të rrotullohej në vetvete, në një spirale frike e zhgënjimi dhe shkonte drejt Brexit, prishjes me Bashkimin Europian në vitin 2016. Ka që thonë se kemi të bëjmë me një bast vdekjeprurës, ka që thonë për një fillim të ri. Mervyn King, autor i librit "Fundi i alkimisë: E ardhmja e ekonomisë globale", i përket kësaj shkolle të fundit: “Politika është bërë helmuese kur flitet për Brexit. Njerëzit e kanë humbur çdo objektivitet në leximin e gjërave”.

- Atëherë le të provojmë ta bëjmë, Lordi King. Pse keni vendosur t'i thoni lamtumirë Europës? Dhe pse jeni kaq optimist lidhur me të ardhmen vetmitare të Mbretërisë së Bashkuar?
Pyetja juaj është e gabuar.

- Si?
Nuk bën dallim të qartë midis Europës, Bashkimit Europian dhe euros. Britanikët e duan Europën, kulturën e saj dhe nuk mund ta lënë edhe sikur të donin, përveç bërjes së një referendumi për abrogimin e gjeografisë. Ama nuk duam euron dhe bashkimin monetar. Jo rastësisht, asnjë politikan britanik nuk ka bërë dhe nuk do ta bënte kurrë një fushatë elektorale për përdorimin e monedhës së përbashkët.

- Ama ju keni votuar për ta braktisur Bashkimin Europian. Nuk ju pëlqen as ky?
Lidhur me Bashkimin Europian jemi ambivalentë. Na pëlqejnë lidhjet me vendet e tjera europiane, na pëlqen që të infektohemi nga kulturat europiane, na pëlqen të udhëtojmë me kosto të ulët drejt Europës, të studiojmë tjetërkund. Ambivalenca qëndron në dy elementë të Bashkimit Europian që nuk na pëlqejnë aspak dhe është një mosdakordësi me një spektër të gjerë, që përqafon transversalisht të gjitha forcat politike britanike.

- Elementi i parë?
Është humbja e sovranitetit dhe këtu faji është i politikanëve në vitet e kaluara, që në shpërfillje të çdo parimi realiteti na kanë treguar se qëndrimi në Bashkimin Europian nuk do të ndryshonte asgjë. Dukshëm që nuk ishte absolutisht e vërtetë. Thënë thjesht, një pjesë e mirë e ligjeve të miratuara nga Parlamenti britanik në këto vite është miratim i thjeshtë i direktivave europiane. Gjykata e Lartë britanike e ka theksuar disa muaj më parë: e drejta komunitare ka precedencë ndaj ligjeve kombëtare derisa do të qëndrojmë në Europë. Ky është një cedim i madh sovraniteti.

- Më shumë sesa cedim është një transferim sovraniteti ndaj organesh të tjera. Kur janë zgjedhjet, europarlamentarët zgjidhen, kandidatët për presidencën e Komisionit Europian njihen…
Ama në shumë raste ka vendime të marra nga burokratë, jo nga europarlamentarët. Dhe nëse një gjë e vendosur nga burokratët nuk të pëlqen, nuk mund të bësh asgjë. Një qeveri mund ta dërgosh në shtëpi, kurse burokratët jo.

- Domethënë dërgohen në shtëpi qeveritë…
Sikur e gjitha kjo t'u ishte shpjeguar qartë votuesve, sikur t'u ishte thënë atyre që të sakrifikonin diçka, ndoshta një gjë të drejtë apo thjesht të pashmangshme, besoj se do të kishin qenë argumente të shkëlqyera për ta mbështetur këtë tezë. Ndoshta votuesit do ta kishin kuptuar. Të paktën do të kishte qenë më e ndershme, por deri minutën e fundit ia kanë mohuar dëshminë. Janë shtirur sikur nuk kishte ndodhur kurrë asgjë. Me rezultatin që sot askush nuk u beson më.

- Gjëja e dytë që nuk ju pëlqen nga Bashkimi Europian?
Schengen dhe parimi i lëvizjes së lirë të njerëzve.

