Nga Erl KODRA

A e dini ju, qenie të papërgjegjëshme, ju kafshë, që vetëm formën e keni si njerëz, se në momentin që i hypni makinës, potencialisht ju ktheheni në një armë të rrezikshme, që mund të vrisni çfarë u del përpara?!
A e dini se ajo vegla e komplikuar që ju e ngisni gjithë tangarllik mund dhe duhet të komandohet nga ju, me përgjegjësi për jetën tuaj dhe të tjerëve që levizin në të njejtën hapësirë me ju?!
A e dini se po ta godasësh një qenie njerëzore me armën tënde që leviz mbi katër rrota me shpejtësi sketerre, në fakt do t’ia marrësh jetën, paçka se i shkreti njeri nuk të ka asnjë borxh, për më tepër, edhe ai ka të njëjtat të drejta për ta gëzuar atë, njësoj si ty, njësoj si unë, njësoj si i gjithë njerëzimi?!
A e dini se nga një përplasje gjatë rrugës tuaj për askund, mund të mbeteni edhe ju viktima të kafshërisë tuaj instinktive, ju dhe familjarët tuaj, por edhe fëmijët tuaj që do t’ua prisni jetën në mes, për hiçgjë, për asgjë, për fare, përgjithmonë, në jetë të jetëve?!
A e dini ju, o qenie që ju komandon adrenalina juaj e qelbur, se jeta njerëzore nuk kthehet më, dhe se në këtë botë dhe në atë botë, për ju ka vetëm një emër cilësues:
Përbindësha!