Masakra urbane e Filos në bulevardin e Korçës (Foto)



Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo është paditur penalisht për masakrën urbane në bulevardin e Korçës, por ai vazhdon veprimtarinë e paligjshme.

Punimet në bulevardin e qytetit të Korçës për një ndërtim pa leje kanë vijuar me ritme të çuditshme edhe ditën e dielë. Siç duket edhe nga fotot që po publikojmë, betonieret kanë vijuar me intensitet përgjatë gjithë ditës së dielë, por edhe gjatë natës, duke derdhur beton në qendër të qytetit.

Para disa ditësh, Grupi parlamentar i PDSH paditi kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo për një ndërtim pa leje në qendër të Korçës, për zaptimin të pronës publike, prishje trotuari dhe bulevardi, për ndërtimin e një Qendre Polifunksionale.

Në Bulevardin “Republika”, Bashkia e Korçës ka nisur ndërtimin e “Qendrës polifunksionale dhe e shërbimeve”, me një sipërfaqe totale prej 511 m2, nga të cilat 190 m2 bie mbi rrugë dhe 170 m2 bien mbi trotuar. Për këtë qëllim, Bashkia Korçë më datë 25.01.2017 i ka propozuar Këshillit Bashkiak një projektvendim të nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Korçë, për ndryshimin e destinacionit nga rrugë dhe trotuar, në truall, të sipërfaqes prej 360 m2 të ndodhur në Bulevardin “Republika”.

Projektvendimi i datës 25.01.2017 nuk rezulton të jetë miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe madje nuk është hedhur fare në votim, siç provon edhe procesverbali i mbledhjes së datës 25.01.2017 i Këshillit Bashkiak Korçë. Mirëpo, kjo nuk ka penguar Bashkinë Korçë, që pa asnjë miratim nga Këshilli Bashkiak, të shkatërrojë rrugën dhe trotuarët, duke nisur kështu ndërtimin e një projekti, i cili nuk është miratuar.

Aktualisht, Bashkia Korçë ka shkatërruar tërësisht sipërfaqen prej 360 m2 rrugë dhe trotuare, duke ndryshuar pa vendim të Këshillit Bashkiak, destinacionin e kësaj pasurie publike. Ndërtimi i objektit që ka nisur prej disa ditësh, është duke u kryer pa asnjë leje paraprake ndërtimi, pa asnjë miratim nga Këshilli Bashkiak, si dhe në shkelje flagrante të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, dhe Ligjit Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Shkeljet ligjore të Filos

Në kushtet kur Bashkia Korçë, në shkelje flagrante të procedurave të parashikuara në Ligjin nr. 139/2015 dhe 107/2014, ka nisur punimet, vlerësojmë se jemi përpara veprimeve kriminale, me pasoja të rënda për interesin publik dhe që parashikohen nga Kodi Penal si veprime të ndëshkueshme penalisht. Konkretisht:

Së pari, prishja e rrugës dhe trotuarit, pa një vendim të Këshillit Bashkiak për ndryshimin e destinacionit të tyre, përbën shkatërrim me dashje të pronës publike, duke sjellë dëme materiale të rënda për hapësirën publike të qytetit të Korçës. Ky veprim i kundërligjshëm përbën të gjitha elementët e veprës penale, të parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.

Së dyti, nisja e punimeve, duke shkatërruar rrugën dhe trotuarin, me qëllim ndërtimin e një objekti mbi të, pa ndryshuar destinacionin e kësaj prone publike, përbën shpërdorim të tokës në kundërshtim me destinacionin e saj dhe për pasojë veprimi i Bashkisë Korçë përbën të gjitha elementët e veprës penale të parashikuara nga neni 199 i Kodit Penal.

Së treti, ndërtimi i objektit që ka nisur prej disa ditësh, është duke u kryer pa përmbushur asnjë nga procedurat ligjore për realizimin e këtij objekti dhe pa leje ndërtimi. Për pasojë, ai konsiderohet ndërtimi pa leje, i kryer në tokën publike ose shtetërore dhe që është i dënueshëm sipas nenit 199/a të Kodit Penal.

Së katërti, kryerja e veprimeve në kundërshtim me ligjin, si dhe mosndjekja e procedurave të parashikuara nga Ligji nr. 139/2015 dhe 107/2014, nga ana e kryetarit të Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, për realizimin e këtij objekti, përbën elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal. Kryetari i Bashkisë Korçë, edhe pse është në dijeni të faktit që Këshilli Bashkiak Korçë nuk ka miratuar ndryshimin e destinacionit të 360 m2 rrugë dhe trotuar, edhe pse i papajisur me leje ndërtimi për realizimin e objektit në atë truall, ka lejuar dhe urdhëruar në kundërshtim me ligjin, nisjen e punimeve, shkatërrimin e rrugës dhe trotuarëve, si dhe përdorimin e pronës publike, duke kryer ndërtime në kundërshtim me destinacionin e asaj sipërfaqe pronë publike.

Ndërtimi që po kryhet në qendër të qytetit të Korçës, përbri godinës së Këshillit të Qarkut Korçë, është në kushtet e plota të paligjshmërisë, për shkak se ka cenuar dhe prishur lulishten, trotuarin dhe bulevardin (pronë publike), pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak. Sipërfaqja ku po kryhet ndërtimi, vijon të jetë e regjistruar në ZRPP Korçë, përkatësisht si rrugë (190 m2), trotuar (170 m2) dhe truall në pronësi të Këshillit të Qarkut Korçë (150 m2). Në këtë mënyrë, shtetasi Sotiraq Filo ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë shkatërrim të pronës, shpërdorim të pronës publike, ndërtim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre, veprime apo mosveprime këto që cenojnë rëndë interesin e shtetasve dhe shtetit.