- Por Schengen as nuk e kishit fare…
Jo, është e vërtetë, nuk kemi aderuar në Schengen, ama e kemi pranuar njëlloj lëvizjen e lirë të njerëzve. Sot kemi 1 milion polakë në Mbretërinë e Bashkuar. Për klasat e mesme të larta është një gjë e shkëlqyer. Kanë kopshtarë të shkëlqyer polakë, shoferë të shkëlqyer polakë dhe shtëpitë kushtojnë më pak qysh kur kemi muratorët polakë. Por në qoftë se je kopshtar britanik, shofer britanik, murator britanik, nuk je njëlloj i kënaqur. Sepse kanë ardhur në vendin tënd njerëz që të bëjnë konkurrencë dhe e bëjnë duke të sfiduar me çmime më të ulëta. Është kështu që emigracioni ka prodhuar një frakturë të pashërueshme midis klasave të mesme të larta dhe shtresave popullore. Për ta shëruar këtë frakturë, rruga e vetme e mundshme ishte reduktimi i emigracionit. Dhe për ta realizuar një gjë të tillë, mënyra e vetme e mundshme ishte largimi nga Bashkimi Europian.

- Në një artikull të para disa kohëve në "The Guardian", keni thënë se Mbretëria e Bashkuar duhet të braktisë jo vetëm Bashkimin Europian, por edhe tregun unik dhe bashkimin doganor. Jemi deri përtej hard Brexit të Theresa May. A nuk mendoni se është një zgjedhje paksa ekstreme?
Jo, sepse kemi votuar për Brexit dhe kemi marrë një vendim. Të gjithë politikanët e kishin thënë qartë, duke filluar nga vetë Cameron: cilido që do të kishte qenë rezultati do ta kishim pranuar. Kështu duhej të ishte. Fatkeqësisht, siç ua kam thënë tashmë, politika është bërë helmuese. Dhe kush i është kundërvënë Brexit tani dëshiron ta përmbysë rezultatin e votimeve. Sot nuk ka as edhe një gazetë që të ketë komente negative lidhur me këtë temë. Deri “BBC”-ja është rreshtuar: janë të gjithë kundër Brexit, pasi jetojnë të gjithë në Londër.

- Ok, por pse të lihet tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor?
Le të jemi seriozë: sikur të vinim gjithçka në pjatën e negocimeve do të ishte katastrofë. Nuk do të arrihej asnjë marrëveshje dhe do të mbeteshim në mëshirën e një marrëveshjeje të minutës së fundit. Në këtë botë, Brukseli do të kishte plotësisht interesin që të tregonte sesi dalja nga Bashkimi Europian vetëm kaos do të gjeneronte në Mbretërinë e Bashkuar. Do të bëhemi një instrument i mrekullueshëm për propagandën e tyre. Rruga e vetme e arsyeshme që duhet të ndërmarrë Mbretëria e Bashkuar është ajo e përgatitjes për t'u bërë vërtet një aktor i jashtëm për Bashkimin Europian, subjekt vetëm ndaj rregullimeve të organizatave ndërkombëtare si WTO-ja.

- Por duke e lënë bashkimin doganor mund të keni probleme të mëdha në tregtinë e jashtme…
Duhet ta lënë bashkimin doganor sepse nuk mund ta vendosim të ardhmen tonë tregtare në duart e kaosit të 2 viteve negociata. Qeverisë britanike i duhet të planifikojë, nëse do të jetë nevoja, një përpjekje të dyfishtë për të rinovuar efikasitetin e doganave të veta dhe t'i bëjë hiperefikase për të shmangur që të transformohen në një problem për tregtinë. Kemi probleme praktike, por problemi është që të bëhemi të gatshëm që të mund ta braktisim tryezën e negociatave përballë kërkesave penalizuese. Duhet të mobilizohemi shpejt, përpara se të fillohet të negociohet. Që të mund të themi, shumë qetësisht, se pas 2 vitesh do të jemi të gatshëm të bëjmë pa tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor. Të lirë edhe që të bëjmë marrëveshje bilaterale me këdo, nga Shtetet e Bashkuara tek Kina, përfshi Bashkimin Europian.

