Shumë prej nesh ankohen se kanë dhëmbë të ndjeshëm. Në rast se gjatë ngrënies së një akulloreje, gjatë konsumimit të një ushqimi të nxehtë apo edhe gjatë larjes së dhëmbëve kemi ndjeshmëri të theksuar, në këtë rast kemi të bëjmë me një problem të quajtur dhëmb sensitiv. Por a mund të trajtohen dhëmbët e ndjeshëm?
Po dhe në bazë të asaj se çfarë e shkakton atë, sugjerohen trajtimet e mëposhtme:
Përdorimi i një paste që ul ndjeshmërinë e dhëmbit. Këto pasta përmbajnë përbërës që ndihmojnë në bllokimin e transmetimit të ndjeshmërisë nga sipërfaqja e dhëmbit tek nervi dhe zakonisht kërkojnë disa aplikime në mënyrë që të reduktojnë ndjeshmërinë e dhëmbit.
Përdorimi i pastave me përmbajtje të lartë fluori.
Xhelet e fluorit. Aplikimi i xhelit të fluorit është një teknikë që realizohet në klinikë përmes së cilës forcohet smalti dhe reduktohet transmetimi i ndjeshmërisë.
Aplikimi i një kurore mbi dhëmbin tek i cili kemi ndjeshmëri ose dhimbje.
Përdorimi i grafteve gingivare. Është një ndërhyrje kirurgjikale që aplikohet tek dhëmbët që kanë tërheqje të linjës gingivare dhe ekspozim të rrënjës së dhëmbit, përmes së cilës mbrohet rrënja dhe reduktohet ndjeshmëria.
Trajtimi endodontik. Nëse ndjeshmëria është e lartë dhe e vazhdueshme dhe nuk mund të trajtohet me asnjë nga mënyrat e mësipërme, dentisti juaj mund të rekomandojë heqjen e nervit tek ai dhëmb.