Ikona e skenës shqiptare Robert Ndrenika ka qenë një nga artistët e pranishëm në prezantimin e projektit të Teatrit Kombëtar. Pas prezantimit ai ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat ku ka ka ironizuar kryeministrin Edi Rama pasi nuk i dha fjalën në aktivitet.
“Kryeministri nuk na donte se kështu na kishin thënë, por rezulton se na dashka”, tha Ndrenika duke iu referuar debateve për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e teatrit të ri.

Për sa i përket projektit të prezantuar, Ndrenika tha se është kundër metodës së ndërtimit të tij përmes Partneritetit-Publik-Privat, ose ndryshe koncensionit. Ai shtoi se do donte ta njihte nga afër maketin për të parë si do të jetë skena.

“Më shqetëson Partneriteti-Publik-Privat. Kjo është dyndje e xhunglës urbane. Por unë dua ta shoh në maket, për të parë nga afër si është skena dhe xhepat e saj. Ajo që na intereson ne artistëve”, deklaroi aktori i madh, një nga zërat kundër prishjes së teatrit aktual.

Para se arkitekti i teatrit të ri Bjorke Ingles të merrte fjalën, Ndrenika kërkoi të fliste por kryeministri iu përgjigj: “Jo jo, prit shiko projektin njëherë”. Më pas aktori është ulur duke thënë se po pret të shohë projektin njëherë.