F. William Engdahl
Një proces i parashikueshëm i dezintegrimit në të gjithë Bashkimin Europian duket se ka nisur. Ky proces ka fituar vrull jo vetëm nga rezultatet zgjedhore në Itali, ku më shumë se dy të tretat e popullit votuan kundër politikës së kufijve të hapur për refugjatët të nxitur tashmë prej kohësh nga ana e Brukselit. Tani ky vrull nuk vjen vetëm nga vendet se Austria apo vendet lindore si Hungaria dhe Polonia apo nga qeveria e re austriake. Tani, kundërshtimi i aktit “centralist” ndërmjet Berlinit, Parisit dhe Brukselit vjen edhe nga Holanda dhe një grup jo i vogël vendesh veriore të Bashkimit Europian. Çështja në zemër të këtij kundërshtimi përfshin vendet që duan të njihet më shumë shenjtëria e sovranitetit kombëtar përkundër të gjithë atyre që duan t’i zhdukin kufijtë dhe të krijojnë një lloj super-shteti të Bashkimit Europian, i quajtur ndryshe në mënyrë eufemistike “bashkimi gjithmonë e më i ngushtë”. Konflikti do të përcaktojë të ardhmen e të gjithë projektit të Bashkimit Eurpian. Brexit ishte vetëm krisja e parë e gradacelit të madh me emrin Bashkim Europian.

Shtetet sovrane
Gjatë një vizite në Berlin më 3 mars, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, u shfaq publikisht kundër trendit të kohëve të fundit të drejtuar kryesisht nga Gjermania, Franca dhe shtete të tjera të Bashkimit Europian për të krijuar një shtet të madh mbikombëtar qendror që një ditë do të çonte drejt projektit të madh të Shteteve të Bashkuara të Europës. I pyetur nga gazetarët atë ditë, ai u shpreh: “Ekziston tashmë prej kohësh një narrativë se bashkëpunimi gjithmonë e më i ngushtë është i paevitueshëm në një shtet federal të Europës”. Por kryeministri nuk e mbylli me kaq, madje zgjidhi të tregohej më i drejtpërdrejtë: “Këtë gjuhë të tmerrshme që përdoret për termin ‘Bashkim gjithmonë e më të ngushtë’, nuk e pëlqej aspak. Gjatë 20 ose 30 viteve të fundit, kjo gjuhë është distancuar plotësisht nga bashkimi i ngushtë i popujve të Bashkimit Europian që bashkëpunojë ngushtësisht në çështje të përbashkëta që vendet anëtare nuk e kanë të mundur t’i trajtojnë individualisht. Tani është kthyer në një qëllim madhor”. Më pas, Rutte i bëri thirrje frazës që është kthyer në tabu të vërtetë në radhët e Brukselit: “shtet sovran”. “Nuk mund të harojmë kurrë faktin se jemi një shtet sovran, për asnjë arsye. Kjo nuk është aspak një lëvizje në vetvete, është thjesht diçka që duhet kujtuar më shpesh dhe duhet nxjerrë në shesh sa herë që lind nevoja. Bashkimi më i ngushtë është shndërruar nga një përpjekje kolektive, në një qëllim madhor. Kjo është tërësisht e gabuar!”