- Do të bëjnë vendet europiane marrëveshje me ju? E besoni?
Do të jenë ata që do të na e kërkojnë. Jemi një treg i madh për makinat gjermane. E besoni se Gjermania do të heqë dorë kaq shpejt prej nesh? Për më tepër, pa bashkimin doganor mund të bëjmë marrëveshje me kë të duam. Një prej mossukseseve të mëdha të Bashkimit Europian është paaftësia e tij për të bërë marrëveshje tregtare. Kanë nënshkruar atë me Kanadanë, por nuk kanë arritur të mbyllin TTIP-në me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me rezultatin që sot Bashkimi Europian nuk e ka një marrëveshje tregtare as me Shtetet e Bashkuara, as me Kinën. Unë besoj se Mbretëria e Bashkuar ka mundësi më të mira për t'i nënshkruar të dyja në vitet e ardhshme. Vërtet, nuk është Brexit problemi më i rëndë ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar.

- Cila është atëherë?
Problemi ynë është se eksportojmë shumë pak krahasuar me atë që importojmë. Ja pse është e rëndësishme që paundi të kthehet në nivele të ulëta. Pastaj janë përqindjet e interesit.

- Në çfarë kuptimi janë problem përqindjet e interesit?
Janë shumë të ulëta, si ato afatshkurtra, ashtu edhe ato afatgjata. Nëse shikon periudhën afatgjatë - ato dhjetëvjeçare - në 20 vitet e fundit kanë vazhduar të ulen.

- Ok, po ku qëndron problemi? Po i bëjmë të zbresin në mënyrë të vullnetshme apo jo?
E vërtetë, pasi nuk duam që ekonomia të ngadalësohet. Por përqindja e interesit redukton vlerën e ardhshme të një malli. Nëse përqindjet e interesit janë të ulëta, ekonomia nuk funksionon mirë. Le të marrim pensionet: me përqindjet e sotme nën zero, rezultati në një fond pensionistik është aq i mjerë sa nuk ia vlejnë sakrificat për ta mbajtur. Ne sot e shtyjmë, por nesër do të kishim një krizë të sistemit tonë të pensioneve për faj të përqindjeve të sotme të interesit. Një krizë që do të prekë ata që sot janë të rinj. Shpresoj që kjo të jetë e qartë.

- Është ky fundi i alkimisë për të cilin flisni? Ideja që ekonomia rritet gjithmonë dhe që aksionet tona të sotme nuk kanë efekt mbi atë që do të na ndodhë nesër?
Jo, është ideja se mjafton besimi për të garantuar stabilitetin e ekonomisë tonë. Mendoni për kartëmonedhat që përdorim çdo ditë. Nuk janë të mbuluara nga asgjë. Ajo që i garanton është besimi që kemi tek qeveritë dhe bankat qendrore. Akoma më e keqe është ajo që bëjnë bankat: që në bilancet e tyre kompensojnë investime të rrezikshme afatgjata me borxhe afatshkurtra, që gjë tjetër nuk janë veç se depozitat tona. Mendoni për krizën e kredive subprime amerikane: të gjithë i blinin kreditë e njerëzve pa ditur asgjë se kush i kish nënshkruar ato. Qenë copëra letre, të zëvendësueshme. Derisa rriteshin çmimet e shtëpive, askujt nuk i interesonte se të kujt qenë këto kredi: “Në qoftë se nuk paguajnë, atëherë ua marrim shtëpinë dhe ua shesim”.

- Por pastaj janë çmimet, kanë nisur të zbresin…
Dhe ëndrra ka mbaruar: “Një moment: çfarë janë këto copa letre? Kush janë këta njerëz?”. Kur të gjithë kanë filluar ta bëjnë këtë pyetje, tregu ka rënë, menjëherë. Qysh nga ai moment, bankat kanë pushuar së huazuari para për disa muaj. Sepse mjafton që një bankë të falimentojë, që njerëzit të pushojnë së futuri para dhe asnjeri nuk beson më. Pastaj bankat bien, njëlloj si gurët e dominosë. Vijmë kështu në fundin e alkimisë.

- Me pak fjalë, çfarë bëhet? Do të kemi rikthim në rezervat e arit dhe në bankat që mund të investojnë vetëm në tituj shtetërorë?
Natyrisht që jo. Sot bankat kanë rezerva që janë vetëm një fraksion i vogël i kapitalit të investuar. Kush do t'i financonte vallë bankat në rast do të duhej të mbulonin të gjithë investimet e tyre për të minimizuar rrezikun për llogaritë rrjedhëse?

