Raporti i “SELDI": Shqipëria, më e korruptuara!

Shqipëria zë vendin e parë në Europën Juglindore për nivelin më të lartë të korrupsionit në rang shtetëror, ministrash e deputetësh.

Nuk janë më policët e trafikut apo mjekët ata që bëjnë më tepër presion për të marrë ryshfete, dukshëm korrupsioni është transferuar në nivele të larta tek ligjvënësit, tek kabineti ministror. Në këtë rast 82% e qytetarëve kanë dhënë ryshfet nën presionin e politikanëve, ndërsa 15% e tyre nuk kanë dhënë.

Edhe në këtë rast Shqipëria renditet e para, më pas vjen Maqedonia, Kosova, Mali i Zi. Iniciativa e Lidershipit të Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI) ka prezantuar dje Raportin Rajonal të Antikorrupsionit në një konferencë rajonale të politikave, dedikuar çështjes së antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes në Evropën Juglindore në Tiranë, Shqipëri.

Sipas këtij studimi rezulton se korrupsioni nuk është më në radhët e qytetarëve dhe se ai po zmadhohet në radhët më të lartë tek politikanët dhe gjyqtarët. Shqipëria zë vendin e parë në Europën Juglindore për nivelin më të lartë të korrupsionit, ku siç tregohet në këtë raport 45% e qytetarëve mbi 18 vjeç u është kërkuar ryshfet dhe 39% kanë dhënë para, dhurata apo favore vitin e fundit. Shqipëria për nga niveli i korrupsionit ndiqet nga Mali i Zi, më pas nga Bullgaria, Serbia. Situatën më të mirë të uljes së korrupsionit e ka Turqia.