Përçarja Veri-Jug
Tani, përveç përçarjes në rritje të shpejtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit në Bashkimit Europian ndërmjet Polonisë, Hungarisë nga njëra anë dhe Berlinit e Parisit nga ana tjetër, është duke u hapur qartësisht edhe përçarja e re ndërmjet Veriut dhe Jugut. Fshikullimi i Rutte në Berlin u ndoq tre ditë më pas edhe nga një mbledhje e tetë ministrave të Financës së shteteve veriore të Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe Holandën më 6 mars.
Në këtë mbledhje ministrat e shteteve përkatëse dolën me një deklaratë të përbashkët që i drejtohet qartësisht Planit Macron franko-gjerman për të krijuar një Bruksel gjithnjë e më të centralizuar. Hapi i parë i këtij plani do të ishte emërimi i një ministri të bërshkat të financave për të gjithë Bashkimin Europian. Ministrat e Financave të Holandës, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë dhe Suedisë e paraqitën deklaratën e tyre të përbashkët nga Den Haag, aty ku u zhvillua edhe mbledhja. Macron, me një mbështetje të hapur nga koalicioni i ri i Gjermanisë, u bashkua me presidentin e Komisionit të Bashkimit Europian Jean-Claude Juncker për të bërë thirrje për një buxhet të përbashkët të Eurozonës dhe një ministër financash të përbashkët, si hapi i parë drejt një bashkimi fiskal qendror, i cili natyrisht do të kontrollohej ngushtësisht nga Brukseli. Macron propozon që plani të konkludohet me miratimin e plotë të unionit fiskal të Bashkimit Europian, me një sistem taksimi dhe shpenzimi të përbashkët për të gjithë Europën, i kontrolluar nga lart poshtë, plan me të cilin shtetet sovrane anëtare të unionit fiskal do të humbisnin plotësisht sovranitetin e taksimit të vendit të tyre. Plani i Macronit është një përpjekje e kamufluar me shumë finesë për të krijuar një union fiskal të Bashkimit Europian ku taksapaguesit gjermanë, bashkë me ata holandezë dhe të vendeve të tjera konservatore të BE-së, do të ofronin shpëtim financiar për vendet e tjera të Europës Jugore, përfshirë këtu edhe Greqinë dhe Italinë, ku bankat franceze janë më të ekspozuara. Macroni e shpalosi planin e tij në shtator të vitit 2017, në kohën kur po zhvilloheshin zgjedhjet gjermane. Ai e promovoi atë si një mënyrë për të gëzuar një Europë “sovrane, të bashkuar dhe demokrate”, diçka që nuk është.

Gjurmët e Sorosit në sfond
Përpjekja për të krijuar një Bashkim Europian të drejtuar vetëm nga Brukseli, me një pushtet qendror për të lëshuar “eurobondet” për të gjithë eurozonën, ka qenë qëllimi madhor i spekullatorit miliarder amerikan të fondeve, Xhorxh Soros. Nëse diçka e tillë do të bëhej realitet, Bashkimi Euriopian do të kthehej lehtësisht në një shënjestër të madhe financiare për spekullatorin e monedhës dhe do të kthente Gjermaninë dhe shtetet e tjera kursimtare të Europës në shlyesit e borxheve të shteteve më të dobëta si Greqia, Italia dhe Spanja në krizën e ardhshme financiare, një tjetër qëllim i Sorosit. Kriza e ardhshme financiare është mëse e mundur për vetë faktin se qeveritë europiane nuk kanë bërë praktikisht asgjë, që pas krizës financiare të vitit 2008, për të reduktuar rrezikun sistematik. Politika e interesit zero të Bankës Qendrore Europiane e mbajti flluskën të fryrë në të gjithë eurozonën. Që kur Banka Qemdrore Europiane prezantoi programin e paprecendet të blerjes së borxheve për vendet e eurozonës në vitin 2015, banka ka blerë plot 2.3 trilionë euro letra me vlerë deri në fund të vitit 2017. Të gjithë janë dakord se diçka e tillë është e paqëndrueshme. Pyetja është: Çfarë duhet bërë? Sipas raportimeve në media të ndryshme ndërkombëtare, më 14 nëntor të vitit të kaluar, Soros kërkoi të zhvillohej një mbledhje private e pareklamuar me Benoît Coeuré, anëtari ekzekutiv i bordit të Bankës Qendrore Europiane. Sipas ditarit të Coeure të publikuar në shkurt të këtij viti, në këtë mbledhje ata diskutuan “thellimin e zonës së euros”, një zëdhënës i Bankës Qendrore Europiane tha për “Reuters” se në mbledhje, në të cilën ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i fondit spekullativ të Sorosit dhe një tjetër zyrtar i Bankës Qendrore Europiane, do të diskutohej një buxhet i përbashkët për eurozonën dhe Unioni Fiskal i Bashkimit Europian.

