Shqipëria ka normën më të lartë të fëmijëve që jetojnë në atë që njihet si varfëri multidimensionale, në të gjithë Europën. Në këtë përfundim arrin një raport i publikuar së fundmi nga Unicef.

Ky raport vlerëson se, në vendin tonë janë rreth 18 mijë fëmijët që jetojnë në varfëri, dhe kjo përkthehet në 2.1% të totalit të fëmijëve në vendin tonë. Një normë e tillë, as që i afrohet vendeve europiane.

Madje, në Shqipëri fenomeni është më i përhapur edhe se në vende si Shteti i Palestinës, Jamaica, St.Lucia, Tailanda, Meksika apo Kirgistani, sa për të përmendur disa.
As me vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim nuk ka garë. Maqedonia është ndjekësja më e afërt e Shqipërisë në rajon, por me një normë më shumë se dy herë më të ulët, në vetëm 0.9%. Më pas ndjek Bosnje Hercegovina po me 0.9%, Mali i zi me 0.6% dhe Serbia me 0.4%.

As në terma absolute, pra për totalin e fëmijëve që jetojnë në varfëri, asnjë prej vendeve të rajonit nuk mund të krahasohet me Shqipërinë. Pjesë e listës janë vetëm vende të pazhvilluara dhe prania e Shqipërisë së bashku me të gjitha vendet e tjera të rajonit në këtë listë tregon realisht diferencën e theksuar me Europën.

Siç duket qartë nga tabela, në listë përfshihen në pjesën dërrmuese vendet e Afrikës, Amerikës së Jugut, Azisë juglindore dhe Azisë perëndimore.