Nga Edmond SYLAR

Ndonëse për festime e panaire nuk ma ka fort ënda, kjo mbase i shëmbëllej në një farë mënyre Stefan Xhorxhit që thotë: Zu Jubelin zimmt nicht, Kein Triumff Wird sein.
(Për festime s’më ka hije, Asnjë triumf nuk më josh)…
Porse në Panairin e Librit të Tiranës, gjithmonë kam hyrë me qejf të madh, kjo për faktin që t’u hedh një sy miqve dhe armiqve të mi poetë, që ende nuk e kanë kuptuar se nuk është më koha e letërsisë ëndërr-deilir, që deri dje zbriste lartësive qiellore të shpirtrave blu.
Ndërsa jam tek sheshi i Pallatit të Kongreseve që jashtë dalloj reklama e spote klienteliste kryesisht 90 përqind të Kryetarit të Botuesve e pjesa tjetër të sateliteve të tij. Çudia ndodh se proklamimi i “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” të Remarkut u serviret lexuesve si një vëllim i ri, sikur është botuar pesë ditë më parë ndonëse ka mbi 50 vjet që është përkthyer në shqip. Në vend të këtyre spoteve dhe reklamave mendoj se mund të ishte përshembull një shkrim nga “Leksione Amerikane” të Italo Kalvinos që thotë, “Fatet e jetëve janë shumë të rënda; porse kauzat e letërsisë, filozofisë e shkencës mund të na e lehtësojnë peshën e tyre”.
***
Porsi Faustin, ku “Zwei Seelen, ach wohen in der meine Brust”… (dy shpirtra banojnë në gjoksin tim)…
Hyj brenda në Pallatin e Kongrsesve si një poet i margjinalizuar, i larë me zilitë e botuesve, pasi i zoti nuk jam t’i them trutharit gjeni. Ta përshëndes në odeon dhe në koridor me dorën në kraharor: “Sër, jam miku juaj”…
Kjo mbase bie shumë në sy dhe ngjaj si sheqer i djegur sipër krem-karameli e si saksofon midis vilolinash. Porsi gjarpërinjtë Laookontin janë gati të të mbërthejnë e ti o njeri duhet të mbrohesh nga engjëj serafinësh që t’i shpëtosh kësaj rrace kerubinësh. Ja, i shoh të gjithë ata që më kanë dashur në këto 20 vjet. Të parët s’janë as sa gishtat e njërës dorë, të dytët janë maksimumi sa kori i grave dhe burrave të Teatrit të Operas e Baletit, që duket sikur këndojnë refrenin e mediokërve që Kadare ka shkruar tek, “Requem për Majakovskin”: Ti je i madh, por ne do ta hamë kokën…
Mendoj se ky është fati që si një lojë Xhol-Pokeri nuk që po bën ende visto.
Fati është një sfinks që ka fytyrën e një magjistrice, trupin e leopardit, flatrat e lakuriqit të natës dhe shpirtin e djallit. Margjinalizimi i shkrimtarëve si puna ime është i vërtetë dhe zgjat shumë. Nuk është si fama e menjëhershme e yjeve të ekranit e kinemasë dhe Vip-ave të politikës. Është dora e padukshme e Adam Smithit, por edhe vargjet e Hëlderlinit: Wozu dichter in durftiger Zeit, (Përse koha mejron poetët).
Në formulimin klasik grek të nocionit të fatit, karakteri që i bie për pjesë çdo njeriu nuk shihet aspak si një mënyrë jetese të hibrisit. Është karakteri në të shumtën e rasteve që e burgos apo çliron njeriun nga vargonjtë e fatit dhe nga rrjeta që i ka ngritur jeta. Jo më kot Hëlderlini te “Hiperioni” perënditë i quan të pa fata.
Po le ta lemë filozofitë e të përqëndrohemi se ç’na servis Panairi! Parada e shkrimtarëve ecën delirante si anëtarët e Byrosë Poltike në këtë maskaradë, po vonë nuk i bëhet se ka pranë edhe të Botuesve Brigadë, që ngjajnë sikur të kenë lidhur kërthizat me njeri-tjetrin… S’kuptojnë të gjorët se letërsia porsi dashuria bëhet vetëm në krevat dhe jo në zyra me kondicionerë e të lidhurat pas qafës kravatë.