Mjaft i çuditshëm ishte edhe vendimi i vitit të kaluar nga ana e kancelares gjermane, Angela Merkel, për të “ngjitur lart” ministrin e vjetër të Financave të respektuar dhe konservator të CDU-së, Wolfgang Schauble. Kjo ishte një mënyrë për t’i hapur rrugën ardhjes së një ministri i ri të Financave për Gjermaninë, një ministër më të hapur ndaj ideve të Macronit, të cilat Schauble i refuzonte fuqimisht dhe publikisht. Me Wolfgang Schauble të larguar nga detyra, rezistanca ndaj këtij plani të madh është dobësuar ndjeshëm në aksin gjerman, duke i liruar rrugën krijimit të “unioni i transfertave” të Eurozonës, sipas të cilit vendet veriore të Bashkimit Europian, mbi të gjitha Gjermania, bien dakord për transferta të mëdha fiskale dhe taksore ndaj shteteve të zhytura në borxhe të jugut të eurozonës. Fitimtarët kryesorë të kësaj skeme të qëndisur me elegancën që karakterizon francezët, do të ishin pikërisht bankat franceze. Pas formimit më në fund të Koalicionit të Madh të Gjermanisë, Merkel dhe Macron, kanë vendosur ta shtyjnë për pak kohë sipërmarrjen e tyre për reformat e Macronit, të paktën deri në samitin e Bashkimit Europian pas disa javësh. Pretendimi i palës gjermane është se kjo nuk është koha e përshtatshme që koalicioni i ri i Gjermanisë të shqyrtojë çështje të tilla dhe se i nevojitet kohë të përgatitet. Pritet që plani i Macronit të marrë një shpejtësi marramendëse gjatë muajit maj. Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve online të Shteteve të Bashkuara, Politico, zëvendës/presidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, ka bërë të ditur planet për të propozuar krijimin e të ashtuajturve “Bono të Sigurta Europiane” (BSE) ose të “Fonde të Mbështetura nga Bonot Sovrane” (FMBS), propozime që pritet të hidhen në muajin maj gjatë samitit të Bashkimit Europian.
Bonot shtetërore të shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian do të shndërroheshin kështu në fonde të reja dhe do të shiteshin.

Siç thekson edhe agjencia e vlerësimit të Shteteve të Bashkuara, Standard and Poors, “Bonot e sigurta europiane (BSE-të) janë propozuar si një mjet për të rritur ofertën e aseteve të denominuara euro ‘AAA’ dhe për të reduktuar rrezikun sistematik, duke lehtësuar bankat nga mbajtja e bonove të mëdha të lëshuara nga qeveritë e tyre sovrane”. Realiteti në fakt është e kundërta. Me pak fjalë, bonot gjermane do të përziheshin me bonot më të rrezikshme të vendeve si Italia ose Greqia, në përpjekje për të shitur borxhin e rrezikshëm të Greqisë bashkë me një fond të sigurt gjerman. E sqaruar në këtë mënyrë, nuk mund të mos mendosh se është një ide vërtetë gjeniale, por fatkeqësisht jo aq e mirë për taksapaguesit gjermane. Pas shfaqjes së krizës së aseteve të mbështetura nga qeveria amerikane në vitet 2007-2008, skemat e tilla për të përzier borxhet e rrezikshme me borxhe më të sigurta si ato të Gjermanisë, sjellin pasoja shkatërrimtare pas shpërthimit të krizës së vërtetë. Siç ka paralajmëruar edhe kryeministri holandez Rutte, mos i besoni operatorëve amerikanë të fondeve spekullative që ju ofrojnë dhurata të mëdha dhe mos i besoni përpjekjeve tinzare për të gërryer sovranitetin fiskal të vendeve europiane, me qëllimin final për të stabilizuar bankat e falimentuara franceze dhe ato të eurozonës në përgjithësi.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI