Dëshmitari i tretë Adem Sula: Ju rrëfej monstrën Xhafa



Armand MAHO

Quhet Adem Sula, dhe sot është 54 vjeç. Në shtator të vitit 1985, teksa punonte në fermën e Krujës, do vinte një ditë xhipi i Ministrisë së Brendshme, i cili do e dërgonte në Hetuesinë e rrethit të Krujës. Faji i vetëm i Ademit, ishte sepse ishte rritur me vëllezërit Haki dhe Lulzim Sena dhe Arben Dukën, të cilët në ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, kishin ngritur dolli gëzimi. Dhe ky si të tjerët, do përballej aso kohe me hetuesin 26-vjeçar Fatmir Xhafa, i mbrujtur keqazi me idetë komuniste.

I etur për të bërë karrierë, do i vinte dhe çështja e jetës. Katër të rinj kishin festuar vdekjen e Enver Hoxhës, e ku kishte më mirë se kaq për t’i rënë në sy sistemit. Ademi thotë se, kjo ngjarje prodhoi dhe një të vdekur, atë të Haki Senës, një kryeinxhinier Kimist që punonte në Fabrikën Ushqimore të Krujës. Dy ditë, pasi doli nga duart e Xhafës, Haki Sena u gjet i vdekur në një bunker buzë detit në Durrës, larg qytetit të tij. Kjo ngjarje siç shprehen dhe banorët e Krujës, shkaktoi një lloj revolte, pasi Haki Sena gëzonte respektin e zonës.

Sula thotë se, vdekja e tij mbeti enigmë e pazbardhur ndonjëherë, por ajo që dihet është se trupi i Haki Senës u varros natën hajdutshe, vetëm nga katër punëtorë të komunales. Regjimi kish frikë nga një pjesëmarrje masive e popullit të Krujës në varrimin e tij, në një kohë që ishin akuzuar si armiq të pushtetit dhe vëllai i tij ndodhej ende në duart e xhelatit. Dhe Adem Sula, ashtu si Xhavit Koni dhe Valbona Duka flet për mizoritë e Xhafës, për të cilin thotë se qante sa herë shihte foton me diktatorin që e mbante në tavolinë.

Kjo e tërbonte dhe e çonte deri aty, sa t’i fuste dhe shtupën e ËC në gojë viktimave të tij, duke i mbajtur foton para syve si për t’i treguar me kë kishin të bënin. Por një e dhënë interesante në rrëfimin e Sulës, është dhe fakti se në burgun e Burrelit, ai ka qenë në një vend me Spartak Ngjelën, njeriun më të zjarrtë në mbrojtje të Fatmir Xhafës. Ngjela e njeh mirë Ademin, Arbenin, por edhe Lulzimin dhe e di shumë mirë historinë e tyre, fakt që ja transmetoi direkt dhe motra e Arben Dukës, kur i tha se, “ke qenë në burg me vëllain tim”. Por ende mbetet enigmë se çfarë e shtyn të bëjë të paditurin, ndoshta dhe ai ka derdhur lot atje brenda burgut për vdekjen e diktatorit, ashtu siç derdhte Xhafa sa herë shihte foton me të. Ndoshta….

-Zoti Sula, na tregoni pak për momentin e arrestimit, ku ishit në ato momente dhe me çfarë akuze?

Në atë kohë kam qenë 23 vjeç punoja në atë kohë në fermë. Prej atje erdhën më morën me një xhip nga ato që përdorte Ministria e Brendshme?

-Me çfarë akuze?

Jo, unë nuk kisha akuzë. Më morën si të dyshuar, për një drekë që ishte zhvilluar sipas tyre për të festuar vdekjen e Enver Hoxhës!

-Zoti Sula, si ka qenë kontakti juaj i parë me Fatmir Xhafën?

Unë e kam pasur hetues, dhe kjo është e patjetërsueshme. Fatmir Xhafën do e njihja dhe identifikoja mes 1000 të tjerëve. Pasi më arrestuan, më çuan në Degë të Krujës në Hetuesi, ku m’u paraqit një djalë i ri, që më thanë se është hetues i çështjes. Nuk priti shumë po filloi të më godiste, ku të mundte sapo hyra. Ky ishte Fatmir Xhafa!

-Pra ai e ka pasur çështjen tuaj në Hetuesi?

Çështjen tonë e ka pasur në dorë Fatmir Xhafaj. Ne ishim katër shokë të një lagjeje. Arrestuan të parin Arben Dukën, më pas mua dhe vëllezërit, Lulzim dhe Haki Sena!

-Më tregoni pak momentin e torturave?

Fatmir Xhafa, ka qenë ndër hetuesit më të egër. Vinte në dy të natës, pasi e kishte si praktikë që Hetuesinë ta bënte natën. Vinte natën i pirë dhe shfrynte dufin. Çfarë tju them ka kaluar kaq kohë, por e kujtoj mirë. Tortura nga më të ndryshmet. Hekurat gjermane që t’i shtrëngonte deri në fund. Shkelma, përplasje koke pas murit, nëpër pllaka gjithandej. Arrinte deri aty sa dhe shtupën e ËC-së ma ka futur në gojë?