E para përshtypje që më krijohet është se në stendat si e “Toenës” e “UET” sheh promovime shkrimtarësh demode gjysmë spiunë e gjysmë firaunë, që të pushtuar nga simpotomat e deliromanisë e mitomanisë ngujohen me orë të tëra porsi mumjet egjiptiane për të shitur qofë edhe një libër me autografomani.
***
Në stenda 100 metra katrorë si e “Pegi-t”, “Albas”, “Dudaj-t”, apo “Toena-as” nuk shoh asnjë nga nobelistët klasikë e neoklasikë të mëdhenj, porse disa romanca portokalli krejt pa vlerë që ndryshe i etiketojmë edhe “Besteller”. Tek “Albas” më kollaj është të ndeshësh Manifestin e “Vrimës” se sa autorë të tjerë me vlerë. Kot kemi menduar se këto romanca do të vdisnin menjëherë, ndërsa sot po lulëzojnë më shumë se kurrë ndonjëherë. Mbase e teproj me nihilizmin tim të “tëbuar”, por të paktën me të vërtetën si subjektivitet të Soren Kierkergardit, që ishte kritik ndaj shabloneve të epokës së vet dhe kundërshtonte ato lloj filozofish, të cilat i quante: “Ndërtesa boshe”, ku autorët e tyre nuk banojnë aty. Kështu edhe unë i mëshohem idesë së 90 përqind e librave janë Brenda bosh, pa shpirt e pa art.
Kriza e idealeve estetike dhe artistike ka ardhur tek ne përdhunshëm me një kapërcim antinomish mediokriteti, ngarkuar me një optimizëm limfatik, por edhe me zhgënjime të shumëfishta për vdekjen e artit, sëmundjen e të cilit e ka parashikuar Hegeli shumë dekada më parë. Dhe të mendosh se ai ka filozofuar në kohën e Gëtes e Shilerit me të famshmin “Sturm und Drang” (Stuhi e vrull” ku mbiztëronin elementët lirikë, epikë, filozofikë e dramatikë. Përshembull, “Fausti” është një vepër tre dimensionale: Filozofi, lirizëm, dramatizëm. Edhe Vagneri me “Das Kunst der Zukunfft” (Arti i së ardhmes) nuk evokon zhdukjen e artit, por me mbizotërimin kapitalist të komercializmit – Arti do të zbehet prej vorbullës së tij. Po rreziku më i madh vjen prej frymëve tona që në proces krijimtarie – ngatërrojmë Artin e bukur të Apollonit Hyjnor, me ligjin e shkëmbimit të mallrave të kapitalizmit djallëzor.
***
Ndërsa në stenda 10 metër katrorë si ajo e “Alepf” që drejtohet nga përkthyesi dhe poeti i talentuar, Gent Çoçoli, i cili e ka realizuar personalitetin e vet artistik nëpërmjet vlerave të veprave që ka përkthyer e krijuar në këto afro 20 vjet. Në stendat Shtëpisë së tij botuese sheh 20 nobelistë, neoklasikë, surrealistë e avangardistë e të tjerë autorë të mëdhenj të Shekullit XX dhe XXI.
Përjashtim në stenda 100 metra katrorë me klasikë e nobelistë bëjnë “Dituria”, “Uegen”, “Onufri”, por edhe këtu mund të gjejmë gabime fare pa u ndierë. Bie fjala; “Dituria” pas “Remarkut”, “Harri Poterit” e të tjerë, në kolanën “Europa Krijuese” që financohet nga Bashkimi Europian se ç’ka futur ca libra krejt pa vlerë, që nuk shkojnë më tepër se “Bubi Kaçurrel”…
Ndërsa në stendën e “Uegen” shoh një botim luksoz të Henrik Hajne; “Vepra e plotë” 200 e ca faqe. Çudi, them me vete. Vetëm “Kthimi në Atdhe” dhe “Lirikat” kanë po aq faqe. Po “Lorelaj”, “Ata Troll”, “Kënga e Grave Sileziane”, “Gjermani një Përrallë Dimri”, “Klithma Vajtmimtare”, “Udhëtim drejt Harcit”, “Libri i Këngëve”, “Deti i Veriut”, “Romanciero”, “Këngë Rebele”, “Serenata”. Po t’i mbledhësh të gjitha këto bëjnë 2000 e kusur faqe. Sikur të ishte gjallë Hajne, me siguri do të kishte ulëritur i zemëruar: Das ist meine Alles Werke. (Kjo është gjithë vepra ime)?!
