Nga Namir LAPARDHAJA

Ditën e djeshme ishte 83-vjetori i lindjes së Pjetër Arbnorit, i cili njihet edhe si “Mandela shqiptar”.
Plot 28 vjet të kaluara në burgjet e tmerrshme të komunizmit, prapa hekurave të së cilëve u fut 26 vjeç dhe doli prej andej 54 vjeç, duke kaluar kështu pjesën më të rëndësishme të jetës në burg.
Ata që e kanë njohur dhe shkruar për të thonë se e gjithë jeta e tij ishte një përpjekje “për të mbetur njeri”.
Përveçse politikan, Arbnori ishte shkrimtar, studiues dhe përkthyes. Ai ështe autor i romaneve: “Mugujt e mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë” (roman për të cilin iu shtuan dhjetë vite burg), “Vorublla” etj. Po ashtu, është autor i novelave “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, studimeve historike “Nga jeta në burgjet komuniste” etj.
Arbnori është një nga heronjtë e vertetë të Partisë Demokratike, i mendjes së bukur dhe i shpirtit të madh, emrin e të cilit mund ta mbajë një ndër fondacionet e kësaj partie, krijuar në nderim të tij, por Arbnori është edhe një hero i vërtetë me veprën dhe jetën e të cilit PD mund të mburret dhe të krenohet pa ndroje.
Ai mund t’u shërbejë brezave se si me urtësi, mençuri dhe butësi mund të bashkëjetohet e të ecet përpara.
Një personalitet që i bën nder jo vetëm PD-së dhe të djathtës, por të gjithë shqiptarëve.