- Le të imagjinojmë se e keni një plan...
Po dal aty: në një krizë bankat qendrore duhet të hedhin para për të shpëtuar bankat. E nënvizoj: duhet. Është si me energjinë: gjenerimi i energjisë është një përqindje e vogël e ekonomisë. Por nëse falimenton kush prodhon energji, bllokohet gjithçka. Problemi i 2008 ka qenë pastërtisht politik: pse bankat shpëtohen dhe bizneset e vogla, kur falimentojnë, lihen të vdesin? Pse familjeve u vihet në gjendje pengu shtëpia? Nuk është e drejtë? Jo, ka mundësi jo. Ama është e nevojshme.

- Është sikur përballë kemi një lloj dileme. Shpëtimi i bankave është i nevojshëm, por i padrejtë…
Saktësisht dhe konkluzioni në të cilin kam arritur është se bankat në vend që t'u kërkonin para bankave qendrore vetëm kur shkojnë në krizë, por duhet të kenë gjithmonë asete peng tek bankat qendrore në mënyrë që të jenë gjithmonë në gjendje të ripaguajnë kapitalin e derdhur, sido që të shkojë, në çfarëdo momenti. Është një lloj takse mbi alkiminë. Në qoftë se e bëjmë, mund të parandalojmë çdo rrezik falimentimi financiar dhe vrapimesh drejt sporteleve si në vitin 2008. Po kështu edhe shpëtimet e bankave, që politikisht janë një fatkeqësi. Kjo skemë do të parandalonte bile që bankat të vihen e të huazojnë pa logjikë siç ndodhte përpara 2008.

- Niveli i utopisë, nga 1 në 10....
Shumë i ulët. Bankat janë shumë më të afërta me skemën time nga sa imagjinohet.

- Shpjegohuni më mirë…
Mendoni për quantitative easing: Banka Qendrore, në shkëmbim të monedhës së re, blen bono nga bankat. Një pjesë e mirë e kësaj paraje përfundon e depozituar në llogarinë e saj pranë Bankës Qendrore. Falë operacioneve si ky, sistemi bankar tani ka një mal me para në llogari pranë Bankës Qendrore. Është likuiditeti shtojcë për kohëra krize. Dhe ky është një lajm i mirë, jo i keq.

- Ndoshta kini të drejtë, por për Europën nuk do të ishte më mirë që ajo para të ishte hedhur në qarkullim në ekonominë reale…
Besoj se problemet e Europës janë për t'u kërkuar tjetërkund.

- Saktësisht, ku?
Nëse mendohet për të ardhmen e Bashkimit Europian, unë besoj se ka dy sfida të mëdha përpara: si të reformohet euro dhe si të zgjidhet kriza gjiganteske migratore e këtyre muajve të fundit, që dukshëm nuk ishte parashikuar kur është vendosur të garantohet lëvizja e lirë e njerëzve në brendësi të Bashkimit Europian…

- Keni ndonjë ide lidhur me reformën e euros?
E sigurtë është se euro nuk po funksionon. Edhe Macron thotë se nevojiten ndryshime të mëdha, bile edhe Gjermania. Por nuk ka marrëveshje sesi duhet të reformohet. Ky ishte problemi kryesor.

- A do mund të shërbente një ministër europian Financash?
Me fjalë e duan të gjithë, por nuk e kam takuar një ministër të vetëm Financiash europian që të më ketë thënë se ky opsion është politikisht i ndjekshëm. Sepse nuk niset nga një proces demokratik. Një ministër europian Financash vendos buxhetin e çdo shteti të veçantë. Në këtë pikë një ministër europian Financash dhe për pasojë, një politikë fiskale europiane nënkupton vetëm që Gjermania paguan për të gjithë. Dyshoj se gjermanët do të ishin të lumtur për një gjë të tillë, sidomos qysh kur nuk do të jetë më Mbretëria e Bashkuar dhe kontributi substancial i saj për buxhetin europian.

(Andrew Cowie për “AFP”)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA