Analisti Fatos Lubonja ka komentuar sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” projektin e teatrit të ri kombëtar që do të zëvendësojë aktualin. Lubonja i quajti mashtrues ordinerë si kryeministrin Rama ashtu edhe ministren e Kulturës, duke iu referuar deklaratave të mëparshme se nuk ka projekt për teatrin. “Ministrja tha s’ka projekt para një jave, dje doli projekti. Këta tallen me njerëzit, por këta s’kanë as dinjitet. Janë kthyer në mashtrues ordinerë, me në krye kryemashtruesin Edi Rama. Këta na kanë vënë poshtë. Mbrapa teatrit do ngrihen katër kulla që sipas disave do shkatërrojnë edhe sarajet. Dikush thotë që do i fusin në xham. Këto janë çmendurira. Çështja është këtu, a është çmenduria e Edi Ramës që po i përdor këta oligarkët? Është babëzia e këtyre? Apo është pastrim parash, sepse aty nuk ka asgjë tjetër dhe këto kulla janë çmimi që paguan qyteti. Pikëpyetje që duhet të ngrejë shoqëria shqiptare dhe jo është i bukur apo nuk është i bukur ai projekt. Për mua është i bukur ai projekt që është, sepse ka histori”, u shpreh Lubonja, raporton “BalkanWeb”. Ai tha se është pro rikonstruksionit të teatrit aktual pa e prishur strukturën e tij. “Logjika është që duhet të rikonstruktohen. Po të suvatohej ky shumë mirë, ai është një kompleks historik dhe shumë i bukur. Nga brenda ka nevojë t’i vihet dorë. Megjithatë nuk do të thotë që ne të kemi vetëm një teatër. Ti mund të bësh teatër tjetër”, tha analisti.