“Ich bin ein deutchen dichter/ Bekannt in deutchen Land/ Nennt Man die besten namen/ Wird auch der meine gennant”. (Unë jam një poet gjerman/ I njohur në gjithë Gjermaninë/ Kush njeh më të mëdhenjtë emra/ Dhe emrin tim e di).
Ky është një mashtrim i kulluar që s’ka asnjë lloj alibie që t’i shfajësojë redaktorin përkthyesin dhe botuesin që vendos të retushojë në kopertinën ballore të një libri: “Vepra e plotë” të njërit prej klasikëve më të mëdhenj gjermanë. Në kohën e komunizmit 5 redaktorë të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” vlenin më tepër se veprat e Shekspirit në 5 vëllime. Ndërsa sot në këto 30 vjet demokraci – 30 redaktorë e botues janë më të rëndësishëm se Brockenhauezat e Enciklopedisë Gjermane në 30 vëllime.
Dukuri tjetër e mashtrimit ndaj lexuesve është edhe abuzimi që bëjnë botuesit me veprat bie fjala të Stefan Cvajkut, ku një vëllim i tij po me ato novella botohet me tituj të ndryshëm. Përshembull një vëllim e ka titullin “24 orë nga jeta e një gruaje”, tjetri “Eldoradoja”, tjetri “Njeriut që iu mërzit Europa”, apo “Loja e Shahut” kurse në të vërtetë është i njëjti libër me të njëjtën lëndë, vetëm kopertinat ndryshojnë edhe titujt në ballinë. Kjo ndodh edhe me veprat e Frojdit, Jungut, Niçes, etj. Një libër i Fojdit me të njëjtën përmbajtje titullohet “Psiko analiza dhe Feja”, një tjetër “Teoritë e seksualitetit” apo një tjetër “Eufoenizmat dhe Tabutë” ndërsa tek Gustav Jungu një vëllim quhet “Tipas psikologjikë”, një tjetër “Jashtëtokësorët dhe Pavetëdija”, apo tek Niçe, njëri quhet “Udhëtari dhe Hija”, një tjetër “Perëndimi i Idhujve”, apo një tjetër “Vdekja e Perëndive”.
Për të mos folur për përkthimet që janë “bir Selman i nënës kë të qaj më parë”… Kam para syve librin e Stefan Cvajgut “Zu Kriege mit der Teufel” (Në luftë me Djallin). Nuk e di nga kush gjuhë e ka shqipëruar përkthyesi, por ky tekst vetëm emrin e Stefan Cvajgut nuk mund të ketë. Kurz gesagt klar und deutlich (shkurt e qartë). Në libër nuk asnjë terminologji në gjuhën gjermane që të më mbushë mendjen se është vëllimi i lartpërmendur.
Mbase “paragjykimi” im nuk është objektiv, gjykimi i konsumatorit në këtë rast nuk është asnjë herë frytdhënës përsa i përket zhanrit artistik, sepse asnjë vepër nuk është menduar për lexuesin, asnjë tragjedi për shikuesin, e si e tillë asnjë për përkthyesin. Nëse nuk ekziston origjinali për hir të lexuesit, si mundet ta kuptojmë përkthimin për hir të përkthyesit. Për ta rrokur këtë çështje duhet të kthehemi te origjinali, sepse ky përmban ligjet që drejtojnë përkthyeshmërinë, metoda e së cilës ka dy pamje: E para a duhet më parë se botuesi të vendosë për shqipërimin e një vepre të gjejë në tërësinë e lexuesve një përkthyes të saktë; dhe a do të lejojë natyra e një vepre që ta kërkojë vetë përkthyesin?!