-Çfarë pyetjesh bënte, çfarë kërkonte nga ju?

I bënte rreth ngjarjes, rreth asaj ç’kishim bërë kur viq Enver Hoxha. Aty i rrihte krejt puna.

-Ju thatë gjatë bisedës paraprake se mbante një fotografi në zyrë apo jo? Ishte fotoja që ka qarkulluar në media, ku shfaqej Xhafa me Enver Hoxhën?

Kishte një fotografi që kish dalë me Enver Hoxhën, dhe qante sa herë e shihte. Ishte gati që për të të na mbyste të gjithëve.

-Çfarë ju thoshte?

I vinte keq, qante na tregonte fotografinë dhe na thoshte, “ju kriminela, armiq, si guxoni të festoni për vdekjen e udhëheqësit, shihni me kë keni të bëni, ja ku jam, do ju marr shpirtin”, gjëra të këtij lloji. Atë foto në tavolinën e tij të punës nuk do e harroj kurrë!

-Si rodhën ngjarjet më pas!

Kam bërë 18 muaj hetuesi, pasi jam dënuar dy herë, herën e dytë për tentativë arratisjeje. Herën e parë hetues ka qenë Fatmir Xhafa dhe unë mund tja them ku të dojë.

-Dmth nga cila datë?

Që nga 21 shtatori 1985, e deri në nëntor të vitit 1986. Jua përsëris, përgjatë gjithë kohës hetues ka qenë Fatmir Xhafa, i cili përdorte metodat e tij!

-Sa persona ishit të akuzuar për këtë çështje?

Po ishim katër persona. Një prej tyre vrau veten, Haki Sena quhej, ishte kryeinxhinier kimist. Thuhet se e vrau Sigurimi i Shtetit, e gjetën të helmuar në bunker. Xhafa e kish shtruar më parë 48 orë në torturë, dhe e kish lëshuar me detyrim paraqitje, ai pas dy apo tre ditësh u gjet në një bunker buzë detit në Durrës i vdekur. E mban mend gjithë Kruja, tërë ai djalë, dhe u varros natën hajdutshe nga katër punëtorë të komunales. I akuzuar ishte dhe vëllai i tij Lulzim Sena si dhe Arben Duka.

-Ju me sa vjet u dënuat?

Unë u dënova nëntë vjet, Arben Duka u dënua 17 vjet, Lulzim Sena 23 vjet…

-Pra për të gjithë personat raportin e përpiloi Fatmir Xhafa?

Të gjitha raportet janë hartuar nga dora e Xhafës, ai ka qenë hetuesi i çështjes dhe dënimet tona mbajnë firmën e tij. Natyrisht, prezantimin në Gjykatë e bënte prokurori i çështjes, por peshën kryesore të hetimit e mbante hetuesi.

-Më pas u burgosët?

Ne na dënuan dhe më pas na çuan nëpër kampe. Unë u dërgova në Tërnovë të Peshkopisë, sepse ngaqë nuk gjetën prova, pasi unë nuk isha në atë darkë, më sajuan gjëra që si kisha bërë, me akuzuan për shpërdorim detyre. Nga Tërnova theva kampin, dhe u kapa pa kaluar kufirin as 500 metra larg. U ridënova dhe 15 vjet të tjera nga 9 që isha dënuar herën e parë.

-Po pjesën tjetër?

Pas Peshkopisë, më çuan direkt në Burgun e Burrelit. Kam pasur dhe Spartak Ngjelën, atje bashkë me Kiçon, babain e tij, Rahman Parllakun, Todi Lubonjën Fatosin, Fadil Paçramin etj. Ishte kamp politik dhe aty mbaheshin kryesisht të dënuarit për politikë.

-Keni biseduasr ndonjëherë, qoftë ju qoftë Arbeni apo Lulzimi me Spartak Ngjelën?

Unë kam biseduar se kam pas ndejtur me Spartakun, ja kemi treguar këtë histori dhe ai e di fare mirë këtë çështje. Nga ana tjetër, ai e di që hetuesi jonë ka qenë Fatmir Xhafa. Por zoti Ngjela, ta ketë për turp që del në mbrojtje të individëve të tillë. Ai e di shumë mirë këtë histori dhe gënjen në mënyrë të paturpshme. Ne jemi liruar në një vit, madje në një ditë me të në vitin 1991. Më 17 mars të vitit 1991.

-Përgjatë kësaj kohe e keni hasur ndonjëherë përballë Fatmir Xhafën?

Jo nuk e kam hasur, por në rast se do e hasja do i thosha, se i ka ardhur koha të largohesh. E para, nga Komisioni i Ligjeve, se nuk i takon një hetuesi të kuq si ai që të jetë ai në krye të ligjeve. E dyta, është turp, që të shkojë për ministër i Brendshëm. Nuk ka hetues, që nuk i ka lyer duart me gjak, por ai ka qenë nga më të zellshmit. Ka shkelur dhe ligjet e kohës. Ai duhet të largohet nga politika.

-Keni dijeni a ka pasur persona të tjerë?

Plot duhet të ketë, ata të cilët që kanë kaluar nëpër duart e tij. Atë e njeh mirë e gjithë Kruja për atë çfarë ka bërë.