Bashkia Kamëz nisi sot veprimtaritë në kuadër të “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”, me dëgjesën publike me qytetarët për buxhetimin me pjesëmarrje, ku mori pjesë përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, z. Alessandro Angius; drejtuesja e projektit “Bashkitë për në Evropë”, znj. Jolanda Trebicka, si dhe të ftuar të tjerë. Të pranishëm ishin dhe përfaqësues nga shtresa të ndryshme të popullsisë, siç janë ndërlidhësit me komunitetin, përfaqësues të arsimit, të biznesit, të shëndetësisë, të kulturës, rinisë, gruas, sportit, të pensionistëve, të fermerëve, të OJQ-ve, të komunitetit rom-egjiptian etj. Veprimtaritë e Bashkisë Kamëz në kuadrin e “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore” do të vijojnë me organizimin e parlamentit rinor të qytetit, me shfaqje artistike, si dhe me veprimtari të tjera. Kjo javë, e kthyer në traditë prej vitesh në Kamëz, është një veprimtari që zhvillohet në kuadër të programit “Bashkitë për në Evropë”. “Java Evropiane për Demokracinë Vendore” organizohet në çdo vit, në kujtesë të nënshkrimit të “Kartës Evropiane për Autonomi Vendore” më datë 15 tetor 1985, si dhe me rekomandim të Kongresit të Autoriteteve Vendore bazuar në Rezolutën 238 (2007) – Propozim për Javën e Demokracisë Vendore.
Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Alessandro Amgius, falënderoi kryebashkiakun Mziu për organizimin e “Javës Evropiane të Demokracisë Lokale” dhe për ftesën për të marrë pjesë në këto veprimtari, duke u shprehur se ishte shumë i lumtur që ndodhej në Kamëz. Gjithashtu, ai përcolli edhe urimet e ambasadorit të BE-së në vendin tonë, z. Luigi Soreca. Ndër të tjera ai pohoi se ky takim kishte shumë rëndësi për të, si dhe për institucionet e BE-së, sepse është i lidhur jo vetëm me informacionin dhe transparencën, por veçanërisht me buxhetin dhe sfida e autoriteteve është që të kthejnë shifrat në gjëra reale, të prekshme për publikun.

Fjala e kryetarit te bashkisë Kamëz Xhelal Mziu
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, u shpreh se kjo javë tashmë është kthyer në traditë, e mundësuar falë bashkëpunimit dhe partneritetit të Bashkisë Kamëz me institucionet e Bashkimit Evropian dhe binjakëzimeve me qytete evropiane, duke bërë kështu që qyteti dhe Bashkia e Kamzës të ketë përfitime konkrete, siç janë financimi i projekteve në fusha të ndryshme apo shkëmbimi i përvojave të qeverisjes vendore. Në këtë kuadër, një prej praktikave më të mira ka qenë buxhetimi me pjesëmarrje, i cili ka bërë të mundur që Bashkia të hartojë një buxhet social me shpërndarje të investimeve aty ku ka pasur më shumë nevojë komunitetit. Sipas kryebashkiakut Mziu, kjo javë do të jetë një impuls më shumë për Bashkinë Kamëz, e cila është një ndër 12 bashkitë evropiane, 12 qytetet yje (12 Star City) të Bashkimit Evropian e publikuar kjo edhe në faqen zyrtare përkatëse të BE-së, ku Kamza është bashkia e vetme që përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt dhe përbën një vlerë të shtuar për qytetin dhe Bashkinë e Kamzës.
“Ju falënderoj për pjesëmarrjen! Gjej rastin për të falënderuar përzemërsisht përfaqësuesin e Delegacionit të BE-së, z. Alesssandro Anigus, për pjesëmarrjen në këtë takim. Dua të falënderoj Jolandën, jo vetëm për praninë e saj, por edhe si pjesë kryesore e organizmit të këtij takimi të rëndësishëm. Falënderoj të gjitha grupet e interesit, të cilët marrin pjesë në këtë takim.
Në fakt, kjo është një traditë tashmë e Kamzës në vite. Mund të jetë viti i shtatë apo i tetë që ne bëjmë organizime të tilla, të Javës Evropiane. Java Evropiane për ne është kthyer tashmë në një ritual dhe një festë, do ta konsideroja, por edhe në krijimin e standardeve të mëtejshme.
Java Evropiane është e harmonizuar më së miri midis shtresave të caktuara të popullsisë, duke filluar që te të rinjtë dhe gjatë çdo viti që ne kemi organizuar kemi të bëjmë me parlamentin rinor. Së dyti, duke organizuar takime të tjera me komunitetin, të cilët kanë të bëjnë me çështjet që janë thelbësore për zhvillimin e këtij qyteti.

