19°C

Tiranë

"Kryesisht me vranesira"

Lageshtia: 94%

Era: 4.83 km/h

Shorti i eliminatoreve të Euro 2016, Shqipëria në vazon e 5

Ashtu sikurse pritej, Shqipëria është vendosur në vazon e pestë për shortin e eliminatoreve të Euro 2016, turne që për herë të parë do të presë në fazën finale 24 skuadra. UEFA bëri publike shpërndarjen e 53 skuadrave te 6 vazo, ku në 5 prej tyre ndodhen 9 skuadra ndërsa në të fundit vetëm 8, ndërsa Franca do të jetë vendi organizator. Shpërndarja e skuadrave në vazo është bazuar te koeficentët e UEFA-as në kualifikueset e Botërorit 2010 dhe 2014 si dhe Europianit 2012. Për herë të parë në eliminatoret e Europianit UEFA ka pranuar pjesëmarrjen e Gjilbraltarit, që gjithsesi nuk mund të shortohet në të njëjtin grup me Spanjën, kampionen në fuqi të Europës.

Shorti i eliminatoreve që do të hidhet më 23 Shkurt në Nice të Francës, do t’i shpërndajë skuadrat në 9 grupe, 8 me 6 ekipe dhe vetëm një me 5 skuadra. Në grupin me 5 ekipe do të vendoset Franca, takimet e së cilës me kundërshtarët e tjera të grupit do të konsiderohen thjesht sfida miqësore. Të gjitha skuadrat e vazos së parë, Spanja, Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Rusia dhe Bosnje-Herzegovina, pra gjithsej 9 do të jenë koka grupi. Në fund të eliminatoreve, 2 të parat e çdo grupi, si dhe e treta më e mirë, do të kualifikohen direkt në Europian, ndërsa të tretat e çdo grupi do të luajnë play-off për të përcaktuar 4 skuadrat e fundit, që do të marrin pjesën në finalet e Europianit. Nëse shorti do të jetë fatsjellës për Shqipërinë, kuqezinjtë mund të bien në një grup ku do të kenë shanse reale për t’u kualifikuar. Fushata eliminatore e Euro 2016 nis më 7 Shtator të 2014 dhe mbyllet më 13 tetor të 2015. Ndërsa faza play-off është parashikuar të zhvillohet në mes të nëntorit të 2015.