Shqetësimet e drejtuesve të Real Madridit lidhur me karakterin e Harry Kane e kanë kthyer fokusin e tyre drejt nënshkrimit em Robert Lewandowski, pretendon “AS”. Klubi madrilen ka qenë i lidhur ngushtë me një lëvizje për Kane, por raporti thotë se “Los Blancos” kanë shqetësime rreth natyrës “introverted” të 24-vjeçarit. Në këtë mënyrë, ata e kanë bërë sulmuesin e Bayern Munich prioritet dhe besojnë se pala gjermane do të marrë parasysh ofertat, që shkojnë deri në 100 milionë euro. Pra, nuk ka më dyshime se Robert Lewandowski është zgjedhur nga Real Madridi për të përforcuar pozitën e qendrës së sulmit, sezonin e ardhshëm. Zidane i ka dhënë përparësi operacionit dhe klubi i bardhë ka arritur tashmë një marrëveshje me agjentin e polakut, përfaqësuesi izraelit, Pini Zahavi. Sulmuesi në fjalë, që kremton 30 vite më 21 gusht, është një objekt “i vjetër” i dëshirës për Real Madridin.

Në sezonin 2012-2013, sulmuesi i Borussia Dortmund në atë kohë do të shënonte katër gola në Madrid, në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Presidenti i Real Madridit përdori ndeshjen e kthimit, në “Bernabeu”, për të biseduar me lojtarin polak dhe i transmetoi dëshirën për të nënshkruar me të. “A doni të luani në Madrid?” – e pyeti Florentino. Lewandowski iu përgjigj: “Bisedoni me përfaqësuesin tim”. Vitin e ardhshëm, ai nënshkroi me Bayern Munich. Real Madridi nuk i ka nisur ende kontaktet me Bayernin. Bavarezët nuk duan ta lëshojnë sulmuesin, por nuk e mbyllin derën për largimin e tij për një çmim që iu afrohet 100 milionë eurove.