Zakonisht këtu në Shqipëri çështja e parë zgjidhet në procese subjektiviste, e dyta intuitivisht në mënyrë apo daktikore. Fundja përkthyesi sado i arrirë të jetë nuk ka asnjë farë rëndësie për origjinalin, pasi duke qënë më i vonshëm se origjinali e duke qënë se veprat letrare nuk kanë mundësi të zgjedhin vetë përkthyesin e tyre. Ky process duket si një fëmijë ilegjitim qysh në embrion. Rëndësinë e kësaj marrdhëniejeje mund ta nxjerrim nga një metodë gjeometrike; Në rastin kur tangentia e konsinus alfës e përshkron rrethin e konsinus betës vetëm në një pikë, prej së cilës ajo vazhdon të përshkojë rrugën e saj drejt pafundësisë. Kështu edhe përkthimi e ndjek origjinalin në rrugët dytësore. Tek “Divani Perëndimoro-Lindor”, Gëte na thotë: “Përkthimet tona edhe nga më të mirat nisen nga një parim i gabuar. Ato duan ta gjermanizojnë indishten, greqishten, anglishten, në vend që ta indianizojmë, greqishtizojmë edhe anglinizojmë gjermanishten”. Kështu edhe përkthyesi në “Luftë me Djallin” jo vetëm nuk e ka shqipëruar këtë vepër nga origjinali, por me anë të këtij përkthimi ka dashur të shqiptarizojë gjermanishten edhe jot ë gjermanizojë shqipen.
***
Edhe tek “Onufri” ka klasikë romantikë… dhe mbi të gjitha Kadarenë. Teksa marr në dorë “Iliadën” dhe “Odisenë” e Homerit, në kopertinën e pasme lexoj: “Poemat homerike “Iliada” dhe “Odisea”, s’janë veçse kronika të dy zhvendosjve. E para, një lëvizje popujsh truporë, brutale drejt Lindjes (“Iliada”); e dyta një lëvizje vetmimtare, fine, për më tepër, shpirtërore, drejt Perëndimnirt”. (Odiseja), që mbajnë firmën e Kadaresë.
Nuk dua ta besoj, a t’u ze besë syve. Po filologjisë, mitologjisë, estetikës, poetikës, metafizikës. Nuk mund ta quajmë lapsus, ngatërrim vendi apo personazhi, por këtu kemi të bëjmë me një analizë homeristike, me një Panteon korifejsh të klasicizmit. Të gjitha kryeveprat që nga “Iliada”, “Odisea”, “Eneida”, “Gilgameshi”, “Nibelunget” e deri te “Fausti” i Gëtes nuk janë subjekte vetëm tokësore por treplanetare, ose më saktë treplanësh Olim-Tokë-Hadi. Zeusi, Apoloni, Artemida, Orfeu, Euridika, Akili, Helena, Menelau, Agamemnoni, Tea, Peleu, Dante, Gilgameshi, Votani, Lorelai, zhvendosen nga Olimpi në Tokë e nga Toka në Had.
Le të kujtojmë Orfeun që shkon të takojë Euridikën në botën e poshtëme, Dante-Beatriçen, Zikfridi-Brunildën, Gilgameshi- tek Hyjnitë, apo Centaurin Hirion me Faustin përmbi shpinën e tij duke shkuar në Fantazmagori për të takuar Helenën e Trojës… Si nis vargu i parë i “Iliadës”: “Këndo Hyjneshë mërinë e Akil këmbëshpejtit, birit të Peleut”…
Pra kemi të bëjmë me një gabim të vërtetë priomar në shkencën e Filologjisë. Të tjerat, nëse Kadare e ka lexuar apo s’e ka lexuar Homerin, nëse Kadare i thotë Trojës, Itakës, Korfuzit-Perëndim, apo Zeusit, Apolonit, (lëvizje trupore brutale) …
E vërteta është se këto nuk i përkasin Lindje-Perëndimit që do të ngjiste nëse do të kishim të bënimin me “Eneidën“ e Virgjilit ku mund t’i shkojë përcaktimi i zhvenosjkes nga Lindja drejt Perëndimit, por jo “Iliadës” apo “Odisesë” subjektet e të cilave prej Homerit vërtiten nga Troja e Itaka drejt Egjeut dhe Greqisë apo Hyjnive të Olimpit, nuk mundet assesi, t’I themi zhvendosje Lindje-Perëndim edhe lëvizje trupore brutale, ku heronjtë e Homerit vërtiten nga qielli në tokë e nga toka në botën e Plutonit. Për nga mëndjeprehtësia Kadareja ia kalon dhe Odiseut që shpiku Kalin e Trojës, po si ka mundësi që veprën e Homerit me të njëtjin emër Ai e quan: “Një lëvizje fine për më tepër shpirtërore drejt Perëndimit”, ndërsa në të vërtetë ajo është dramatike, plot rreziqe e zemërime hyjnish, ciklopësh, magjistricash e vende e popuj barbarë që donin ta eleminonin Odiseun.
