Spitali ushtarak, pacientët blejnë gjithçka me paratë e tyre



Shëndetësia

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Vokshi, bashkë me deputetë të PD-së, dhe drejtues të Departamentit të Shëndetësisë së Partisë Demokratike, Arbiola Halimi, Roland Keta dhe Gazmend Koduzi, vëzhguan nga afër situatën e rënduar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mungesa e ilaçit bazë, antibiotikut, madje edhe barnave të tjera të urgjencës, ishin denoncimet e bëra nga deputetja Vokshi.

Në bazë të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore çdo qytetar shqiptar gëzon të drejtën e kurimit në spitalet publike falas por ata detyrohen të paguajnë vetë për ilaçet bazë të cilat nuk sigurohen nga spitali. Madje pacientët paguajnë vetë protezat të cilat kushtojnë nga 1 mijë e 500 deri në 3 mijë e 500 euro.

Miliona euro në muaj ndahen për koncesione dhe check-up, të cilat mund të furnizonin me barna bazë spitalet, ose të shërbenin për ndërtimin e spitaleve dhe qëndrave të reja shëndetësore, tha Vokshi.

Nisur nga rëndësia e shërbimit të këtij spitali, deputetet e Partisë Demokratike kërkuan që Spitali i Traumës të marrë status të veçantë.