I kërkuar nga Turqia: "Imami i aviacionit luftarak"

 

Reagimi

 

Adil Öksüz duket i lodhur: Në fytyrën ezmere shihen rrathët e thellë të syve. Prej javësh qarkullojnë në internet foto të teologut 50 vjeçar, ku duket i lodhur e i pafuqishëm. Nënshkrimet e këtyre fotografive nuk i kursejnë sharjet: "Vrasës", "terrorist", "tradhtar" janë disa prej tyre në gjuhë të ndryshme. Reagimet nuk të habisin. Qeveria turke sheh pas Adil Öksüzit një nga kokat lidere të përpjekjes për puç ushtarak më 15 korrik 2016, ku humbën jetën 250 vetë.

Arrestim dhe lirimi i Öksüz

Për autoritetet e Ankarasë nuk ka dyshim: Pas përpjekjes për puç fshihet lëvizja e predikuesit Gylen. Sipas raportimeve në mediat turke, Öksüz me gjasë ka drejtuar përkrahësit e lëvizjes gyleniste në aviacionin luftarak dhe natën e puçit ka koordinuar verpimet nga baza ajrore Akinçi, që konsiderohet si pika qendrore e koordinimit të puçit.

Në mediat turke ai gëzon emërtimin "Imami i aviacionit luftarak". Në mëngjesin e 16 korrikut "imami" u arrestua në afërsi të bazës ajrore. Sipas të dhënave të tij ai ka qenë aty "në kërkim të imobilieve". Me urdhër të prokurorit ai u lirua. Arsyet e lirimit nuk janë të qarta. Nga ajo kohë Adil Öksüz është në arrati.

Adil Öksüz me gjasa në Gjermani

Gazetat e afërta me qeverinë turke raportojnë, se Öksüz qëndron në Gjermani. "Yeni Safak" shkruan se autoritetet në landin e Baden Würtembergut i kanë dhënë atij madje një leje qëndrimi. Ai është parë me sa duket edhe në Frankfurt dhe Ulm.

Qeveria turke reagoi menjëherë. Ajo përmes "një note diplomatike" kërkoi nga qeveria gjermane sqarime. Por as Ministria e Jashtme në Berlin dhe as ajo e Mbrojtjes së landit të Würtembergut nuk konfirmojnë, se Öksüz po qëndron në Gjermani.

Proces kundër 500 puçistëve

Nëse Öksüz do të kapet nga autoritetet turke ai rrezikohet nga një burg afatgjatë. Në fillim të gushtit filloi në Turqi nën një jehonë të jashtëzakonshme mediatike procesi kundër puçistëve të dyshuar. 500 vetë të akuzuar janë në gjykim.

Krahas Öksüz ka edhe të akuzuar të tjerë në arrati, mes tyre edhe i akuzuari kryesor, Fetullah Gylen. Ai jeton që nga fundi i viteve 90-të në SHBA dhe shprehet se nuk ka asnjë lidhje me puçin e organizuar. Ndërkohë vala e spastrimit në Turqi nuk ka të ndalur. Nga viti i kaluar janë larguar nga aparati shtetëror 100.000 vetë. Më shumë se 50.000 vetë janë ndaluar nga policia.