Vetëm në Shqipëri ndodh që nuk mundesh të jesh i lirë, të zgjedhësh me kë të qëndrosh, të dashurohesh, fejohesh dhe martohesh. Në një pjesë të konsiderueshme të territorit shqiptar shoqëria është ende partiarkale ku familjet tentojnë të mbajnë me forcë nën kthetrat e tyre fëmijët duke i urdhëruar të bëjnë çfarë ata dëshirojnë dhe jo çfarë ndjejnë. Në disa zona është e vështirë që femra të jetë e lirë dhe do të duhet të sillen ashtu siç duan prindërit e tyre. Janë me qindra, për të mos thënë me mijëra, raste që femrat mbahen të izoluara në shtëpi, urdhërohen të mos takohen dhe dashurohen me meshkujt pa dijeninë e tyre dhe iu kërkohet të fejohen dhe marrin për burrë djalin që dëshiron familja.
Në Shqipëri kryesisht në zonat veriore si Dibër, Kukës, Tropojë, Malësi e Madhe, Mirditë etj, shfaqet ky fenomen, por dhe në zona në jug të vendit si në Fier-Lushnjë–Mallakastër, për të mos përjashtuar as zonat qëndrore si Durrës apo Tiranë. Ky është një absurditet në Europë dhe Perëndim, por në Shqipëri je i dënuar të bashkëjetosh me një njeri që nuk e do, të lindësh fëmijë dhe të plakesh me të duke duruar madje edhe dhunën e ushtruar.
Kemi pafund raste të dhunës në familje ku gruaja ka shkuar të kërkojë mbrojtje dhe pavarësisht vendimit të Gjykatës, policia s’ka mundur të ia sigurojë. Për pasojë si në rastet kur çifti ka ndarë shtëpinë bashkë, apo dhe kur kanë jetuar veç e veç, sërish burri me egon e tij i ka dal në rrugë ish bashkëshortes e ka fyer, e ka rrahur madje dhe vrarë. Nuk mungojnë as rastet kur gruaja me qëllim për të mbajtur familjen e bashkuar nuk ka denoncuar, ka duruar dhunën derisa ka ardhur momenti që ka qenë viktimë e saj kur është vrarë barbarisht dhe ka mjaft raste dhe në sy të fëmijëve.
Statistikat e kërcënimit dhe dhunës mbi femrën janë të frikshme. Nga viti në vit rritet numri i raportimeve për dhunë në familje. INSTAT raporton se nga viti 2015 deri në 2016-ën pasqyrohen 252 kallëzime më shumë në rang vendi. Ndërkohë, në total në rang vendi në 2016-ën numërohen 3.900 raportime të dhunës në familje. Dhuna në familje përbën një fenomen shqetësues duke ndikuar negativisht në integritetin fizik, psikosocial dhe ekonomik të personit ndaj të cilit ushtrohet dhunë. Të dhënat e raportuara nga Policia e Shtetit tregojnë se në vitin 2016, duke e krahasuar me 2015-ën, kemi 7,3% raportime më shumë. Në total në rang vendi në 2016-ën numërohen 3.900 raportime të dhunës në familje.
E njejta gjë ka ndodhur edhe në vitin 2017, por edhe 2018. Rastet e dhunës fizike dhe psikologjike janë të shumta madje dhe prindërit ndaj fëmijëve ku mund të pëmendim rastin e qytetares Naxhie Hysa nga fshati Lashkizë e komunës Zall-Dardhë të Dibrës, e cila është detyruar të largohet nga familja si pasojë e mosmarrveshjes me familjen dhe konkretisht babain e saj, shtetasin Xhavit Hysa. Historia nis me kërkesën e babait, Xhavitit, që vajza e tij të martohej me një djalë që donte ai. Ishte kjo arsyeja që çoi në tensionimin e situatës dhe përplasjes verbale, ku Xhaviti i kërkonte të bijës ose të martohej me djalin që donte ai ose në të kundërt të mos shkelte në shtëpi. Në këto rrethana Naxhie Hysa me dhimbje duke u ndarë nga familja, zgjedh të bashkohet me njeriun e zemrës Ylli Krrashi, djalin që donte dhe ishte e lidhur prej kohësh duke mos shkelur më në familjen e saj nga frika.
Kjo ngjarje ka çuar dhe në një konflikt mes familjes së Xhavit Hysës dhe bashkëjetuesit të Naxhies dhe familjes së tij, i cili i kërcënohet që të heqë dorë nga vajza që do. Autoritetet duhet të kujdesen që situata të mos percipitojë për keq, ndërsa Naxhie Hysa mbetet të kthehet në shtëpi vetëm me kushtin të ndahet nga i dashuri me të cilin bashkëjeton. Ky është realiteti i hidhur shqiptar, që prek femrën në një vend që pret të anëtarësohet në BE.