Dy gola të shënuar nga Cristiano Ronaldo, i dyti thjesht fantastik me roveshatë, dhe një nga Marcelo, i kanë dhënë Real Madrid fitoren 3-0 në “Allianz Stadium” ndaj Juventus, që praktikisht i jep mundësinë kampionëve të Europës të jenë me një këmbë në gjysmëfinalet e Champions League.
Portugezi Ronaldo e gjeti golin e parë pas vetëm tre minutash lojës, pas pasimit të marrë nga Isco, duke e futur ndeshjen në binarët e duhur për “Los Blancos”.
Juventus u përpoq të reagonte dhe faktikisht luajti mirë në pjesën e parë, por Keylor Navas mbrojti portën e tij nga tentativa e Gonzalo Higuian, ndërsa nga krahu tjetër Toni Kroos goditi traversën për spanjollët.
Kur u mbush një orë lojë, Ronaldo shënoi golin e tij të 14-të në këtë edicion të Champions League ku është golashënuesi më i mirë, por padyshim ky ishte goli më i bukur, me roveshatë, pas krosimit të Carvajal.
Kjo ishte ndeshja e dhjetë radhazi që Ronaldo shënon në Ligën e Kampioneve, duke vënë rekord absolut, ashtu si është rekord fakti që askush më parë nuk ka shënuar 22 gola në ndeshjet çerekfinale të kësaj veprimtarie.
Juventus mbeti me dhjetë futbollistë, pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Paulo Dybala dhe miqtë përfituan nga superioriteti numerik, duke realizuar golin e tretë me anë të brazilianit Marcelo, i shërbyer nga “fantastiku” Ronaldo, që praktikisht “vret” këtë çerekfinale…
0-3 në Torino, as në ëndrrat më të bukura të Zinedine Zidane nuk ishte parë diçka e tillë. Real Madrid marshon drejt titullit të tretë radhazi në Europë, ndërsa Juventus ka nevojë për më shumë se një mrekulli në “Santiago Bernabeu”.