Ashtu si kryeveprat e mëdha dhe estetikat e thella filologjike kanë gjithmonë një domethënie shumë më të madhe sse sa duket nga ajo që shprehim. Gjatë analizave që shkrimtarët e kritikët bëjnë anë e kënd këtij globi ato shpalosin vetvetiu universet e tyre të shkëlqyera ose të mjeruara. Një estetikë domethenë një methafizikë dhe një mënyrë artistike të menduari. Peisazhet mendore ku ato lëvizin janë skuta tepër të fshehta dhe të errëta, ku nuk mund të depërtojë kushdo.
Lexuesit janë spektatorë të privilegjuar të këtyre estetikave të thjeshta apo të ndërlikuara qofshin. Ndjenjat e leximit nuk lindin nga hetimi i thjeshtë i një vepre, por burojnë nga krahasimi midis një subjekti dhe një arti. rrjedhojat e menjëhershme janë në të njëjtën kohë një ekuacion trigonometrik që nuk i ngjan aspak Trinitetit Hyjnor, Teoremës së Pitagorës, Trekëndshit të Bermudës, apo një Eldoradoje të sapozbuluar. Kanë të përbashkët atë që nuk mund t’i ndash në pjesë se ndryshe do të shkatërroheshin elementët e veprës. (Në rastin në fjalë të një kryevepre si Iliada që ipërket Panteonit të klasicizmit antik).
Nga çasti kur kjo është shndërruar në një trampolinë hipotetike të përjetësisë, nuk duhet të biem në asnjë ontologji gabimi se ndryshe do të fitonim naivitetin edhe do të lëviznim në mes të një shkretëtire pa asnjë ngjyrë. Do të ishte një lloj haraçi që duhet ta paguajmë mbi rrënojat e estetikave të kufizuara, duke mbetur të pafuqishëm që të zhbirojmë transcendentalet filologjike të një kryevepre botërore.
Thelbi më i thellë i çdo konceptimi dhe çdo estetike e filologjike është forma që na e kanë skalitur klasikët e Antikitetit. Porse në të gjithë kohërat shkrimtarët nuk përbëjnë një kategori homogjene. Ata kanë dallime thelbësore midis tyre veçanërisht në spiritualizëm, mistiçizëm.
Nga kjo pikpamje mund edhe ta shfajësojmë e jot a çmitizojmë Kadarenë pasi ai nuk është homerolog. Shqipëria nuk ka as eskilologë, virgjilologë e shekspirologë. Nga ana tjetër kritkanët filologë të katedrave universitare nuk tregojnë ndonjë zell të admirueshëm në mënyrë që t’i bashkëngjiten me estetikat e tyre botimeve që bëhen për klasikët. Dy apo tre prej tyre sikur ta shfaqninin shkencën që u jep bukë, do të ishin më të vlefshëm me penën e tyre se 20 apo 30 shkrimtarë që i paraqesin shpesh këto kryevepra në formën e çorbës së fukarait.
Sot sa vjen edhe ngushtohet rrethi i shkrimtarëve filologë e për më tepër shkrimtarëve që merren me Antikitetin. Pak për të mos thënë aspak prej tyre të kenë studiuar “Iliadën”, “Eneidën“, “Efigjeninë”, “Metamarfozat” e Ovidit, “Lirikat” e Safos. Richard Wagner tek: “Als Entwurf zu eine Dichte”, (Si skicohet një poemë) – shkruan se Homeri dhe Vigjili kanë shkallë vështirësie të konsiderueshme për t’u lexuar. Vështirë t’i ndjekësh, vështirë t’i zhbirosh dhe akoma më e pamundur t’i mësosh përmendësh.
