Jetojnë në varfëri 45.5%



Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë.
Edhe pse deklaron se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje me 3.2 për qind më 2016-ën, Banka vëren se standardi i jetesës për shumicën e qytetarëve, që mbahen me të ardhurat nga puna është përkeqësuar. "Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por  ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik", thuhet në raport. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve. Rënia e pagave në vlerë për katër vite me radhë është një dukuri e paprecedentë as për vendet në krizë të thellë financiare, si Greqia apo Portugalia.

Qeveria ngriu pagat
Qeveria shqiptare prej tre vitesh ka vendosur ngrirjen e pagave në sektorin publik, edhe pse çmimet kanë vazhduar të rriten. Që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet qeveria e majtë, pjesa dërrmuese e buxhetorëve nuk ka përfituar asnjë rritje të pagës në vlerë. Por për shkak se çmimet kanë vazhduar të rriten, ngrirja e pagave në vlerë nominale ka çuar në rënien reale të tyre.  Në periudhën 2004-2009 Shqipëria ka qenë vendi i dytë me rritjen më të lartë të pagave në rajon. Sipas Bankës Botërore, paga reale gjatë kësaj periudhe është rritur me gati 10 për qind në vit duke çuar në një përmirësim të fortë në standardin e jetesës së punonjësve. Por veçanërisht pas vitit 2012, kjo tendencë u përmbys dhe pagat filluan të uleshin me ritme të shpejta. Në tre vitet e fundit pagat reale për pjesën dërrmuese të punonjësve në sektorin shtetëror kanë rënë me mbi 8 për qind, nga rritja e çmimeve, ndërsa në sektorin privat rënia e rrogave ka qenë edhe më e thellë.

Shifrat e varfërisë
45.5% e shqiptarëve jetojnë në kushtet e varfërisë. Sipas statistikave më të fundit të Bankës Botërore, për vitin 2016, ende afërsisht gjysma e shqiptarëve jetonin me më pak se pesë dollarë amerikanë në ditë. Ndonëse ngelet ende mjaft e lartë, shkalla e varfërisë ka shfaqur një tendencë të lehtë rënëse gjatë viteve të fundit. Sipas Bankës Botërore, shkalla e varfërisë ka zbritur me 1.7 pikë përqindje në tre vjet, nga niveli prej 47.2% ku qëndronte në vitin 2013. Në vitet e fundit, përmirësimi i rritjes ekonomike dhe i treguesve të punësimit duket se ka dhënë disa efekte të vogla në uljen e shkallës së varfërisë. Burimi i të dhënave dhe mënyra e matjes nga Banka Botërore nuk është e qartë, po të kemi parasysh se anketa e fundit zyrtare nga INSTAT për matjen e standardit të jetesës në Shqipëri është bërë në vitin 2012. Megjithatë, edhe përtej këtyre shifrave, mjafton vetëm të llogarisim rreth 607 mijë pensionistë dhe 82 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike në vlerë të papërfillshme për të kuptuar se përmasat e varfërisë janë ende tejet të mëdha. Të ardhurat e këtyre shtresave janë të gjitha poshtë minimumit jetik, që, sipas një studimi të porositur vitin e kaluar nga Avokati i Popullit, llogaritet në 16 mijë lekë në muaj.