Bëhet fjalë për ruajtjen e disa privilegjeve, por edhe për çështjen se sa me themel po e ndryshon vendin presidenti, Emmanuel Macron. Franca ndodhet para matjes së forcave mes qeverisë dhe sindikatave. Kush do të fitojë?
Javët e ardhshme jeta e francezëve nuk do të jetë shumë e këndshme. Plehra në trotuare, sepse qendra e organizimit të mbledhjes së plehrave ndodhet në grevë, mungesë rryme elektrike në disa reparte prodhimi, sepse sindikata e energjisë del në grevë, mungesë trenash, sepse tek hekurudha franceze, SNCF rreh zemra e rezistencës kundër reformës së planifikuar nga Presidenti Macron. Madje edhe nëse do t’i ikësh kësaj situate, ka gjasë të mos e bësh dot, sepse punonjësit e shoqërisë së fluturimit, Air France do të dalin në grevë.
Katër muaj me radhë sindikatat franceze lëpinin plagët për të kaluar goditjen më të rëndë, dështimin në grevat e vjeshtës 2017. Vërtet që disa lëshime ato i morën qeverisë për reformimin e së drejtës së punës, por nuk mundën ta pengonin dot futjen e fleksibilitetit në tregun e punës. Qeveria ia doli të ndante sindikatat. Mobilizimi në rrugë ishte i dobët. Këtë pranverë gjërat duhet të ndodhin ndryshe, shpresojnë sindikalistët.

Privilegje të diskutueshme për disa
Kësaj here sindikatat franceze paraqiten jo vetëm më të bashkuara se në matjen e fundit të forcave me qeverinë. Në qendër të protestave Hekurudha Shtetërore, që me 45 miliardë euro borxhe duhet të jetë gati për konkurrencën ndërkombëtare. Këtë e parashikon reforma. Punonjësit e rinj që do të merren në punë duhet të heqin dorë nga privilegjet e dikurshme si dalja në pension 10 vjet më herët. Për sindikatat ky është një sulm frontal. Nga 3 prilli deri më 28 qershor tre degë të hekurudhës franceze, CG, CFDT dhe të tjera sindikata planifikojnë greva dy ditore në javë, tre ditë do të punohet.
Po ashtu edhe punonjësit e degës së ofruesve të elektricitetit dhe gazit duan të dalin në grevë për tre muaj. Edhe këtu rebelimi do të japë sinjal për liberalizimin në këtë degë. Krahasuar me këtë, kërkesa e punonjësve të Air France për rritje rroge të duket më e kuptueshme.

Rrezik për Macronin?
Edhe nëse sindikatat po përpiqen për ta futur në darë qeverinë nga disa anë, më e rrezikshme për Macron dhe kryeministrin e tij, Edouard Philippe mund të bëhet greva tek hekurudha shtetërore. Vërtet që sipas sondazheve një shumicë e francezëve e mbështet reduktimin e privilegjeve në këtë sektor, por ekspertët paralajmërojnë: Nëse jeta publike në Francë paralizohet më shumë se dy javë, francezët do të shqetësohen dhe presioni ndaj qeverisë për të bërë lëshime do të rritet.
Pamje nga e shkuara ka mjaft: Në mediat franceze përmendet shpesh këto ditë vjeshta e vitit 1995. Atëherë kryeministri i ri, Alain Juppé, paraqiti një reformë ambicioze të pensioneve. Edhe ai iu sul privilegjeve tek hekurudha shtetërore, (atëherë borxhet kapnin vetëm 25 miliardë euro). Por ajo që ndodhi ishte se sindikatat e bllokuan me javë jetën publike në Francë. Qeveria hoqi dorë, kryeministri që kishte përjashtuar lëshimet mori fund politikisht.

Përfundimi nuk dihet
Megjithëse mund të bëhen krahasime me këtë kohë, prapë duhet theksuar edhe se situata ka ndryshuar, e shumë madje. Ndryshe nga Jacques Chirac në vitin 1995, Emmanuel Macron në vitin 2017, doli në fushatë me një axhendë reformuese. Ndërkohë në Francë është rritur pranueshmëria për nevojën e reformimit të shtetit. Ndërkohë që reformat sociale, qeveria franceze po i bën më me kujdes se qeveria e Schröderit në Gjermani. Megjithëse borxhi shtetëror është i lartë, Macron kërkon të shkurtojë vetëm 120.000 vende nga 5,6 milionë vende në administratën publike.
Franca, klinikisht në borxhe, i lejon vetes 20% më shumë nëpunës se sa Gjermania, që ka ndjeshëm një numër më të lartë popullsie. Nuk dihet fundi i valës së grevave në Francë, shumë pak ekspertë guxojnë të bëjnë prognoza. Dinamika politike në Francë është e paparashikueshme. Por ajo që dihet është – nëse qeveria dorëzohet nga presioni në rrugë, Macron duhet ta harrojë reformën më kyçe të tij, atë të pensioneve, të planifikuar për vitin 2019. Edhe këtë e dinë sindikatat, prandaj shpresojnë që moti i grevës të jetë pa re.