Vetë Kadare disa vite më parë në debatet për çmitizimin e figurës së Skënderbeut shprehet: “… Intelektualët gjysmakë ata që ushqehen kryesisht nga “Google” merren me raportet mit-histori pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se konceptet mitizim e çmitizim janë shumë të ndërlikuara, se ç’i di mendja e tyre e ngushtë…”.
Nuk e di se si ka rënë shkrimtari ynë në këtë cinizëm pa krena për Shmidin, Klosin dhe të tjerë, dhe unë nuk dua t’ia kthej me të njëjtën monedhë aestetike, sepse nuk ushqehem me seperatizma personalitetesh, se kam drojë se janë si ato shigjetat që kthehen pas e na ngulen në kurriz. Janë mburojë e mirë për gjoksin por nuk bëjnë kur bie shi. Hyrja me forcë në Panteonin e Letërsisë e ka bërë atë që të veshë nga hera një pelerinë cinizmi ndaj gjithë atyre që nuk i vijnë pas oreksit.
Këtë e ka bërë edhe 30 vjet më parë në librin “Ftesë në Studio”, ku na e paraqet Nolin, Migjenin e Poradecin çerek gjeni që sëbashku nuk bënin asnjë gjeni. A thua se kemi të bëjmë bie fjala me Gilgameshin, që kishte një të tretën e njeriut dhe dy të tretat e Perëndive.
Arsyetimi që Kadare u bën këtyre tre figurave kombëtare është thellësisht immanent me një shkallë të lartë subjektiviteti narcizist. Ndaj nuk më mbetet veçse të vajtoj nihilizmin e tij të tërbuar. Ku fle uni nihilistik, pragmatik i një shkrimtari nuk është gjenialiteti që lulëzon por është indokriminimi për t’u futur me dhelpëri në Panteon, to idhio (njësoj) porsi Mefistofeli në studion e Faustit.
Këto simpotoma delirizmi e vetëglorifikimi shkrimtari ynë i madh vazhdon t’i shfaqë edhe sot e kësaj dite. Pak ditë më parë Kadare nxori veprën më të fundit në Panairin e Librit, “Kur sunduesit grinden”, ku ngre një paralele midis Stalinit që pyeste Boris Pastërnakun: “Ç’mendon ti për Mandelshtamin?” dhe Enverit që mund “pyeste” Kadarenë: “Ç‘mendon ti për Poradecin, Spassen, Agollin”. Kjo pyetje me përqindje hipotetike dhe retorike më bie ndërmend librin e Miroslav Holub: “Ç’mendon Minotauri për poezinë”. Poeti i Nobelit të 1958-tës i qënka përgjigjur diktatorit: “Ne jemi të ndryshëm, shoku Stalin”. Po Kadare si do t’i ishte përgjigjur Enverit që nuk e kishte idenë se kush ishte Pastërnaku e jo më Mandelshtani: “Jo, unë nuk do t’i tradhëtoj shokët e mi poetë”. Lavdi Zotit që mbahet ende gjallë me aperativa të skaduara të destinuara veç për turmat e mendjeve të kufizuara.
Edhe me Apologjinë që mundohet ende ta shfajësojë veten në gazetën “Panorama” të dy tre ditëve më parë për veprën “Ura me tre harqe” ngre paralele dhe ura të tjera duke paraqitur veprën në fjalë si subjekt që i kushtohet Enver Hoxhës, ku sulltani me prirje homoseksuale i pret kokën Ali Pashë Tepelenës. Përrallë kjo që mund të gëlltitet vetëm nga naivët, se të mençurit ja e besuan se Sulltani aludohet për Enverin. Po Ali Pashë Tepelena cili personazh është? Kjo alibi me të cilën mbrohet sot Kadare nuk është tjetër veç akti i tij i fundit në lojën mbi 30 vjeçare të krijimtarisë ditirambiste, ku s’ka qënë tjetër veçse violinë e parë e letërsës të Realizmit Socialist, argat i arës kooperativiste të Diktatorit dhe zbatues avangard i operacioneve stilistike të Partisë së Punës. Le ta ilustrojmë me një shembull empirik shkruar e zeza mbi të bardhë për Gjergj Fishtën në gazetën “Zëri i Popullit” që mban datën 13 janar 1974 fq.3:
“…Gjithë ky arsenal errësire dhe myku është trashëguar nga arti i sotëm borgjez e revisionist. Duke e trashëguar atë, ky art i degraduar, megjithse pretendon të jetë i kohës e modern, në të vërtetë tregon se është i vjetër e dogmatik sa s’ka ku të vejë më.
Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift…”

***
Po Panairi buzëqesh plot shënd e verë dhe nuk do t’ia dijë për gabime ontologjike, estetike e filologjike; dhe lexuesit me shpirtra të ndriçuar, a të munduar nuk e kanë të lehtë t’i hedhin hapat para stendave ku nuk ke ku të hedhësh “kokrrën e mollës”, siç thonë komentatorët sportivë. Ndaj edhe këmbët i tërheqin zvarrë-zvarrë si të jenë lopçarë, poshtë llampadarëve e shandanëve që shndrisin më fort se çdo tjetër fanar. Po kush prej tyre do të guxonte përmbi ato shandane të qëndronte me një litar të palidhur mirë dhe kësaj bote t’i thoshte përngahera “Lamtumirë”!…
Ndërsa mendoj të gjitha këto nga prapa krahëve dëgjoj një zë: “Po ti këtu, ende merresh me letërsi”? Nuk i përgjigjem. Ndjej zagushi, ngulm nervor. Vetë kolonat e Pallatit të Kongreseve duket sikur u shkundën gjithë lebeti. Dhe shandanët e tejndriçuar përmbi kokë m’u bënë llava vullkani të zi. Dhe përsëri mendova; “sa armiq ke në këtë pallat qilar të stërmadh, o i shkreti ti”… E ndonëse vetë jam një njeri i margjinalizuar pa kufi, dinakëria e këtij ish-botuesi me shpirt të zi fort përmbi ballë më ndriti, se ja di mirë mendimin ogurzi: “Nuk më ka ngordhur ende maçoku i artit”, ia kthej me po atë qesëndi këtij gjarpëri që më parë ka notuar në breg ari 24 karatësh e tani duket se zhgrryhet në llum balte hipopotanësh. Duhet t’i vija fytyrës një maskë dhe gjuhën ta mbaja të kyçur fort. Por edhe mund të përpiqesha ta ngushëlloja sinqeretitin që më ra për short. Pak sinqeritet është normal. Shumë, fatal. Vajmedet! Të ndjesh fajin e tjetrit nuk është fort e lehtë, është e hidhur zeher si kafja arabike pa sheqer.
Befas m’u kujtua Heminguej tek “Dëborat e Kilimanxharos”, ndaj i them ish-botuesit beniamin i diktatorit, me devizën; “I përkasim komunizmit”: Në majën më të lartë të malit prej 7800 metrash ende gjendet trupi i ngrirë i një Leopardi, po askush nuk di të më thotë se ç’kërkon ai në këto lartësi… Kështu më pyet edhe ti mua: “Ende merresh me letërsi?, e ç’kërkon në të artit lartësi”…?! Sakaq parafolësi im mend u çmend dhe s’po vinte dot ndër mend. Ja lexova sytë e ndonëse si të gjithë komunistët anglisht nuk dinë nisa t’i recitoj Eliotin:
We schall not cease from exploretien,
And the End ov all yoers esploration
Well be to arrive startit
And k’now the please ov the first time.
(Jo, asnjëherë s’do reshtim së eksploruari,
Dhe fundi i këtij eksplorimi
Do jetë starti i të saponisurit
Dhe njohja e vendit për të parën herë).
Ndërsa bëj të dal jashtë Pallatit të Kongreseve shoh hënën në të lerë, si të jetë opiumi im çudibërës i qetësimit, si edhe një grumbull fëmijësh që fluturojnë lehtë si në vallzim engjëllor. Një çast shfaqen si zogjtë tek nisen në fluturim. Një çast tjetër porsi kotelet lozonjare të urtësuara. Dhe me doçkat që mbajnë fort shtërnguar kanë për t’u kacavirrur në stendat që i ngjajnë trungjeve pa blerim. Ah, sikur të isha në vendin tuaj o drurë, vogëlushët kacavirrur nëpër trungjet e Panairit; edhe pse dimër për hatër të tyre në lulëzim gonxhesh pranverore do të shpërtheja.