Dua të them që Kamza është një qytet shumë i ri dhe nuk është se ka pasur ndonjë standard, të cilin ne mund ta merrnim si referencë dhe ndoshta ky ka qenë një angazhim maksimal i të gjitha resurseve që ka sot Kamza për ta bërë bashkëkohor, për të qenë në standardet e qyteteve të vendeve të Bashkimit Evropian. Në njëfarë mënyre besoj që kemi arritur të bëjmë hapa shumë përpara dhe t’u afrohemi këtyre standardeve, por për shkak të këtij angazhimi, unë dua të përgëzoj maksimalisht të gjithë aktorët kryesorë, të cilët kanë ndikuar për krijimin e këtij standardi, i cili është bërë si etalon i këtij bashkëpunimi, duke qenë në koherencë, madje duke pasur një drejtori enkas për koordinimin, për zhvillimin, për marrëdhëniet me jashtë, duke shfrytëzuar sidomos binjakëzimet, të cilat kanë qenë çelësi kryesor i suksesit të Bashkisë Kamëz.
Binjakëzimet ne nuk i kemi përdorur për vizita thjesht kortezie, por binjakëzimet i kemi përdorur si një instrument mjaft i rëndësishëm për të marrë eksperienca dhe për të shkëmbyer, po themi, ato gjëra që janë të implementueshme për ne. Kemi përfituar nga këto binjakëzime jo vetëm në aspektin profesional. Por kemi pasur edhe përfitime, për shkak të këtyre binjakëzimeve. Ne sot kemi One Stop Shop-in në Bashki, i cili që nga viti 2009 ka më shumë sesa 35 sportele dhe është One Stop Shop-i më i madh akoma në Shqipëri, pavarësisht se kanë kaluar nëntë vite dhe që shërben si një standard për bashkitë e tjera. Dhe ky është një produkt i këtij bashkëpunimi dhe jo pak rol kanë luajtur edhe financimet apo projektet që kanë ardhur si rezultat i Komisionit Evropian etj. Kemi përfituar edhe financiarisht, kemi marrë pjesë në disa nga projektet të cilat krahas konsulencës teknike, kanë qenë të drejtpërdrejta edhe në aspektin financiar. Kemi përfituar nga IPA Adriatic apo Cross Boarder, siç kanë qenë blerje makinerish apo kontejnerësh apo financime të tjera, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Gjej rastin për të thënë këtu që kemi përfituar edhe Shkollën Profesionale, e cila është ndër shkollat më të mira në Shqipëri, që i ka kushtuar jo pak buxhetit të Komisionit Evropian, por më shumë sesa 1.2 milionë euro dhe ky financim ka ardhur vetëm për një arsye: për shkak të partneritetit, duke qenë një partner i besueshëm për të tjerët. Të jesh partner me Komisionin Evropian besoj që nuk është e paktë.
Javën Evropiane ne e kemi shfrytëzuar më së miri. Në fakt, buxheti me pjesëmarrje është çelësi i suksesit të cilin e ka pasur Bashkia e Kamzës dhe buxheti me pjesëmarrje edhe për shkak të partneritetit që ne kemi pasur dhe jo pak rol në këtë luajtur edhe Jolanda apo të tjerë për shkak të projekteve që ne kemi pasur. Por, e kemi kthyer buxhetin me pjesëmarrje në një ritual të zakonshëm ku ne marrim opinionet e shtresave të caktuara nga terreni se cilat janë ato kërkesa, të cilat janë më të pikëzuarat për të qenë pjesë e buxhetit të vitit që do të vijë.

Po të shohësh, në të gjitha buxhetet që ne kemi kaluar, në të gjithë eksperiencën time 11-vjeçare, pothuajse janë miratuar me 100% të Këshillit Bashkiak, pavarësisht se Këshilli Bashkiak është pluralist, sepse nuk ka pasur opinione apo qëndrime të kundërta, sepse është bërë maksimumi i mundshëm, jo vetëm në paketën fiskale, por ajo çfarë është më kryesorja, në shpërndarjen e investimeve apo në bërjen e buxhetit social apo për shtresat në nevojë.
Edhe ky takim, por që do të vazhdojë Java Evropiane në takime të tjera, të cilat do të vijojnë edhe me takime nëpër lagje apo forma të tjera për të maksimumin e mundshëm të këtij buxheti. Dua të them që buxheti është bërë vërtet i lidhur, i pazgjidhshëm, sidomos me biznesin, por edhe me shtresa të tjera të caktuara, sepse do të thotë që krahas paketës fiskale, e cila e ka zhdukur informalitetin, çfarë ka qenë më kryesorja, e ka rritur bazën e saj, e ka zhvilluar biznesin, e ka bërë të ndërgjegjshëm biznesin për të paguar sepse janë konvertuar në investime.
Sot e 11 vite, në Bashkinë e Kamzës, më shumë sesa 60% e buxhetit të Bashkisë shkon për investime, shkon për rrugë, shkon për kanalizime, shkon për gjelbërimin e qytetit, për ndriçimin e qytetit dhe ky është një sukses i cili është i pakonkurrueshëm nga bashkitë e tjera. Asnjë nga 61 bashkitë sot nuk ka një shifër të tillë, që të ketë 60% të buxhetit social dhe një gjë tjetër që tregon angazhimin maksimal është që në certifikimin financiar apo menaxhimin që u bë për 61 bashkitë, ju besoj që jeni në dijeni, që Bashkia e Kamzës zuri vendin e parë në menaxhimin financiar të saj për vitin 2017. Java Evropiane do të impulsojë akoma më tej, jo vetëm institucionin e Bashkisë, por edhe partnerët e saj për të bërë maksimumin për këtë qytet të ri, qytetin e Kamzës.
Dua të them që sot, ne që organizojmë këtë takim, jemi ndër 12 qytetet evropiane, jemi edhe në faqen zyrtare të Komisionit Evropian dhe gjej rastin për t’ju ftuar për të parë edhe aktivitetin që ne po bëjmë sot e në vazhdim dhe besoj që është një vlerë e shtuar, pse jo, edhe për bashkitë e tjera të Shqipërisë, që Kamza përfaqëson denjësisht edhe qytetet e tjera të Shqipërisë dhe futet ndër 12 qytetet evropiane. Edhe një herë, dua t’ju falënderoj!”.