Mavraj: Maksimumin për t’u grumbulluar me Kombëtaren



Është shtylla e mbrojtjes së Kombëtares, por fatkeqësisht Mërgim Mavraj pësoi një dëmtim ditë më parë me skuadrën e tij të Hamburgut dhe me shumë mundësi do të mungojë në një ndeshje tejet të rëndësishme për kuqezinjtë, atë ndaj Italisë më 24 mars.

Mbrojtësi kuqezi, me anë të një statusi në profilin e tij në “Facebook”, njofton se po bën maksimumin për të qenë prezent në këtë sfidë, por duket se është e vështirë.

“Periudhë e vështirë pas dëmtimit në një moment shumë delikat si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren. Po bëhet maksimumi për rikuperimim, por tepër e vështirë për t’u rikthyer në kohë për Kombëtaren”, shkruan Mavraj.

Për De Biasit mungesa e Mavrajt është një “dhimbje koke” më vetë, duke qenë se në këtë ndeshje eliminatore do të mungojë për shkak kartonësh edhe Gjimshiti, ndërsa Ajeti nuk është në formën e tij më të mirë.