Tirana renditet e 176 nga 231 qytete në botë, për cilësinë e jetesës në 2018. Krahasuar me fqinjët rajonalë, jemi shteti me cilësinë më të ulët të jetesës këtë vit. Kryeson listën Zagrebi i 98, më pas Beogradi renditet i 139, Sarajeva e 159, Shkupi renditet i 161. Ndërsa në Europë, jemi të parafundit, duke lënë pas vetëm Minski, në Bjellorusi, i cili renditet i 188-i.

Këtë vlerësim e ka bërë kompania këshilluese Mercer, duke u bazuar në 39 kritere të ndryshme dhe në këtë listë, Vjena zë vendin e parë për të nëntin vit radhazi. I dyti, është Zyrihu, Zvicër. Dallimi mes Vjenës dhe Zyrihut, sipas Mercer, është oferta kulturore më e pasur e metropolit austriak ndërsa kësaj i kontribuon edhe cilësia e transportit publik dhe ofertat për kalimin e kohës së lirë.

Mynihu si qyteti i tretë në listë për nga cilësia e jetesës ka bërë viteve të fundit përpjekje të mëdha për të tërhequr talentet dhe ndërmarrjet. Po ashtu ka investuar në vazhdimësi në infrastrukurën Hightech si dhe ka promovuar institucionet kulturore.

Në fund të listës, pra qytetet me cilësinë më të ulët të jetës janë: Bagdadi (Irak) në vendin e 231-të, Bangui (Republika e Afrikës Qendrore) në vendin e 230-të, Sanaa (Jemen), në vendin e 229-të dhe Port-au-Prince (Haiti) në vendin e 228-të.

Mercer ka marrë në studim 231 qytete të mëdha të gjithë botës, renditja e së cilave bëhet sipas këtyre kritereve: përkujdesja shëndetësore, oferta e trafikut, pastërtia e ajrit, siguria, stabiliteti politik etj.

Këtë vit, Mercer ka përpiluar një renditje të veçantë në nënkategorinë e kanalizimin e qytetit, i cili analizon heqjen e mbeturinave të qyteteve dhe infrastrukturën e kanalizimit, nivelet e sëmundjeve infektive, ndotjen e ajrit, disponueshmërinë dhe cilësinë e ujit – të gjitha aspektet e rëndësishme të atraktivitetit të qytetit për talentet dhe bizneset.

Mercer ofron renditjen e përvitshme mbarëbotërore rreth standardeve të jetesës nga studimet më të fundit të “Worldwide Quality of Living Surveys”. Raportet individuale sigurohen për çdo qytet të vrojtuar indekset krahasuese të cilësisë së jetesës ndërmjet qytetit bazë dhe qytetit mikpritës janë në dispozicion, sikundër janë krahasimet me shumë qytete Kushtet e jetesës janë analizuar në bazë të 39 faktorëve, grupuar në 10 kategori:

-mjedisi politik dhe shoqëror (stabiliteti politik, krimi, zbatimi i ligjit, etj.)

-mjedisi ekonomik (rregulloret e këmbimit të monedhës, shërbimet bankare)

-mjedisi socio-kulturor (disponueshmëria e medias dhe censura, kufizimet në lirinë personale)

-shërbimi mjekësor dhe shëndetësor (furnizimet mjekësore dhe shërbimet, sëmundjet ngjitëse, kanalizimi, hedhja e mbeturinave, ndotja e ajrit, etj.)

-shkollat dhe arsimi (standardet dhe disponueshmëria e shkollave ndërkombëtare)

-shërbimet publike dhe transporti (energjia elektrike, uji, transporti publik, bllokimet e trafikut, etj.)

-vendet për argëtim (restorante, teatro, kinema, qendra sportive dhe të kohës së lirë, etj.)

-mallrat e konsumit (disponueshmëria e artikujve ushqimorë/ artikuj të konsumit të përditshëm, makina, etj.)

-strehimi (strehimi me qira, pajisje shtëpiake, mobilie, shërbimet e mirëmbajtjes)

-mjedisi natyror (klima, regjistrime të fatkeqësive natyrore)